Skandali me melodinë nacionaliste serbe merr jehonë në mediat evropiane – çfarë ndodhi në Forumin e BE-së ku mungoi Kosova?

Skandali me melodinë nacionaliste serbe merr jehonë në mediat evropiane – çfarë ndodhi në Forumin e BE-së ku mungoi Kosova?

Skandali me melodinë nacionaliste serbe merr jehonë në mediat evropiane – çfarë ndodhi në Forumin e BE-së ku mungoi Kosova?

Ajo që duhej të ishte një ngjarje kushtuar zgjerimit të Bashkimit Evropian, pajtimit dhe perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, u përball me kritika të ashpra pas interpretimit të një melodie nacionaliste serbe që lidhet me pretendimet territoriale ndaj Kosovës.Ngjarja në koncertin hapës të Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel, e raportuar fillimisht nga Telegrafi, nxiti reagime të ashpra nga përfaqësues të Kosovës dhe eurodeputetë, ndërsa mori jehonë të konsiderueshme në mediat rajonale e më vonë edhe në ato evropiane.

Sponsor 3M Express

Polemika u shndërrua në një nga temat më të dukshme të raportimit për forumin, duke ngritur pyetje jo vetëm për përzgjedhjen e programit muzikor, por edhe për përfaqësimin e Kosovës në një aktivitet që synonte të diskutonte të ardhmen evropiane të rajonit.

Koncerti ishte pjesë e agjendës zyrtare të Forumit të Zgjerimit të BE-së

Sipas agjendës zyrtare të publikuar nga Komisioni Evropian, Forumi i Zgjerimit të BE-së nisi më 15 nëntor me mbrëmjen hapëse dhe koncertin, të paraparë nga ora 18:30 deri në 21:30.

Hapja e aktivitetit ishte paraparë të bëhej nga komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ndërsa në program figuronin grupi muzikor Marko Hatlak & Kapobanda dhe Western Balkan Youth Orchestra.

Koncerti mbante titullin “Melodies of Unity: Harmonies from the European Crossroads” (Meloditë e Unitetit: Harmonitë nga udhëkryqet evropiane).

Pikërisht gjatë këtij aktiviteti u interpretua në version instrumental melodia e këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, teksti i së cilës përmban pretendime se Kosova i përket Serbisë.

Edhe pse gjatë performancës nuk u këndua teksti, përzgjedhja e melodisë për Kosovën shkaktoi reagime të ashpra nga përfaqësuesit e shoqërisë civile nga Kosova, Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit.

Agjenda zyrtare konfirmon se koncerti ishte pjesë e programit të Forumit të Zgjerimit, por nuk përcakton se kush e kishte përzgjedhur apo miratuar repertorin muzikor.

Nga një koncert për unitetin te një incident diplomatik – si raportuan mediat evropiane?

Telegrafi raportoi fillimisht për ngjarjen, e cila më pas u pasqyrua në disa prej mediave të njohura rajonale dhe evropiane.

POLITICO e trajtoi incidentin si një gabim që nxiti zemërim dhe keqardhje, duke përdorur në titull cilësimin e eurodeputetit estonez Riho Terras për një veprim pa takt dhe pa shije.

Media theksoi se melodia e interpretuar në hapje të forumit i përket një kënge nacionaliste serbe, teksti i së cilës pretendon se Kosova është pjesë e Serbisë.

EUalive, në artikullin e gazetarit Georgi Gotev, raportoi për reagimet e forta pas interpretimit të këngës, duke sjellë deklaratat e përfaqësuesve të Kosovës dhe kërkesat për sqarime nga Komisioni Evropian.

Edhe media të tjera evropiane e rajonale trajtuan ngjarjen në kontekstin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi dhe mesazheve të pajtimit që Bashkimi Evropian synon të promovojë në Ballkanin Perëndimor.

Kështu, një performancë muzikore e paraparë për të promovuar unitetin u kthye në një çështje që mori vëmendje të gjerë mediatike dhe diplomatike edhe ne Euronews.

Kosova dhe Bosnja pa përfaqësim qeveritar në panelin kryesor

Përtej polemikës për këngën, vëmendje ka marrë edhe mënyra e përfaqësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Forumin e Zgjerimit të BE-së, të mbajtur më 15 dhe 16 nëntor në Bruksel.

Sipas agjendës zyrtare të Komisionit Evropian, në panelin e dytë, të titulluar “Making Enlargement Deliver: Reforms, Investment and Growth”, morën pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Në këtë panel morën pjesë gjithashtu komisioneri evropian Valdis Dombrovskis dhe eurodeputeti Thijs Reuten.

Megjithatë, në listën e pjesëmarrësve nuk figuronin përfaqësues qeveritarë nga Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina.

Sa i përket Kosovës, mungesa e përfaqësimit institucional në forum është evidentuar për të dytin vit radhazi, ndërsa mbetet për t’u sqaruar nëse institucionet e saj kishin marrë ftesë zyrtare.

Megjithatë, të dyja vendet kishin përfaqësues të shoqërisë civile në pjesë të tjera të programit.

Lista Studentore e Serbisë me hapësirë të veçantë në agjendë

Një tjetër element i agjendës që ka tërhequr vëmendjen është pjesëmarrja e Listës Studentore nga Serbia.

Sipas programit zyrtar të Komisionit Evropian, kësaj liste iu rezervua një hapësirë e veçantë për fjalim, më 16 nëntor, nga ora 16:00 deri në 16:15.

Pjesëmarrja e Listës Studentore ishte promovuar paraprakisht edhe përmes llogarive zyrtare në rrjetet sociale të Komisionit Evropian për Zgjerimin dhe të komisioneres Marta Kos.

Marta Kos përmendi Donika Eminin, por ajo sqaroi se nuk përfaqëson institucionet e Kosovës

Pas reagimeve për mungesën e përfaqësimit institucional të Kosovës, komisionerja Marta Kos përmendi pjesëmarrjen e aktivistes Donika Emini në forum.

Emini ishte përfshirë në panelin e titulluar “Through Reconciliation Towards EU Enlargement”, kushtuar pajtimit dhe zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Sipas agjendës zyrtare, ajo ishte prezantuar si themeluese dhe drejtoreshë e organizatës d-square Think Tank.

Megjithatë, Emini sqaroi se nuk ishte pjesëmarrëse në cilësinë e përfaqësueses institucionale të Kosovës, por si aktiviste e shoqërisë civile.

Në të njëjtin panel ishin përfshirë edhe përfaqësues të shoqërisë civile nga rajoni.

Reagimet nga Kosova, Shqipëria dhe Parlamenti Evropian

Reagimet për interpretimin e melodisë nacionaliste serbe nisën menjëherë pas koncertit.

Edlira Dibrani, e cila ishte e pranishme në aktivitet, e cilësoi performancën skandaloze, duke theksuar se Kosova nuk përfaqësohet nga kjo këngë.

Edhe Donika Emini, e pranishme në sallë, shprehu shqetësimin e saj për përzgjedhjen muzikore, duke kërkuar që komisionerja Marta Kos të kërkonte falje.

Ambasadori i Kosovës, Agron Bajrami, e cilësoi ngjarjen të papranueshme dhe kërkoi sqarime nga Komisioni Evropian për mënyrën se si ishte përzgjedhur dhe miratuar repertori muzikor.

Ndërkohë, kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, e quajti ngjarjen skandaloze dhe të papranueshme, duke kërkuar përgjegjësi nga organizatorët. Reagime ka pasur edhe nga opozita.

Reagim të ashpër pati edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili deklaroi se ishte shokuar nga interpretimi i melodisë nacionaliste serbe dhe se ishte larguar menjëherë nga salla.

“Unë u shokova, dola menjëherë jashtë, e lashë sallën”, deklaroi Rama nga Brukseli, duke theksuar se kishte kërkuar të dinte kush e kishte përzgjedhur këngën dhe kush mbante përgjegjësi për këtë.

Kryeministri shqiptar ngriti shqetësimin për mënyrën se si ishte trajtuar Kosova gjatë aktivitetit, duke theksuar se incidenti nuk duhej të mbetej vetëm në nivel reagimesh publike, por duhej të adresohej edhe në nivel diplomatik.

Rama reagoi edhe gjatë fjalimit në Forumin e Zgjerimit të BE-së, duke theksuar se një ngjarje e tillë nuk duhet të kalojë në heshtje, pavarësisht nëse ishte e qëllimshme apo pasojë e padijes.

“Nuk është se lëndon vetëm ndjenjat e shqiptarëve, qytetarëve shqiptarë, kombit shqiptar, të Republikës së Kosovës, por ka të bëjë me nevojën për të mos lënë të kalojë në heshtje asgjë që na kthen në të shkuarën”, deklaroi Rama.

Reagoi edhe eurodeputeti estonez Riho Terras, i cili ngriti pyetjen nëse bëhej fjalë për një provokim të qëllimshëm apo për injorancë.

Ai e cilësoi interpretimin e melodisë si një gabim jashtëzakonisht të papërshtatshëm dhe pa shije, duke kërkuar shpjegime nga Komisioni Evropian dhe komisionerja Marta Kos.

Komisioni Evropian distancohet nga kënga: Nuk ishte miratuar nga ne

Pas reagimeve të shumta, Komisioni Evropian është distancuar nga interpretimi i melodisë nacionaliste serbe në koncertin hapës të Forumit të Zgjerimit të BE-së.

Në një përgjigje për Telegrafin, Komisioni Evropian ka bërë të ditur se kënga ishte përzgjedhur nga vetë grupi muzikor dhe nuk kishte marrë miratimin e institucionit evropian.

“Siç tha komisionerja Kos këtë mëngjes, kënga në fjalë u përzgjodh nga grupi muzikor dhe nuk ishte miratuar nga Komisioni. Na vjen keq për këtë zgjedhje të grupit muzikor”, thuhet në përgjigjen e KE-së për Telegrafin.

Komisioni Evropian ka pranuar ndjeshmërinë e çështjes, duke iu referuar historisë së dhimbshme dhe përvojave të ndryshme të komuniteteve në Kosovë.

“Ajo prek çështje të ndjeshme, veçanërisht duke pasur parasysh historinë e dhimbshme dhe përvojat e ndryshme të komuniteteve në Kosovë”, ka theksuar KE-ja.

Institucioni evropian ka nënvizuar gjithashtu se kënga nuk përfaqëson qëndrimin e tij apo të komisioneres Marta Kos ndaj Kosovës.

“Kënga në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimin e Komisionit Evropian apo të komisioneres Kos lidhur me Kosovën dhe historinë e saj”, thuhet në përgjigje.

Pyetjet që mbeten pa përgjigje

Megjithëse Komisioni Evropian ka sqaruar se kënga ishte përzgjedhur nga grupi muzikor dhe nuk ishte miratuar nga institucioni, agjenda zyrtare konfirmon se koncerti i 15 nëntorit ishte pjesë e programit të Forumit të Zgjerimit.

Në program ishte paraparë hapja nga komisionerja Marta Kos dhe pjesëmarrja e grupit Marko Hatlak & Kapobanda dhe Western Balkan Youth Orchestra.

Megjithatë, mbeten të pasqaruara disa çështje që lidhen me organizimin e koncertit: kush e kishte propozuar melodinë, nëse lista e këngëve ishte dorëzuar paraprakisht, kush e kishte miratuar programin përfundimtar dhe kush ishte përgjegjës për përmbajtjen e shfaqur në ekran gjatë interpretimit. Telegrafi i ka shkruar edhe grupit muzikor, por nuk ka ende përgjigje zyrtare.

Nga një koncert për unitetin evropian, interpretimi i melodisë nacionaliste serbe u shndërrua në një çështje diplomatike dhe mediatike. /Telegrafi/.

Lexo edhe

Futbollisti nga Kosova vdes tragjikisht në një aksident në Gjermani

Futbollisti nga Kosova vdes tragjikisht në një aksident në Gjermani

Trump: Jemi shumë pranë përfundimit të luftës Rusi-Ukrainë

Trump: Jemi shumë pranë përfundimit të luftës Rusi-Ukrainë

Shpallet i pafajshëm pjesëtari i FSK-së i akuzuar për përdhunim

Shpallet i pafajshëm pjesëtari i FSK-së i akuzuar për përdhunim