Policët serbë dyshohet se gënjyen prokurorin për rastin e Aleksandar Vulin-it, ish-shefit të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA), dhe një ditë më vonë hartuan një raport zyrtar me version tjetër të ngjarjes. Kështu raporton mediumi serb Nova.rs, duke zbuluar një varg mospërputhjesh në hetimin për kthimin e avionit që po udhëtonte nga Beogradi drejt Moskës, më 3 nëntor.

Avioni i kompanisë “Air Serbia”, në fluturimin JU 134, ishte kthyer nga hapësira ajrore e Lituanisë drejt Serbisë, pasi dyshohej se gjatë hipjes së Vulin-it në aeroplan nuk ishin respektuar procedurat e sigurisë.
Sipas Nova.rs, kthimin e avionit e kishte kërkuar Milan Kuç, përgjegjës për sigurinë korporative të aeroportit “Nikola Tesla”, për shkak të shkeljes së pretenduar të procedurave të sigurisë.
Pas kthimit të avionit, në aeroport ishte dërguar prokurori kujdestar i Prokurorisë së Tretë Themelore Publike në Beograd, për të verifikuar nëse kishte elemente të ndonjë vepre penale.
Dy versione të ndryshme të policisë
Sipas burimeve të Nova.rs, policët kufitarë fillimisht i kishin deklaruar prokurorit se Aleksandar Vulin kishte anashkaluar kontrollet e sigurisë dhe se në këtë kishte ndihmuar një agjent i BIA-s, i cili e shoqëronte atë.
Nëse do të vërtetohej ndonjë vepër penale, sipas vlerësimit fillestar, rasti mund të përfshinte keqpërdorim të detyrës zyrtare, çështje që do të ishte në kompetencë të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, e cila më pas e mori përsipër rastin.
Megjithatë, sipas mediumit serb, një ditë më vonë u hartua një shënim zyrtar nga një pjesëtar i Policisë Kufitare, në të cilin ngjarja përshkruhej ndryshe.
Në këtë version thuhej se Vulin i kishte kaluar procedurat e kontrollit të sigurisë, por gjatë kalimit nëpër portën e kontrollit kundër mjeteve shpërthyese ishte aktivizuar alarmi. Në atë moment kishte ndërhyrë agjenti i BIA-s dhe Vulin kishte vazhduar rrugën pa iu nënshtruar kontrolleve shtesë që parashikojnë protokollet.
Nova.rs thekson se mbetet e paqartë pse policët i kishin dhënë prokurorit një version tjetër nga ai që ishte paraqitur në shënimin zyrtar.
Përgjegjësi i sigurisë kishte kërkuar kthimin e avionit
Sipas të njëjtit medium, Milan Kuç e kishte telefonuar shefin e Policisë Kufitare, Dragiša Simiq, duke i kërkuar që ta kthente avionin, por ky i fundit nuk kishte vepruar sipas kërkesës. Kthimin e avionit, sipas raportimit, e kishte realizuar vetë Kuç.
Nova.rs vëren se shënimet zyrtare policore zakonisht hartohen menjëherë pas ngjarjes, ndërsa në këtë rast dokumenti ishte përpiluar një ditë më vonë. Sipas mediumit, shënime të tilla ndonjëherë përdoren nga zyrtarët policorë për t’u mbrojtur kur përfshihen në ndërhyrje të dyshimta ose kur kanë rezerva për ligjshmërinë e vendimeve të eprorëve.
Çfarë thotë Ministria e Brendshme?
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë kishte reaguar më 20 nëntor, duke deklaruar se Policia Kufitare e kishte kryer punën në përputhje me ligjin.
Në komunikatën e saj, ministria kishte theksuar se Vulin i kishte kaluar kontrollet e detyrueshme kufitare, ashtu si edhe udhëtarët e tjerë në fluturimin drejt Moskës.
Sipas MUP-it, kontrollet e tjera të udhëtarëve dhe bagazheve para hipjes në avion nuk janë në kompetencë të Policisë Kufitare.
Ministria kishte shtuar se, në raste të tilla, formohet një shtab që vendos për masat dhe veprimet që duhet të ndërmerren, ndërsa Policia Kufitare është pjesë e këtij mekanizmi.
Ajo kishte mohuar raportimet për mosveprim të shefit të Policisë Kufitare, duke pretenduar se gjenerali Dragiša Simiq kishte insistuar për kontrollimin e plotë të fluturimit pas kthimit të avionit në aeroportin e Beogradit.
Megjithatë, sipas Nova.rs, mbetet e hapur pyetja se pse deklaratat e policëve para prokurorit ndryshojnë nga përmbajtja e shënimit zyrtar.
Mediumi serb ka bërë të ditur se i ka dërguar pyetje Prokurorisë së Lartë Publike lidhur me numrin e personave të marrë në pyetje dhe nëse është kërkuar nga Sektori i Kontrollit të Brendshëm që t’i intervistojë pjesëtarët e Policisë Kufitare. Deri në publikimin e raportimit, përgjigje nuk kishte marrë.
Burimi: Insajderi





