Një aksion i Doganës së Kosovës për verifikimin e telefonave mobilë të dyshuar si të kontrabanduar ka përfunduar me një incident në Podujevë. Pronari i një biznesi të telefonave dyshohet se ka goditur me veturë një zyrtar doganor, teksa po largohej për t’iu shmangur kontrollit, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari është Florim Blaku, rreth 42 vjeç, pronar i “Mobi Shop Lila”, ndërsa zyrtari doganor i përfshirë në incident është Agon Imeri, rreth 31 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur të martën, më 24 nëntor, rreth orës 13:30, në Bulevardin e Dëshmorëve në Podujevë, ku një ekip mobil i Doganës së Kosovës ishte duke zhvilluar kontrolle në kuadër të detyrës zyrtare.
Zyrtarët doganorë kishin tentuar të kontrollonin veturën e tipit Range Rover, në pronësi të Blakut, me qëllim të verifikimit të dyshimeve për telefona mobilë të kontrabanduar dhe të padoganuar.
Por, në vend se t’i nënshtrohej kontrollit, Blaku dyshohet se kishte nisur veturën dhe gjatë largimit kishte goditur në dorë zyrtarin doganor.
Pas incidentit, pronari i “Mobi Shop Lila” ishte larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa njësitë policore deri më tani nuk kanë arritur ta lokalizojnë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë dhe njësia e kriminalistikës, të cilët kanë ndërmarrë veprimet për dokumentimin e rastit.
Për incidentin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me udhëzim të të cilit ndaj Florim Blakut është iniciuar rast penal për veprën “Sulmi ndaj personit zyrtar”, sipas nenit 402 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Policia po punon për sigurimin e pranisë së të dyshuarit.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





