Skandal në Serbi – BIA-ja spiunoi vëzhguesit e OSBE-së, u hynte fshehurazi edhe në dhomat e hotelit

Skandal në Serbi – BIA-ja spiunoi vëzhguesit e OSBE-së, u hynte fshehurazi edhe në dhomat e hotelit

Skandal në Serbi – BIA-ja spiunoi vëzhguesit e OSBE-së, u hynte fshehurazi edhe në dhomat e hotelit

Agjentët e Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) të Serbisë kanë përgjuar dhe vëzhguar në mënyrë të fshehtë vëzhguesit e huaj të misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi, të mbajtura në dhjetor të vitit 2023. Këtë e ka zbuluar Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).

Sponsor 3M Express

Në mesin e personave të vëzhguar ishin gjermania Jana Bürgers dhe irlandezi Brian MacMahon, të cilët ishin pjesë e misionit afatgjatë të vëzhguesve. Ata kishin mbërritur në Beograd më 19 nëntor 2023, ndërsa tri ditë më vonë ishin transferuar në Novi Sad, ku për muajin pasues ndoqën procesin zgjedhor.

Sipas hulumtimit të BIRN-it, BIA-ja ua kishte përcjellë çdo lëvizje që nga momenti kur, mëngjesin e 22 nëntorit, kishin zbritur nga vetura dhe kishin hyrë në hotelin “Putnik” në Novi Sad.

Fotografitë e realizuara nga agjentët dëshmojnë se ata kishin përcjellë edhe takimet e vëzhguesve me shoferin dhe asistentin e tyre.

Sipas BIRN-it, në operacionin e mbikëqyrjes së dy vëzhguesve ishin angazhuar më shumë se dhjetë agjentë të BIA-s. Agjentët kishin pasur çelësat e dhomave të tyre në hotel, ndërsa kishin angazhuar edhe persona për të kontrolluar këto hapësira.

Vëzhguesit kishin qëndruar vetëm natën e parë në hotelin, ku akomodimin ua kishte rezervuar paraprakisht misioni, përpara se të zhvendoseshin në banesa private që i kishin marrë me qira vetë.

Megjithatë, sipas BIRN-it, BIA-ja i kishte siguruar paraprakisht adresat e këtyre banesave, të dhënat për pronarët, si dhe kodet e hyrjes në ndërtesat ku ata do të qëndronin.

Vëzhguesit ishin angazhuar nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), me ftesë të Serbisë, për të monitoruar fushatën zgjedhore dhe financimin e saj, raportimin e mediave, trajtimin e ankesave, rastet e mundshme të frikësimit të votuesve dhe keqpërdorimin e burimeve shtetërore.

Misioni afatgjatë i vëzhguesve përbëhej nga 30 persona nga 12 shtete të ndryshme.

Vëzhguesit thonë se nuk kishin vërejtur asgjë të pazakontë

Irlandezi Brian MacMahon ka treguar se për mbikëqyrjen kishte marrë vesh vetëm pasi ishte kontaktuar nga gazetarët e BIRN-it. Ai tha se gjatë qëndrimit në Novi Sad nuk kishte vërejtur asgjë të pazakontë.

“Ky është një ndërhyrje e papranueshme në misionet tona. Nëse e kujtoni, themeli i OSBE-së është që të 57 shtetet pajtohen të ftojnë njëri-tjetrin. Me fjalë të tjera, ne ishim ftuar vullnetarisht, ndërsa fakti që më pas jemi mbikëqyrur tingëllon shumë kërcënues. Nuk më ka ndodhur kurrë diçka e tillë, ndonëse kam marrë pjesë në shumë misione”, deklaroi MacMahon, i cili më parë kishte shërbyer si vëzhgues edhe në Gjeorgji dhe Rusi.

Edhe gjermania Jana Bürgers kishte mësuar nga gazetarët se ishte vënë nën mbikëqyrjen e shërbimit sekret serb.

Ajo tha se nuk e kuptonte qëllimin e këtij operacioni, pasi vëzhguesit veprojnë në mënyrë transparente dhe publikojnë informacionet që mbledhin gjatë punës së tyre.

Bürgers kishte marrë pjesë më parë në misione në Ukrainë, Kirgistan, Bosnjë-Hercegovinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas saj, kjo ishte hera e parë që mësonte se kishte qenë objektiv i një shërbimi sekret.

Ajo shtoi se gjatë takimeve me përfaqësues të opozitës në Serbi kishin dëgjuar për problemet dhe kërcënimet me të cilat përballeshin ata. Gjithashtu, kishin takuar një person i cili më vonë ishte rrahur.

BIA-ja nuk u përgjigj në pyetjet për operacionin

BIA-ja nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve të BIRN-it se përse kishte vëzhguar anëtarët e misionit ndërkombëtar dhe nëse për këtë operacion kishte pasur urdhër gjykate.

Përgjigje nuk kishte dhënë as ODIHR-i.

Mbikëqyrja ishte zhvilluar në kohën kur në krye të BIA-s po ndodhnin ndryshime. Aleksandar Vulin kishte dhënë dorëheqje më 3 nëntor 2023, ndërsa drejtimin e agjencisë e kishte marrë zëvendësi i tij i parë, Tomislav Radovanović, i cili në dhjetor ishte emëruar ushtrues detyre i drejtorit.

Radovanović më herët kishte qenë shef i Shërbimit për Metoda të Posaçme Hetimore në Drejtorinë e Policisë Kriminalistike, institucion që merret me vëzhgimin dhe incizimin e fshehtë në terren, si dhe me monitorimin e komunikimeve telefonike dhe elektronike. Që nga qershori i vitit 2024, ai mban pozitën e zëvendësdrejtorit të BIA-s.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, së bashku me zgjedhjet krahinore dhe ato lokale në 65 qytete, u mbajtën më 17 dhjetor 2023.

Pushteti shpalli fitore bindëse, ndërsa opozita, përfshirë koalicionin “Serbia kundër dhunës”, i kontestoi rezultatet dhe ngriti shqetësime për parregullsi gjatë procesit zgjedhor. /Telegrafi/

Lexo edhe

Dy punonjës të “Mjekëve pa Kufij” vriten në Gaza, organizata akuzon Izraelin për sulm ndaj klinikës

Dy punonjës të “Mjekëve pa Kufij” vriten në Gaza, organizata akuzon Izraelin për sulm ndaj klinikës

Taulant Seferi me urim emocionues për 28 Nëntorin

Taulant Seferi me urim emocionues për 28 Nëntorin

8 të lënduar në protestën e sotme, Ministria e Shëndetësisë: 1 efektiv policie, gazetarë dhe protestues

8 të lënduar në protestën e sotme, Ministria e Shëndetësisë: 1 efektiv policie, gazetarë dhe protestues