Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ka zhvilluar një aksion kundër një grupi të dyshuar kriminal ndërkombëtar, i cili dyshohet se merrej me trafikimin e substancave narkotike.

Autoritetet bërë të ditur se gjatë këtij operacioni është goditur një grup që kishte përgatitur për treg rreth 37 kilogramë heroinë.
Sipas informacioneve lidhur me rastin, hetimet dhe veprimet operative janë zhvilluar për më pak se një javë, duke filluar nga 30 tetori. Ky afat është konsideruar nga prokurori Atdhe Dema si kohë rekord për realizimin e një operacioni të tillë.
Me urdhër të prokurorit të rastit, Atdhe Dema, në orën 21:45 është realizuar bastisja e një depoje në rajonin e Ferizajt, ku është zbuluar një sasi e konsiderueshme e drogës. Më pas, janë bastisur edhe katër lokacione të tjera.
Droga e gjetur në Ferizaj ishte e vendosur në një qese dhe në disa paketime të tjera.
Dyshimet e hetuesve janë se heroina ishte transportuar nga Irani drejt Kosovës, e fshehur brenda një ngarkese me mall komercial.
Sipas dyshimeve, destinacioni përfundimtar i saj ishte transportimi jashtë Kosovës, ku do të futej në tregun e narkotikëve.
Në kuadër të këtij operacioni janë ndaluar pesë persona të dyshuar, ndaj të cilëve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Burimi: Insajderi




