Rasti i zhdukjes së mbi 100 armëve nga depoja e poligonit të licencuar “Tactical” në Gjakovë ka marrë një kthesë të re. Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e një muaji paraburgim ndaj pronarit të poligonit, Valon Curri, nën dyshimin se armët i kishte shitur në mënyrë të kundërligjshme, ndërsa më pas kishte raportuar rrejshëm se ato i ishin vjedhur.

Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht për zhdukjen e armëve dhe arrestimin e Currit, i cili fillimisht kishte denoncuar rastin në Policinë e Kosovës.
Në njoftimin e sotëm, Prokuroria bëri të ditur se ndaj Currit. ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, Curri, nga fillimi i tetorit 2026 deri më 30 tetor, në poligonin “Tactical” në Gjakovë, dyshohet se ka shitur në mënyrë të paautorizuar mbi 110 armë zjarri, të cilat i kishte në depon e poligonit të licencuar.
Armët dyshohet se ua kishte shitur dy personave me inicialet D.P. dhe L.U., të cilët aktualisht gjenden në arrati.
Pas shitjes së tyre, sipas Prokurorisë, Curri e kishte raportuar rastin në Policinë e Kosovës, duke pretenduar rrejshëm se të njëjtat armë i ishin vjedhur.
Ndërkohë, Prokuroria ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve edhe ndaj dy të dyshuarve të tjerë, D.P. dhe L.U., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Ndaj Currit rëndojnë dyshimet për veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”.
Rasti ishte raportuar më 30 tetor, kur ishte denoncuar zhdukja e mbi 100 armëve të zjarrit nga depoja e poligonit “Tactical”, me një dëm të pretenduar prej mbi 100 mijë eurosh.
Megjithatë, hetimet e zhvilluara nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në koordinim me Prokurorinë, kishin ngritur dyshime se rasti nuk bëhej fjalë për një vjedhje të zakonshme, por për një shitje të kundërligjshme të armëve dhe raportim të rremë.
Më 3 nëntor, policia kishte zhvilluar bastisje në tri lokacione në rajonin e Gjakovës, ku ishin sekuestruar prova materiale dhe ishte arrestuar Curri.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




