Shtetet pjesëmarrëse në bisedimet e Kombeve të Bashkuara janë pajtuar që të vazhdojnë diskutimet për hartimin e rregullave të reja lidhur me armët autonome, të njohura edhe si “robotë vrasës”, me synimin që një marrëveshje të arrihet deri në vitin 2028.

Bisedimet përfunduan të shtunën me zotimin për zhvillimin e diskutimeve të mëtejshme brenda dy viteve. Megjithatë, marrëveshja është kritikuar nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat e konsiderojnë të pamjaftueshme përballë zhvillimit të shpejtë të teknologjisë ushtarake, transmeton klankosova.tv.
Sipas Reuters, rreth 100 shtete kishin mbështetur vendosjen e rregullave ligjërisht të detyrueshme për sistemet e armëve që mund të identifikojnë dhe sulmojnë objektiva me pak ose aspak ndërhyrje njerëzore.
Megjithatë, shtete të fuqishme në prodhimin e armëve, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Izraelin, kanë kundërshtuar këtë qasje. Si rezultat, marrëveshja e arritur nuk përcakton nëse masat e ardhshme do të jenë ligjërisht të detyrueshme.
Shtetet anëtare të Konventës për Armë të Caktuara Konvencionale janë takuar në Gjenevë që nga e hëna, në një kohë kur shqetësimet për përdorimin e armëve autonome vdekjeprurëse po rriten, veçanërisht në konfliktet në Ukrainë, Sudan dhe Lindjen e Mesme.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Papa dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq kanë bërë thirrje për vendosjen e rregullave të forta dhe ligjërisht të detyrueshme për këtë kategori armësh.
Kryesuesi zviceran i takimit, Julien Thoeni, e cilësoi marrëveshjen si një arritje të rëndësishme për çarmatimin humanitar, pas më shumë se dhjetë vjetësh negociatash.
“Ky rezultat tregon se edhe në botën e sotme thellësisht të ndarë, diplomacia shumëpalëshe ende mund të sjellë rezultate konkrete”, deklaroi ai.





