Kuvendi i Kosovës do të ketë një ditë të ngjeshur me aktivitete parlamentare, pasi shtatë komisione do të mbajnë mbledhje për çështje të ndryshme institucionale.

Në fokus të diskutimeve do të jetë edhe hetimi parlamentar për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, përzgjedhja e kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, si dhe mbikëqyrja e financave publike dhe çështjet e sigurisë.
Aktivitetet parlamentare nisin në orën 08:30, me mbledhjen e Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili do të shqyrtojë veprimet dhe mosveprimet institucionale që lidhen me vrasjen e Arlinda Zekajt. Mbledhja do të mbahet në sallën N-10.
Në orën 09:30, Komisioni i Posaçëm për Shqyrtimin e Kandidatëve për Emërim në Gjykatën Kushtetuese do të organizojë testimin me shkrim të kandidatëve për gjyqtarë të kësaj gjykate. Testimi do të zhvillohet në sallën N-506.
Ndërkaq, në orën 10:00, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike do të shqyrtojë Raportin e Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” për vitin 2025. Në mbledhje janë ftuar kryeshefi ekzekutiv dhe kryesuesi i bordit të kompanisë.
Tri mbledhje të tjera janë paraparë të mbahen në orën 11:00.
Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes do të zhvillojë takim me gjeneral brigade Thomas Schulte-Borghoff, drejtor i NALT-it në Kosovë.
Në të njëjtën orë, Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë do të presë në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Po ashtu, Komisioni për Buxhet do të shqyrtojë raportin vjetor financiar të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2025.
Aktiviteti i fundit parlamentar për sot është paraparë të mbahet në orën 13:00, kur Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione do të diskutojë për formimin e Panelit Përzgjedhës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





