​“Shëndetësia duket ndryshe nga karrigia e pacientit”, Haxhiu me mesazh për institucionet

​“Shëndetësia duket ndryshe nga karrigia e pacientit”, Haxhiu me mesazh për institucionet

​“Shëndetësia duket ndryshe nga karrigia e pacientit”, Haxhiu me mesazh për institucionet

Ankesat e pacientëve duhet të trajtohen me seriozitet dhe jo vetëm të regjistrohen, ka thënë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në Konferencën e parë Ndërkombëtare për Cilësinë e Shërbimeve Shëndetësore, të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Sponsor 3M Express

Haxhiu ka theksuar se cilësia e shërbimeve shëndetësore nuk duhet të trajtohet vetëm si standard institucional, por si përgjegjësi ndaj pacientëve, të cilët presin ndihmë në kohën e duhur dhe trajtim me profesionalizëm e dinjitet.

“Shëndetësia duket ndryshe kur flasim për të nga pozita e një institucioni dhe krejt ndryshe kur na duhet të ulemi vetë në karrigen e pacientit. Nga institucionet flasim për buxhete, për kapacitete, për reforma, për strategji dhe tregues të performancës, kurse për njeriun që pret një diagnozë që shoqëron një fëmijë të sëmurë apo që përballet me pasigurinë e një trajtimi shëndetësia ka kuptim më të drejtpërdrejtë.

Pacienti dëshiron të dijë nëse do të marrë ndihmën që i nevojitet, në kohën kur i nevojitet, nëse dikush do ta dëgjojë, do t’ia shpjegojë gjendjen dhe do të kujdeset për të me profesionalizëm e me dinjitet. Dhe pikërisht këtu, në këtë marrëdhënie ndërmjet njeriut dhe institucionit, fillon kuptimi i vërtetë i cilësisë. Tema e konferencës “Investojmë në cilësi, ndërtojmë besim” na fton të mendojmë për një marrëdhënie thelbësore për çdo sistem shëndetësor. Për besimin që është esencial. Pacienti beson profesionistit shëndetësor trupin e vet, shëndetin e vet, madje edhe vetë jetën. Andaj cilësinë nuk duhet ta trajtojmë si një standard që duhet përmbushur vetëm gjatë vlerësimeve institucionale”, tha Haxhiu, raporton kp.

Haxhiu ka vlerësuar se pabarazia në qasjen ndaj kujdesit shëndetësor bëhet veçanërisht e rëndë kur rezulton me diagnoza të vonuara dhe mundësi të humbura për trajtim.

Ajo ka përmendur edhe Strategjinë Sektoriale të Shëndetësisë 2025-2030, duke theksuar se Kuvendi do të mbikëqyrë zbatimin e objektivave të saj për përmirësimin e cilësisë, sigurisë dhe qasjes në shërbime shëndetësore.

“Sistemi ynë shëndetësor u zhvillua në rrethana jo të lehta, me një histori të veçantë sakrifice dhe përkushtimi profesional. Shumë prej mjekëve dhe infermierëve tanë e kanë ushtruar profesionin edhe në kohën kur shqiptarëve u mohohej e drejta për të punuar në institucionet publike…Pabarazia në qasjen ndaj kujdesit shëndetësor bëhet veçanërisht e rëndë kur përkthehet në dhimbje, në diagnoza të vonuara apo në mundësi të humbura për trajtim…

Ankesat e pacientëve duhet të merren seriozisht, konsideroj që nuk mjafton vetëm që ato të regjistrohen…Strategjia sektoriale e shëndetësisë 2025-2030 përcakton synime të rëndësishme për përmirësimin e cilësisë, sigurisë dhe qasjes në shërbime. Për Kuvendin, mbikëqyrja e zbatimit të këtyre synimeve do të jetë pjesë e punës së vazhdueshme… Nuk kemi çfarë të mësojmë nga në fakt ne kemi se çfarë të mësojmë nga përvojat e vendeve të tjera, ashtu siç kemi profesionistë dhe përvojat tona që mund t’i ndajmë me vende të tjera dhe me përfaqësuesit shëndetësorë nga vende të tjera”, shtoi Haxhiu.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se përmirësimi i cilësisë kërkon mobilizim dhe punë të përditshme nga të gjithë akterët e sistemit shëndetësor.

Ai ka theksuar se konferenca trajton çështje të rëndësishme, përfshirë sigurinë e pacientit, auditimet klinike, protokollet mjekësore, përdorimin racional të barnave dhe inovacionin teknologjik.

“Programi i sotëm bashkon shumë aspekte të kujdesit shëndetësor, qeverisjen dhe menaxhimin e institucioneve, sigurinë e pacientit. Mbi të gjitha, auditet klinike, udhërrëfyeset dhe protokollet, përdorimin racional të barnave, inovacionin teknologjik dhe përvojën e pacientit. Të gjitha lidhen me një synim të përbashkët, kujdes më të sigurt, më cilësor dhe më afër nevojave të qytetarëve tanë. Standardet dhe politikat shëndetësore marrin vlerë për qytetarin kur përkthehen në shërbim më të mirë në diagnozë në kohë dhe në trajtim të sigurt.

Matja e cilësisë dhe analiza e rezultateve na tregojnë praktikat që funksionojnë dhe fushat ku mund të përmirësohemi. Sistemi informativ shëndetësor, për të cilin tashmë ka filluar puna nga grupet përkatëse, natyrisht se ndihmon shumë në këtë proces, sepse digjitalizimi në mes të tjerash lehtëson komunikimin, koordinimin, por edhe vendimmarrjen. Qoftë në diagnostikim korrekt dhe të shpejtë, qoftë në monitorim dhe performancë si faktor kyç në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore… Është sfidë, mos them, sfidë shumë e madhe, por bashkë për faktin që është sfidë, neve na duhet edhe mobilizim, edhe punë e përditshme”, tha Vitia.

Në konferencë ka folur edhe përfaqësuesi i projektit AQH, Bajram Maxhuni, i cili ka thënë se qasja në shërbime shëndetësore nuk është e mjaftueshme nëse qytetarët nuk kanë besim në sigurinë dhe efektivitetin e tyre.

“Bashkimi i ekspertizës vendore dhe ndërkombëtare politikbërësve, menaxherëve dhe profesionistëve shëndetësorë rreth temës së cilësisë në shëndetësi përbën një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të sektorit shëndetësor në Kosovë. Tanimë është e njohur botërisht se cilësia e shërbimeve shëndetësore ndikon drejtpërdrejt në jetën e njerëzve, mirëqenien dhe besimin e tyre në institucionet shëndetësore, qoftë publike, apo ato private.

Ne besojmë se qasja në shërbimet shëndetësore është thelbësore, por vetëm qasja nuk është e mjaftueshme. Qytetarët gjithashtu duhet të kenë besim se mund të mbështeten në shërbimet shëndetësore që janë të sigurta, efektive, në kohë të barabarta dhe të përqendruara në nevojat e tyre…Është e rëndësishme të theksohet se kjo punë nuk është kufizuar vetëm në zhvillimin e kornizave, procedurave dhe standardeve. Ajo ka synuar gjithashtu kultivimin e një kulture në të cilën cilësia bëhet përgjegjësi e të gjithëve”, tha ai.

Ndërsa, Hajrullah Fejza nga Ministria e Shëndetësisë ka theksuar se cilësia dhe siguria janë përcaktuar si prioritete strategjike në Strategjinë Sektoriale të Shëndetësisë 2025-2030.

“Motja e kësaj konference, investojmë cilësinë, ndërtojmë besim, e përmbledh shumë mirë filozofinë mbi të cilën duhet të ndërtojmë sistemin tonë shëndetësor. Cilësia nuk është vetëm një standard teknik. Në një dokument administrativ ose një kërkesë ligjore, është përgjegjësi institucionale, profesionale dhe njerëzore. Vitet e fundit, Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë një sërë hapash të rëndësishëm për të vendosur cilësinë dhe sigurinë në qendër të politikave shëndetësore. Një nga zhvillimet më të rëndësishme është përcaktimi i cilësisë dhe sigurisë si prioritet strategjik në strategjinë sektoriale të shëndetësisë 2025-2030”, tha ai. /kp/

Lexo edhe

Sveçla e pranon mungesën e uniformave, arsyetohet me rritjen e numrit të policëve

Sveçla e pranon mungesën e uniformave, arsyetohet me rritjen e numrit të policëve

Dogana bllokon mbi 2,1 ton produkte ushqimore dhe lodra për fëmijë në Tiranë

Dogana bllokon mbi 2,1 ton produkte ushqimore dhe lodra për fëmijë në Tiranë

Telefoni që dikur konsiderohej i pariparueshëm, sot mund të ketë një shans të dytë – ZONE Mobile ngrit nivelin e Servisimit në Kosovë!

Telefoni që dikur konsiderohej i pariparueshëm, sot mund të ketë një shans të dytë – ZONE Mobile ngrit nivelin e Servisimit në Kosovë!