Për më shumë se gjashtë dekada, Shtetet e Bashkuara kanë ndjekur një politikë të heshtjes lidhur me arsenalin bërthamor të Izraelit, duke shmangur konfirmimin publik se aleati i tyre në Lindjen e Mesme posedon armë të tilla.

Megjithatë, kjo qasje po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje, në një kohë kur lufta me Iranin ka rikthyer vëmendjen te rreziku i përhapjes së armëve bërthamore në rajon.
Izraeli asnjëherë nuk e ka pranuar zyrtarisht se posedon armë bërthamore, por as nuk e ka mohuar këtë. Kjo politikë njihet si “paqartësia bërthamore” dhe i ka mundësuar vendit të ruajë një arsenal të tillë, pa u përballur me presionin ndërkombëtar që do të sillte një konfirmim publik.
Megjithatë, vlerësimet ndërkombëtare sugjerojnë se Izraeli mund të ketë rreth 90 koka bërthamore. Qendra e programit të tij bërthamor besohet të jetë objekti i Dimonës, në shkretëtirën e Negevit, i cili për dekada është mbajtur larg vëmendjes publike.
Politika amerikane e heshtjes daton që nga vitet 1960, kur zyrtarët në Uashington kishin arritur në përfundimin se Izraeli po zhvillonte armë bërthamore. Në vend që të përpiqej ta ndalte programin, administrata amerikane zgjodhi të shmangte konfrontimin me aleatin e saj dhe të mos e konfirmonte publikisht ekzistencën e arsenalit.
Kjo qasje është vënë sërish në diskutim në Kongresin amerikan. Në një seancë dëgjimore në qershor, ligjvënësi Joaquin Castro e pyeti sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, nëse Izraeli posedon armë bërthamore, shkruan cnn.
Rubio nuk dha një konfirmim zyrtar, por pranoi se, sipas vlerësimeve të shumicës së vendeve, Izraeli i posedon ato. Ai theksoi se vetë Izraeli nuk e ka pranuar publikisht këtë fakt dhe se Uashingtoni nuk e trajton si një të dhënë të konfirmuar.
Castro paralajmëroi se kjo politikë po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme, veçanërisht në kushtet kur SHBA-ja është e përfshirë në luftë përkrah Izraelit. Sipas tij, opinioni publik nuk ka një pasqyrë të qartë për vijat e kuqe të Izraelit sa i përket përdorimit të mundshëm të armëve bërthamore dhe reagimit të tij në rast se objektet bërthamore izraelite sulmohen.
Çështja lidhet edhe me ambiciet bërthamore të Iranit dhe mundësinë që shtetet e tjera të rajonit të ndjekin të njëjtën rrugë. Arabia Saudite ka paralajmëruar më herët se do të zhvillonte armë bërthamore nëse një gjë të tillë do ta siguronte Irani.
Një marrëveshje e mundshme bërthamore mes Uashingtonit dhe Riadit, e cila mund t’i hapte Arabisë Saudite rrugën për pasurimin e uraniumit, po shton shqetësimet për një garë të re armatimi në Lindjen e Mesme.
Kështu, lufta me Iranin dhe debati në Kongresin amerikan po e vënë në sprovë një politikë që ka mbijetuar për dekada. Nëse Uashingtoni do të vazhdojë të shmangë konfirmimin publik të arsenalit izraelit, apo do të detyrohet të ndryshojë qëndrim, mbetet e paqartë. /Telegrafi/




