Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Venezuela kanë nënshkruar një marrëveshje për rivendosjen e bashkëpunimit ushtarak, e cila parasheh trajnime të përbashkëta, shkëmbim të informacioneve të inteligjencës dhe bashkëpunim në fushën e pajisjeve dhe kapaciteteve mbrojtëse.

Marrëveshja u bë e ditur të mërkurën nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë vizitës së tij në Karakas, ku u takua me udhëheqësit e përkohshëm të Venezuelës, raporton agjencia e lajmeve “AP”.
Gjatë një fjalimi para diplomatëve dhe zyrtarëve ushtarakë të të dyja vendeve, Hegseth iu referua edhe operacionit të janarit, gjatë të cilit forcat amerikane kapën presidentin e atëhershëm të Venezuelës, Nicolas Maduro.
Ai deklaroi se Venezuela ka kaluar nga një kërcënim për Shtetet e Bashkuara në një partnere të sigurisë në rajon.
“ka kaluar nga kërcënimi ynë më agresiv rajonal në një partnere të bindur të sigurisë”, tha Hegseth.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes vlerësoi gjithashtu “bashkëpunimin e ngushtë” me presidenten në detyrë të Venezuelës, Delcy Rodriguez, për të cilin tha se u mundësoi zyrtarëve “ta stabilizonin Venezuelën dhe ta çlironin atë njëherë e përgjithmonë nga narkoterroristët”, duke iu referuar trafikantëve të drogës.
Vizita e Hegsethit, e cila vjen pas një vargu vizitash të anëtarëve të kabinetit të presidentit Donald Trump në Venezuelë, dëshmon përpjekjet e administratës amerikane për ta zgjeruar ndikimin e saj në këtë vend të Amerikës së Jugut.
Në gusht, Trump kishte deklaruar se Hegseth kishte ndihmuar në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përmes së cilës SHBA-ja do të merrte kontrollin mbi një pjesë të rezervave të naftës së Venezuelës.
Kësaj marrëveshjeje iu referua edhe Hegseth gjatë vizitës, duke e lidhur atë me përfitimet strategjike në fushën e energjisë, në një kohë kur lufta me Iranin ka ndërprerë furnizimet globale përmes Ngushticës së Hormuzit, duke ndikuar në rritjen e çmimeve të karburanteve.
Marrëveshja për naftën me Venezuelën “e bën Ngushticën e Hormuzit të parëndësishme për Hemisferën Perëndimore”, tha Hegseth në Ambasadën e SHBA-së në Karakas.
Ndërkaq, gjatë takimit me sekretarin amerikan, Rodriguez deklaroi se marrëveshja krijon mundësi për zhvillimin e sektorit energjetik të të dyja vendeve.
Ajo tha se kjo marrëveshje mundëson “zhvillimin energjetik të vendeve tona” dhe “u sjell përfitime si popullit të Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe popullit të Venezuelës”.
Sa i përket marrëveshjes ushtarake, Hegseth nuk dha shumë detaje konkrete, por bëri të ditur se bashkëpunimi do të përfshijë disa fusha të sigurisë dhe mbrojtjes.
Sipas tij, ushtritë e të dyja vendeve do të “stërviten së bashku, do të bashkëpunojnë, do të shkëmbejnë informacione të inteligjencës dhe do të bashkëpunojnë për pajisje dhe kapacitete të tjera mbrojtëse”.
Në një deklaratë të veçantë, Rodriguez shprehu shpresën që bashkëpunimi ushtarak mes dy vendeve “të arrijë nivelin më të lartë të mundshëm”, në mënyrë që ato të mund të “përballen me kërcënimet e përbashkëta”.
Hegseth deklaroi se Venezuela po bashkëpunon me Uashingtonin “për ta rimarrë kontrollin e territorit të saj nga rrjetet narkoterroriste”. Megjithatë, Pentagoni nuk publikoi detaje të tjera lidhur me përmbajtjen e partneritetit të ri.
Ky zhvillim vjen në kuadër të shtimit të angazhimit ushtarak amerikan në Amerikën Latine, që prej rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti amerikan ka premtuar se do t’i kushtojë më shumë vëmendje Hemisferës Perëndimore dhe luftës kundër karteleve të drogës në rajon.
Në kuadër të kësaj strategjie, forcat amerikane kanë ndërmarrë sulme ndaj anijeve në Detin e Karaibeve dhe në pjesën lindore të Oqeanit Paqësor, të cilat administrata Trump i akuzon për kontrabandë të narkotikëve.
Sipas raportimit, të paktën 240 persona janë vrarë që nga shtatori i vitit 2025, kur administrata amerikane nisi operacionet kundër atyre që i cilëson si “narkoterroristë”. Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë publikuar pak dëshmi për të mbështetur pretendimet se anijet e goditura transportonin drogë apo se këto operacione kanë ndikuar në uljen e sasisë së narkotikëve në SHBA.
Gjatë fjalimit të tij, Hegseth e lavdëroi edhe një herë operacionin për kapjen e Maduros, të cilin e cilësoi si “operacionin e vetëm ushtarak më të sofistikuar në historinë e Amerikës Latine”, duke pretenduar se ai “zgjati vetëm 48 minuta”.
“Luftëtarët më të mirë dhe më trima të Amerikës i dhanë zgjidhje një problemi 27-vjeçar për këtë hemisferë brenda pak orësh”, shtoi ai.
Pavarësisht arrestimit të Maduros, partia në pushtet, e cila qeveris Venezuelën që nga viti 1999, vazhdon të jetë në krye të vendit, tashmë nën udhëheqjen e Rodriguezin.
Në fund, Hegseth përdori edhe një nga shprehjet e tij të njohura nga viti i kaluar, duke iu referuar deklaratës së mëparshme të Maduros. Ai tha se operacioni përfundoi me “jo luftë, por paqe”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





