Zyrtarët amerikanë kanë ngritur aktakuzë ndaj një shtetasi irlandez, të cilin e akuzojnë për shkatërrimin e një avioni ushtarak amerikan, me vlerë prej 60 milionë dollarësh, pasi dyshohet se kishte hyrë pa autorizim në pistën e një aeroporti në Irlandë.
Sipas BBC, Daithi O’Corrain akuzohet për kryerjen e një hulumtimi të thelluar dhe përdorimin e kimikateve, si dhe të një sëpate, për dëmtimin e mjetit ajror “US Air National Guard C-130 Hercules”, i cili ishte i parkuar në aeroportin e Shannonit, në Irlandë, transmeton Klankosova.tv.

Pretendohet se O’Corrain realizoi një plan të organizuar kundër forcave ajrore ushtarake të ShBA-së, duke shkaktuar dëme në vlerë prej dhjetëra miliona dollarësh.
Prokurorët amerikanë e akuzuan atë për shkatërrimin e pronës shtetërore, vepër penale që dënohet me deri në dhjetë vjet burgim.





