Prokuroria Speciale pretendon se pesë biznesmenët Shala, Limaj, Berisha dhe Elezaj, në bashkëpunim me zyrtarë të MAShT-it, ishin përfshirë në një skemë të keqpërdorimit të tenderëve milionësh për pajisjen e shkollave. Aktakuza përshkruan dokumente të dyshuara si të falsifikuara, kritere të plotësuara përmes të dhënave që nuk pasqyronin gjendjen reale dhe produkte të kontraktuara me çmime deri në 1 mijë e 900 për qind më të larta se ato të tregut. Në dosje pretendohet gjithashtu se pajisje nga Kina dhe Turqia janë pranuar në kundërshtim me kushtet e kontratave, të cilat kërkonin produkte me origjinë nga Bashkimi Evropian. Prokuroria përfshin edhe pagesën shtesë prej 445 mijë eurosh në emër të inflacionit, për të cilën pretendon se nuk kishte bazë në kontrata. Të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm, ndërsa gjykata ka veçuar procedurën ndaj Mërgim Limajt dhe çështja vazhdon të jetë në shqyrtim gjyqësor.

Visar Duriqi
Pesë biznesmenë dhe tri kompani janë përfshirë në aktakuzën e Prokurorisë Speciale për tenderët e pajisjeve shkollore në MAShT. Sipas dosjes, dyshohet se dokumente të pasakta janë përdorur për të plotësuar kriteret e tenderëve, se produktet janë kontraktuar me çmime deri në 1 mijë e 557 për qind më të larta se ato të tregut dhe se pajisje nga Kina e Turqia janë pranuar në vend të atyre që kontrata i kërkonte nga Bashkimi Evropian.
Në dosje përmenden edhe dy inxhinierë që kanë mohuar se kanë qenë të punësuar në njërën prej kompanive, si dhe një kompani që, sipas Prokurorisë, kishte dorëzuar dokumente tatimore të një biznesi tjetër. Ndërsa për vitin 2024, aktakuza përshkruan edhe një pagesë shtesë prej 445 mijë eurosh në emër të kompensimit për inflacionin. Të akuzuarit i kanë kundërshtuar pretendimet në fazën hetimore, ndërsa në seancën fillestare janë deklaruar të pafajshëm.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 30 dhjetor 2025, ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave fizikë dhe tri kompanive, lidhur me disa procedura të prokurimit publik në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Në mesin e të akuzuarve janë pesë biznesmenë: Agron Shemsi Shala, Mërgim Limaj, Dashmir Limaj, Ardian Berisha dhe Isah Elezaj. Përveç tyre, në aktakuzë janë përfshirë edhe shtatë zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, si dhe tri subjekte juridike: “A & F Projekt” Sh.P.K., Fabrika e Mobileve “Standard” Sh.P.K. dhe “Shkëmbi-Gllarevë” Sh.P.K.
Prokuroria i ngarkon biznesmenët me veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, ndërsa Dashmir Limajn edhe me “Falsifikim të dokumenteve”. Në anën tjetër, zyrtarët e Ministrisë akuzohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Dosja përfshin disa periudha dhe aktivitete të prokurimit. Në qendër janë tenderët për furnizimin e shkollave me pako pajisjesh për fusha lëndore dhe mirëmbajtje, dokumentacioni i kompanive pjesëmarrëse, çmimet e produkteve, origjina e tyre dhe pagesat e realizuara nga Ministria.
Ditë më parë Insajderi raportoi që në lidhje me këto zhvillime, por jo vetëm, Ministria e Arsimit ka pezulluar nga puna shtatë zyrtarë.
Pesë zyrtarët ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale për rastin e tenderëve të MAShT-it janë Fadile Kokaj-Dyla, Xhemajl Buzuku, Fehmi Zylfiu, Naim Demiri e Arberita Mehmetaj
Dy zyrtaret ndaj të cilave është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, në një rast tjetër janë Bukurije Borovci dhe Nerxhivane Sejdiu.
Dokumentet e inxhinierëve – dy persona mohojnë se kanë qenë të punësuar në kompani
Njëra prej pikave të aktakuzës lidhet me dokumentacionin e dorëzuar në prill të vitit 2019, kur konsorciumi i përbërë nga “A & F Projekt” Sh.P.K., N.N.P. “Standard Plus”, Fabrika e Mobileve “Standard” Sh.P.K. dhe “Shkëmbi-Gllarevë” Sh.P.K. kishte aplikuar në aktivitetin e prokurimit me titull “Blerja e Pakove të Pajisjeve të Nevojshme për Fusha Lëndore dhe Mirëmbajtje”.
Sipas Prokurorisë, për plotësimin e kritereve të dosjes së tenderit ishin paraqitur dokumente që krijonin përshtypjen se Anita Kabashi dhe Adnan Mustafa ishin pjesë e stafit profesional të N.N.P. “Standard Plus”.
Aktakuza përmend kontrata mbi vepër të datës 26 prill 2019 dhe letra reference të datës 18 prill 2019. Përmes tyre, sipas Prokurorisë, ishte pretenduar se dy inxhinierët ishin të angazhuar në këtë biznes.
Por, sipas aktakuzës, të dy inxhinierët kanë mohuar se kanë qenë ndonjëherë të punësuar apo të angazhuar në kuadër të këtij biznesi. Prokuroria pretendon se dokumentet janë përdorur për të krijuar përshtypjen se konsorciumi i plotësonte kushtet teknike dhe profesionale të tenderit.
Kjo pjesë e dosjes lidhet edhe me përgjegjësinë e biznesmenëve që përfaqësonin kompanitë në konsorcium. Prokuroria pretendon se dokumentacioni i paraqitur ishte pjesë e një veprimi të koordinuar për të siguruar kontratën publike.
Në të njëjtën procedurë, aktakuza përmend edhe dokumentacionin tatimor të kompanisë Fabrika e Mobileve “Standard”. Sipas Prokurorisë, për të dëshmuar përmbushjen e kushteve të pjesëmarrjes ishte dorëzuar një vërtetim tatimor në emër të një subjekti tjetër me emër të ngjashëm, N.P. “Fabrika e Mobileve Standard”, i cili nuk ishte pjesë e konsorciumit dhe nuk kishte detyrimet tatimore të kompanisë pjesëmarrëse.
Prokuroria pretendon se përmes këtyre veprimeve ishte krijuar një paraqitje e pasaktë e gjendjes së kompanive dhe e përmbushjes së kritereve të tenderit.
Agron Shala – kompania “A & F Projekt” në qendër të konsorciumit
Agron Shemsi Shala, pronar dhe përfaqësues i biznesit “A & F Projekt” Sh.P.K., është njëri prej pesë biznesmenëve të përfshirë në aktakuzë.
Sipas dosjes së Prokurorisë, kompania e tij ishte pjesë e konsorciumit që kishte aplikuar në tenderin për furnizimin e shkollave me pajisje për fusha lëndore dhe mirëmbajtje. Në këtë bashkëpunim ishin përfshirë edhe Fabrika e Mobileve “Standard”, N.N.P. “Standard Plus” dhe “Shkëmbi-Gllarevë”.
Prokuroria pretendon se në procedurën e vitit 2019 ishin përdorur dokumente që nuk pasqyronin gjendjen reale të stafit profesional të kompanive, përfshirë dokumentet që lidhen me dy inxhinierët Anita Kabashi dhe Adnan Mustafa.
Në aktakuzë përshkruhet se, përmes këtyre veprimeve, konsorciumi kishte siguruar kontratën me Autoritetin Kontraktues – MAShT, me vlerë fillestare prej 1,416,400 eurosh, së cilës i ishte shtuar edhe 30 për qind, duke arritur në totalin prej 1,824,970 eurosh.
Prokuroria pretendon se kjo ishte bërë në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik dhe se kompanitë kishin përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga kontrata.
Shala është pyetur edhe për pretendimet që lidhen me origjinën e produkteve. Sipas deklarimit të tij në Prokurori, mallrat e dorëzuara kishin qenë nga vendet e Bashkimit Evropian, por gjatë pandemisë, për shkak të kufizimeve në transport, kompania ishte detyruar të hulumtonte tregje të tjera dhe të importonte edhe nga Turqia, me qëllim që të mos ndërpritej zbatimi i kontratës.
Për pretendimet lidhur me dokumentacionin e kompanive të tjera në konsorcium, Shala ka deklaruar se për “A & F Projekt” ishin kujdesur vetë që t’i dorëzonin dokumentet dhe se nuk kishte qenë në dijeni për parregullsitë e pretenduara në dokumentacionin e subjekteve të tjera.
Ai ka kundërshtuar edhe pretendimet për çmimet e produkteve. Sipas deklarimit të tij, çmimet ishin vendosur duke u bazuar në çmimet e tregut dhe kompania kishte të drejtë të përcaktonte lartësinë e tyre.
Ndërkaq, në lidhje me origjinën e mallrave, Shala ka thënë se importimi nga Turqia ishte bërë për shkak të vështirësive të transportit gjatë pandemisë dhe për të mos rrezikuar ndërprerjen e kontratës.
Prokuroria, megjithatë, pretendon se kontrata kërkonte produkte me origjinë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe se pranimi i produkteve nga Turqia dhe Kina ishte në kundërshtim me kushtet e saj.
Mërgim Limaj – dokumentet për konsorciumin dhe pretendimet për kompanitë “Standard”
Mërgim Limaj, i cili në aktakuzë identifikohet si drejtor i kompanisë Fabrika e Mobileve “Standard” Sh.P.K., është një tjetër biznesmen i përfshirë në këtë rast.
Në deklarimin e tij në Prokurori, Limaj ka folur për ekzistencën e disa bizneseve familjare që mbanin emrin “Standard”, por që dallonin përmes parashtesave të emrave të tyre.
Ai ka deklaruar se pronari i “A & F Projekt” i kishte kërkuar ndihmë për sigurimin e disa dokumenteve që do të shërbenin për plotësimin e kritereve të tenderit. Sipas Limajt, ai ia kishte siguruar këto dokumente, por ka mohuar se kishte përfituar nga kontratat e Ministrisë së Arsimit.
Kjo deklaratë është e rëndësishme për pretendimet e Prokurorisë, pasi aktakuza përshkruan mënyrën se si dokumentet e disa kompanive ishin përdorur për të dëshmuar përmbushjen e kritereve të tenderit nga konsorciumi.
Prokuroria pretendon se dokumentet e paraqitura për stafin profesional nuk pasqyronin gjendjen reale, pasi dy inxhinierët e përmendur në to kanë mohuar se kishin qenë të angazhuar në N.N.P. “Standard Plus”.
Limaj, sipas deklarimit të raportuar në fazën hetimore, ka thënë se dokumentet i kishte siguruar me kërkesë të pronarit të “A & F Projekt” dhe se nuk kishte marrë përfitim nga kontratat e MAShT-it.
Në aktakuzë, Mërgim Limaj përfshihet edhe në pretendimet që lidhen me kontratat e furnizimit, çmimet e produkteve dhe origjinën e tyre. Prokuroria e përshkruan atë si një nga personat që, në bashkëpunim me biznesmenët e tjerë, dyshohet se kishte vepruar në kundërshtim me obligimet kontraktuale.
Dashmir Limaj – akuzohet edhe për falsifikim të dokumenteve
Dashmir Limaj është pronar i N.N.P. “Standard Plus”, ndërsa në aktakuzë përmendet edhe në lidhje me Fabrikën e Mobileve “Standard”.
Për dallim nga biznesmenët e tjerë, ndaj tij Prokuroria ka ngritur edhe pretendimin për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Sipas aktakuzës, në procedurën e tenderimit të vitit 2019 janë paraqitur dokumente që pretendonin se inxhinierët Anita Kabashi dhe Adnan Mustafa ishin pjesë e stafit profesional të N.N.P. “Standard Plus”.
Prokuroria pretendon se këto dokumente nuk pasqyronin gjendjen reale dhe se janë përdorur për të plotësuar kriteret e tenderit. Të dy inxhinierët, sipas dosjes, kanë mohuar se kanë qenë të punësuar apo të angazhuar në këtë biznes.
Në deklarimin e tij në Prokurori, Dashmir Limaj ka thënë se e kishte autorizuar djalin e axhës që t’i ndërmerrte veprimet për kompaninë, përfshirë edhe nënshkrimet e kontratave. Sipas tij, autorizimi ishte dhënë në vitin 2017 dhe që nga ajo kohë ai nuk ishte marrë me punët e kompanisë.
Limaj ka deklaruar se nuk kishte pasur njohuri për kontratat me MAShT-in, të cilat ishin marrë nga konsorciumi ku bënin pjesë “A & F Projekt”, “Shkëmbi-Gllarevë” dhe Fabrika e Mobileve “Standard”.
Prokuroria, megjithatë, thekson në aktakuzë se autorizimi për të cilin ka folur Limaj nuk ishte dorëzuar si provë gjatë procedurës.
Një tjetër pretendim i Prokurorisë lidhet me gjendjen tatimore të kompanisë. Sipas aktakuzës, për plotësimin e kushteve të tenderit ishte dorëzuar një vërtetim tatimor në emër të një subjekti tjetër me emër të ngjashëm, e jo në emër të kompanisë që ishte pjesë e konsorciumit.
Këto rrethana janë pjesë e pretendimeve të Prokurorisë për dokumentacionin e përdorur gjatë aplikimit në tender, ndërsa përgjegjësia penale e Dashmir Limajt do të vlerësohet nga gjykata gjatë procedurës.
Ardian Berisha – “Shkëmbi-Gllarevë” dhe pajisjet e makineritë për konsorciumin
Ardian Berisha është pronar i kompanisë “Shkëmbi-Gllarevë” Sh.P.K., e cila gjithashtu është përfshirë si person juridik në aktakuzë.
Prokuroria pretendon se kompania ishte pjesë e konsorciumit që kishte marrë kontratën për furnizimin e shkollave me pajisje për fusha lëndore dhe mirëmbajtje.
Në deklarimin e tij në Prokurori, Berisha ka thënë se nuk i njihte pronarët e kompanive të tjera të përfshira në konsorcium dhe se për herë të parë kishte dëgjuar për titullin e tenderit kur ishte ftuar për intervistim në Prokurori.
Në anën tjetër, përfaqësuesi ligjor i kompanisë “Shkëmbi-Gllarevë”, Gëzon Berisha, ka deklaruar se pas një kërkese nga Azem Limaj kishte ofruar makineri, bager dhe kamionë për ta mbështetur konsorciumin.
Sipas deklarimit të tij, këto pajisje ishin ofruar në kushte normale dhe pa dijeninë se mund të kishte parregullsi në procesin e tenderimit. Ai ka thënë se nuk kishte pasur njohuri se kompania po ndihmonte konsorciumin për plotësimin e kritereve, ndonëse nuk do të kryente punë si kompani në kuadër të kontratës.
Përfaqësuesi i kompanisë ka deklaruar se në fillimet e tij nuk e njihte mirë ligjin dhe se mund të ishte manipuluar nga mungesa e njohurive.
Prokuroria, ndërkaq, pretendon se “Shkëmbi-Gllarevë” ishte përfshirë në konsorcium dhe se dokumentacioni i saj ishte përdorur për të plotësuar kushtet e tenderit. Kompania është përfshirë në aktakuzë si person juridik, ndërsa Ardian Berisha është njëri nga personat fizikë të akuzuar në këtë çështje.
Isah Elezaj – aplikimi me një biznes që, sipas Prokurorisë, ishte shuar
Isah Elezaj është biznesmeni i pestë i përfshirë në aktakuzë. Ai përmendet në një pikë të veçantë të dosjes, që lidhet me aplikimin në aktivitetin e prokurimit të MAShT-it në prill të vitit 2019.
Sipas aktakuzës, Elezaj, në cilësinë e pronarit të biznesit individual N.N.SH. “P & I”, kishte paraqitur dokumentacion për të marrë pjesë në tenderin “Blerja e Pakove të Pajisjeve të Nevojshme për Fusha Lëndore dhe Mirëmbajtje”.
Prokuroria pretendon se dokumentet e dorëzuara nuk pasqyronin gjendjen reale të biznesit, pasi subjekti N.N.SH. “P & I” ishte shuar më 28 mars 2019, rreth një muaj para aplikimit në tender.
Sipas aktakuzës, pavarësisht kësaj, Elezaj kishte paraqitur dokumentacionin e nevojshëm për aplikim në emër të këtij biznesi, duke krijuar përshtypjen se ai vazhdonte të ishte aktiv dhe i plotësonte kushtet për pjesëmarrje.
Në deklarimin e tij në Prokurori, Elezaj ka dhënë një shpjegim tjetër për statusin e kompanisë. Sipas tij, subjekti individual nuk ishte shuar, por kishte vazhduar veprimtarinë përmes subjektit me përgjegjësi të kufizuar.
Prokuroria e ka përfshirë këtë rrethanë në aktakuzë si pretendim për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.
Çmimet deri në 1 mijë e 557 për qind mbi tregun
Përveç dokumentacionit të kompanive, një pjesë e rëndësishme e aktakuzës lidhet me çmimet e produkteve të kontraktuara nga Ministria e Arsimit.
Sipas Prokurorisë, në aktivitetin e prokurimit të vitit 2019 nuk ishin përgatitur specifikime teknike mjaftueshëm të qarta për artikujt e përfshirë në paramasë dhe parallogari. Kjo, sipas aktakuzës, kishte reduktuar konkurrencën dhe kishte mundësuar kontraktimin e produkteve me çmime shumë më të larta se ato të tregut.
Në dosje përmendet se disa produkte ishin kontraktuar me çmime deri në 1 mijë e 557 për qind më të larta se vlera e tyre në treg. Prokuroria pretendon se kjo kishte shkaktuar dëm financiar prej 1,555,419 eurosh vetëm nga diferenca e çmimeve.
Aktakuza përmend edhe një dëm shtesë prej 137,014 eurosh, që lidhet me tejkalimin e sasive të kontraktuara për disa produkte. Sipas Prokurorisë, për tri produkte më të shtrenjta ishte tejkaluar sasia e lejuar mbi 30 për qind, ndërsa për një produkt tjetër më të lirë ishte furnizuar më pak se sasia e paraparë.
Në përfundim të kësaj pike, Prokuroria e vlerëson përfitimin e kundërligjshëm dhe dëmin e pretenduar në shumën prej 1,824,970 eurosh.
Tenderi i dytë – çmime deri në 1 mijë e 900 për qind më të larta
Një tjetër pjesë e aktakuzës lidhet me aktivitetin e prokurimit të nisur në vitin 2020, me titull “Blerja e pajisjeve për mbrojtjen e objekteve arsimore për qëndrueshmëri dhe blerja e pakove për fusha lëndore dhe mirëmbajtje”.
Në këtë pikë, Prokuroria pretendon se zyrtarët e Ministrisë kishin bashkuar dy projekte të ndara në një aktivitet të vetëm prokurimi, pa pasur nevojë për një procedurë të tillë.
Sipas aktakuzës, për këtë projekt ishte paraparë një buxhet prej 2,888,000 eurosh, ndërsa gjatë përgatitjes së dosjes së tenderit nuk ishin përcaktuar qartë specifikimet teknike për artikujt e përfshirë.
Prokuroria pretendon se përmes këtyre veprimeve ishte favorizuar grupi i operatorëve ekonomikë dhe se disa produkte ishin kontraktuar me çmime deri në 1 mijë e 900 për qind më të larta se çmimet e tregut.
Dëmi i pretenduar nga kjo pjesë e procedurës është 2,148,282.35 euro.
Në këtë pikë të aktakuzës, biznesmenët Agron Shala, Mërgim Limaj dhe Dashmir Limaj përmenden në lidhje me kompanitë e tyre, ndërsa Prokuroria përshkruan edhe përfshirjen e kompanive “A & F Projekt” dhe Fabrika e Mobileve “Standard”.
Mallrat nga Kina dhe Turqia në vend të atyre nga Bashkimi Evropian
Një tjetër pretendim i rëndësishëm në aktakuzë lidhet me origjinën e pajisjeve të dorëzuara në shkolla.
Sipas kushteve të kontratave, produktet duhej të kishin origjinë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Por, Prokuroria pretendon se gjatë zbatimit të kontratave janë dorëzuar edhe produkte me origjinë nga Kina dhe Turqia.
Në këtë pjesë të aktakuzës përmenden Agron Shala, Mërgim Limaj, Dashmir Limaj dhe Ardian Berisha, në cilësinë e pronarëve ose përfaqësuesve të kompanive të përfshira në konsorcium.
Prokuroria pretendon se këta biznesmenë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vepruar në kundërshtim me obligimet kontraktuale, duke dorëzuar pajisje me mallra më të lira dhe me cilësi më të dobët se ato të kërkuara në kontratë.
Sipas aktakuzës, produktet e dorëzuara kishin origjinë nga shtete që nuk ishin pjesë e Bashkimit Evropian, ndërsa kontrata kërkonte që ato të vinin nga vendet anëtare të BE-së.
Prokuroria pretendon se përmes këtyre veprimeve është shkaktuar dëm në buxhetin e shtetit prej 3,626,243.80 eurosh.
Në deklarimin e tij në Prokurori, Agron Shala ka thënë se gjatë pandemisë, për shkak të problemeve me transportin, kompania kishte importuar edhe nga Turqia, me qëllim që të mos ndërpritej kontrata. Ai ka pretenduar se mallrat e dorëzuara kishin qenë nga vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa importimi nga Turqia ishte bërë për shkak të rrethanave të krijuara gjatë pandemisë.
Naim Demiri, njëri nga zyrtarët e akuzuar të Ministrisë, ka deklaruar në Prokurori se produktet nuk mund t’i refuzonin, pasi sipas tij, ato kishin certifikata të pranueshme.
Këto deklarime janë pjesë e mbrojtjes së të akuzuarve në fazën hetimore. Prokuroria, në anën tjetër, mbetet në pretendimin se pranimi i produkteve nga Kina dhe Turqia ishte në kundërshtim me kushtet e kontratës.
Pagesa shtesë prej 445 mijë eurosh në emër të inflacionit
Aktakuza nuk përfshin vetëm procedurat e tenderimit të viteve 2019–2021. Një pjesë tjetër lidhet me pagesat shtesë të realizuara gjatë vitit 2024 në emër të kompensimit për inflacionin.
Sipas Prokurorisë, në periudhën nga 12 shkurti deri më 29 mars 2024, disa zyrtarë të Ministrisë kishin mundësuar pagesën e 445,519.20 eurove për kompanitë që kishin përfituar kontratat e furnizimit.
Në aktakuzë thuhet se kërkesa për kompensim ishte paraqitur nga Xhemajl Buzuku, ndërsa miratimi dhe procedimi i pagesave ishin bërë nga zyrtarë të tjerë të Ministrisë.
Prokuroria pretendon se kontratat e furnizimit nuk kishin bazë ligjore për një kompensim të tillë dhe se pagesa ishte realizuar në kundërshtim me kushtet kontraktuale.
Në deklarimin e saj në Prokurori, Fadile Dyla ka thënë se kompensimi kishte vlejtur për faturat e dorëzuara nga 1 prilli 2022 deri në qershor të vitit 2023 dhe se pagesat ishin bërë duke u bazuar në një vendim të Qeverisë për kompensimin e inflacionit, deri në 20 për qind të vlerës së faturës bazë.
Sipas deklarimit të saj, menaxheri i kontratës, Naim Demiri, kishte pranuar faturat e operatorit ekonomik deri më 30 nëntor 2023 dhe i kishte proceduar ato për pagesë.
Prokuroria, megjithatë, pretendon se pagesa prej 445,519.20 eurosh është realizuar pa bazë ligjore dhe se përmes saj kompanive u është mundësuar përfitim i kundërligjshëm.
Tri kompanitë si persona juridikë në aktakuzë
Përveç pesë biznesmenëve, Prokuroria ka përfshirë në aktakuzë edhe tri kompanitë që kanë qenë pjesë e procedurave të prokurimit.
“A & F Projekt” Sh.P.K., Fabrika e Mobileve “Standard” Sh.P.K. dhe “Shkëmbi-Gllarevë” Sh.P.K. akuzohen si persona juridikë për veprat që Prokuroria pretendon se janë kryer përmes përfaqësuesve dhe personave përgjegjës të tyre.
Sipas aktakuzës, kompanitë kanë përfituar nga kontratat publike përmes dokumentacionit të paraqitur në procedurat e tenderimit, çmimeve të produkteve dhe pranimit të mallrave që, sipas Prokurorisë, nuk përputheshin me kushtet e kontratave.
Në pjesën që lidhet me dokumentet e tenderit, Prokuroria përmend edhe përgjegjësinë e kompanive për dokumentacionin e stafit profesional dhe vërtetimet tatimore të paraqitura gjatë aplikimit.
Në pjesën tjetër të aktakuzës, kompanitë përfshihen në pretendimet për furnizim me produkte nga Kina dhe Turqia, në vend të produkteve me origjinë nga Bashkimi Evropian.
Prokuroria kërkon që gjykata, pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, t’i shpallë fajtorë të pandehurit nëse vërtetohen akuzat. Ajo ka kërkuar edhe konfiskimin e pasurisë së përfituar nga veprat penale, si dhe shqiptimin e dënimeve plotësuese, përfshirë ndalimin e ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës dhe ndalimin e pjesëmarrjes në procedurat e prokurimit publik.
Seancat gjyqësore – mungesa e Mërgim Limajt dhe ndarja e procedurës
Pas ngritjes së aktakuzës më 30 dhjetor 2025, rasti ka kaluar në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.
Më 20 shkurt 2026 ishte paraparë të mbahej një seancë gjyqësore ndaj 12 personave fizikë dhe tri kompanive. Megjithatë, seanca ishte shtyrë për shkak të mungesës së të akuzuarit Mërgim Limaj.
Sipas raportimeve nga gjykata, Limaj kishte kërkuar shtyrjen për arsye shëndetësore dhe nuk ishte paraqitur në seancë. Gjyqtari i rastit, Leon Perlaska, kishte bërë të ditur se do të urdhëronte ekzaminimin e gjendjes së tij shëndetësore.
Avokati i Limajt, Visar Bibaj, kishte kërkuar që ekzaminimi të mos kufizohej vetëm në gjendjen aktuale të klientit të tij, por të përfshinte edhe vlerësimin e gjendjes së tij në kohën kur pretendohet se janë kryer veprat penale.
Në të njëjtën seancë kishte munguar edhe Gëzon Berisha, përfaqësues i kompanisë “Shkëmbi-Gllarevë”. Për të, gjyqtari kishte paralajmëruar lëshimin e urdhëresës për sjellje me detyrim.
Seanca fillestare u mbajt më 27 mars 2026 në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Në këtë seancë, me pëlqimin e palëve, aktakuza u konsiderua e lexuar dhe të akuzuarit që morën pjesë në seancë u deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë për veprat penale që u vihen në barrë.
Gjyqtari Leon Përlaska i njoftoi të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre se kishin afat prej 30 ditësh për të paraqitur kundërshtimet ndaj provave dhe kërkesat për hudhjen e aktakuzës.
Një vendim tjetër procedural u mor para deklarimit të fajësisë: Gjykata vendosi të veçojë procedurën penale ndaj Mërgim Limajt. Kjo do të thotë se procedura ndaj tij do të zhvillohet ndaras nga procedura ndaj të akuzuarve të tjerë.
Ndërkohë, një raportim i Betimit për Drejtësi, të cilit i referohet edhe kjo çështje, ka ngritur çështjen e vlerësimit të gjendjes mendore të njërit prej të akuzuarve në kohën e pretenduar të kryerjes së veprës penale. Ky vlerësim duhet dalluar nga vendimi përfundimtar i gjykatës: mendimi i ekspertit nuk është aktgjykim dhe nuk përcakton vetvetiu fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarit.
Rasti vazhdon të jetë në procedurë gjyqësore. Deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, të gjithë të akuzuarit prezumohen të pafajshëm. /Gazeta Insajderi
Burimi: Insajderi





