Morten Harketi i a-ha-s: “Diagnoza ime e Parkinsonit nuk ishte shkatërruese. Kam vlerësim të ri për organizmin njerëzor”

Morten Harketi i a-ha-s: “Diagnoza ime e Parkinsonit nuk ishte shkatërruese. Kam vlerësim të ri për organizmin njerëzor”

Morten Harketi i a-ha-s: “Diagnoza ime e Parkinsonit nuk ishte shkatërruese. Kam vlerësim të ri për organizmin njerëzor”

Teksa këngëtari lider i treshes norvegjeze të muzikës pop publikon albumin e tij të ri Human Grace [Hiri njerëzor], ai u përgjigjet pyetjeve të adhuruesve për efektet shkatërruese të famës, për jetesën në kushte të ndyra në Londër, për nostalgjinë për vitet ’80 të shekullit XX …

Sponsor 3M Express

Përgatiti: Magnus Nomes / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

E keni përshkruar albumin tuaj të ri, Human Grace, si album i cili zbulon më shumë nga vetja juaj sesa nga puna juaj e mëparshme. A kishte diçka që papritur e patët të vështirë ta shprehnit përmes këtyre këngëve, apo diçka që ju befasoi te vetja gjatë procesit krijues? BarefootJax
Jo. Veprimtaria e krijimit të muzikës së re është proces eksplorues. Ka të bëjë me qetësimin e vetvetes, me të qenët i hapur për të dëgjuar dallime krejt të vogla në atmosferë, për të kapur një farë që do të lulëzojë në diçka – dhe pastaj, ajo, në çast, nga asgjëja shndërrohet diçka. Kjo nuk ka ndryshuar kurrë për mua. Me a-ha-n nuk kishte shumë kohë dhe qetësi për të bërë këngë. Të qenët lider kërkon shumë përqendrim.

Ajo që ka ndryshuar, për shkak të efekteve anësore të ilaçeve kundër Parkinsonit, është mundësia ime për të përdorur mjetet të cilat zotëroj me mjeshtëri – këndimin dhe kitarën. Për këtë album gjetëm incizime të vjetra të zërit tim, disa prej tyre të bëra më shumë se dhjetë vjet më parë. Pranimi i kësaj diagnoze nuk ka qenë shkatërruese për mua – ka qenë instrument i vrazhdë dhe me ndikim të fuqishëm për të ndalur gjithçka që po bëja. Fillimisht m’u desh ta rindërtoja veten, për të kuptuar se çfarë është kjo. Humbja e qasjes në pjesë të vetes të cilat i kam marrë si të mirëqena gjatë gjithë jetës, por edhe një vlerësim i ri për arkitekturën tonë si organizëm – është mbresëlënëse. Është marramendëse.

Në ditët e hershme të a-ha-s, kaluat njëfarë kohe duke jetuar dhe regjistruar në Sidenem, në Jug të Londrës. A ishte kjo një periudhë edukuese dhe argëtuese për të gjithë ju? Ndonjë rrëfim nga ajo periudhë? Mrskite
Ishte e vështirë, por kjo nuk kishte rëndësi për ne, sepse ishim kaq të entuziazmuar që ndodheshim aty ku ndodheshim, që bënim atë që bënim dhe që e ndienim lirinë që vinte me këtë. Por, ishim në prag të nevojës për një ndërhyrje serioze: nuk kishim para për të mbajtur veten dhe nuk e dinim se sa do të zgjaste kjo.

Ambientet ku jetonim ishin mjaft të ndyra. Ishin vetëm dy shtretër, kështu që duhej të flinim me radhë në një dyshek nga i cili dilnin sustat. Të gjithë kishim alergji ndaj polenit, sidomos Magne [Furuholmen] dhe unë. Pati një rrjedhje gazi dhe të gjithë u zgjuam me dhimbje të forta koke. Pas kësaj, e ngrohnim dhomën duke përdorur spiralet e pllakës së shporetit. Një herë u përpoqëm të lyenim njërin prej mureve, por shpejt në të dolën flluska që plasën, duke nxjerrë një lëndë të qullët me ngjyrë të verdhë në kafe.

Këngës Take on Me iu deshën disa përpjekje dhe një videoklip novator para se të bëhej hiti që meritonte shumë të bëhej. Si ishte ajo periudhë për ju dhe grupin? A mendonit se do t’ia dilnit mbanë apo ju pushtoi ndjesia e rëndë se nuk do të keni kurrë tamam sukses? 11LFO11
Nuk dyshova kurrë – ajo ishte doza ime e naivitetit. Djemtë e tjerë dyshonin, por unë nuk e pranoja këtë, ndonëse ata ndoshta e kuptonin më mirë se unë realitetin dhe atë që kishte gjasa të ndodhte.

Që herën e parë që i pashë, duke interpretuar në një koncert, më preku kjo ndjesi: e dija se kishin nevojë për mua që të ishin të plotë, dhe unë nuk e kisha asnjë dyshim. Thjesht i pashë dhe e kuptova. Një ndjesi e çmendur, plot hir, jo egoiste. I kisha zbuluar ata dhe e dija se tani duhej vetëm të më zbulonin edhe ata mua.

a-ha: The Movie [në vitin 2021] krijonte përshtypjen se të qenët pjesë e grupit nuk ishte tamam argëtuese për asnjërin prej jush – derisa papritmas po luanit versionin e jashtëzakonshëm akustik të Take on Me. A ishte vërtet kështu? RalfyJ
Po dhe jo. Kishim shteruar pjesë të vetes dhe, si pasojë, kishim qasje tepër të kufizuar te njëri-tjetri dhe te vetvetja. E dinim se çfarë potenciali kishte mes nesh, por nuk mund ta shfrytëzonim, sepse fryma e lojës zmbrapset kur nuk komunikon. Kishte edhe çaste shpërblyese dhe gjithmonë më kanë pëlqyer turnetë, por kjo në vetvete nuk është aspak e mjaftueshme.

Paul McCartney thotë se kur shkruan ende i kërkon, në mendje, këshilla John Lennonit për çfarëdo që punon. Kur bëni këngë, a e keni nga një Paul [Waaktaar-Savoy] dhe Mags imagjinar të ulur mbi secilën shpatull? TommyG33
Jo. Por, mbase anasjelltas – mendoj se të dy ata kanë shkruar këngë me zërin tim në mendje.

Jeni tifoz i Stoke City-t? Qysh dreqin ndodhi kjo? Laithaljan
Pak e tepruar, në fakt, kjo u tha me gjysmë shaka. Ishte kryesisht vëllai im më i vogël ai i cili ishte tifoz i flaktë. Kur ishim fëmijë, ndanim të njëjtën dhomë dhe ajo ishte e mbuluar me posterët e tij të lojtarëve të Stoke City-t. Posterët e mi ishin me flutura.

Mbaj mend se, kur isha fëmijë, më kishte bërë përshtypje një intervistë që i kishit dhënë (më duket) revistës Smash Hits, në të cilën thoshit se, po të mos ishit bërë këngëtar, do të ishit bërë prift. A është e vërtetë kjo? Catmoderm
E dija se shugurimi si prift, ai lloj shërbimi, nuk ishte për mua, por kam qenë shumë i interesuar të diskutoj për besimin me njerëz të cilët, sipas vetë atyre, nuk kanë besim. Por, nuk dua ta bëj këtë me Bibël në dorë. Isha kureshtar të dija nëse mund të gjeja një gjuhë për të folur për besimin, teologjinë, fenë – që janë që të gjitha gjëra të ndryshme.

Gjithmonë kam qenë shumë kureshtar – ky është tipari im themelor dhe më ka shtyrë të ndërmarr kërkime, udhëtime brenda vetes dhe drejt koncepteve e sistemeve filozofike. Gjithmonë kam dashur të di se çfarë fshihet pas çdo gjëje; edhe kur isha fëmijë duhej të hulumtoja se si dukeshin gjërat nga poshtë dhe nga brenda. Kohët e fundit jam magjepsur nga puna e thellë e [psikiatrit britanik] Iain McGilchristit mbi rolet e ndryshme të dy hemisferave të trurit tonë.

Pas regjistrimit të The Living Daylights, a patët ndonjëherë rast ta takonit James Bondin? Girlyouknowitstrue
Edhe një herë, kush ishte ai? Ende nuk e kam takuar as vetveten, dhe unë, dreqi e marrtë, jam i vërtetë.

Po pyesja veten se si lindi ideja që dy nga vajzat tuaja të merrnin pjesë në albumin tuaj të ri dhe pse vendosët ta bënit këtë? Virginie91
Nuk ishte planifikuar. E dinim që në fillim se dy këngëve u mungonte diçka; kishin nevojë që disa pjesë t’i këndoja ose unë, ose dikush tjetër. Kishte zbrazëti. Filluam të mendonim se kush mund të ishte dhe dikush hodhi idenë e vajzave të mia – ndoshta [menaxheri] Haraldi [Wiik], ndoshta unë.

Kur u shpreh kjo ide, mendova: a janë të përgatitura të bëhen pjesë e diçkaje që mund të tërheqë vëmendjen, që mund të ndikojë në jetën e tyre për njëfarë kohe? Tomine i njeh mirë mediat dhe paraqitjet publike, por isha më i shqetësuar për Karmenan, ndonëse ajo është shumë aktive në muzikë dhe teatër dhe është pjesë e një grupi muzikor. Janë këngëtare shumë të zonja. Nuk i kam mësuar kurrë: janë krejtësisht autodidakte, thjesht kanë dëgjuar në sfond atë që bëja unë me zërin tim. Nuk duhej një kohë e gjatë, hynë dhe dolën nga studioja. Ishte kënaqësi të isha aty e t’i dëgjoja, të dëgjoja sa të sakta janë. Ritmi dhe frazimi janë të shkëlqyer. Dhe, ky madje nuk është lloji i muzikës që parapëlqejnë.

Me ringjalljen e re të viteve ’80 [të shekullit XX] përmes brezit Z, që ndien nostalgji për një kohë të cilën nuk e ka njohur kurrë, çfarë mendoni se kërkojnë të rinjtë e sotëm? Përveç flokëve tanë të mrekullueshëm? Christine_Rousseau
Brezi Z kërkon një udhëheqje tek i cili mund të besojë, por për veten kërkon marrëdhënie njerëzore, ndjenjën e përkatësisë dhe vëren se këto mungojnë sot. Gjatë 15 deri në 20 vjetëve të fundit, udhëheqësit e botës u kanë kërkuar këshilla të rinjve dhe kjo sipërfaqësisht mund të duket mirë, por duhet të ngrejë alarmin sepse do të thotë se vetë ata vërtet nuk dinë. Qytetërimi ynë ka kohë që është në procesin e vetëshkatërrimit për shkak të neglizhencës dhe mungesës së përgjegjësisë.

Në jetë, në çastin kur bëhesh i vetëdijshëm për diçka që nuk është në rregull, menjëherë bëhesh përgjegjës për të. Nuk ndryshon nga rasti kur kalon me makinë pranë një aksidenti automobilistik: duhet të ndalesh, të mbetesh 100 përqind përgjegjës dhe llogaridhënës.

Mbaj mend se në fund të viteve ’80 [të shekullit XX] lexova në një revistë se Pauli mbante të brendshme prej xhinsi. A ishte e vërtetë? Onionfever
Nuk ia kam parë kurrë të brendshmet. Thjesht nuk më intereson.

Përkundër versioneve të ndryshme të vetes që ka sjellë jeta, cila është e vetmja gjë që mendoni se ka mbetur në thelb e pandryshuar te ju? Dhe, nga çfarë, nëse ka diçka, ju është dashur të hiqni dorë gjatë rrugëtimit? Velvetroads
Besoj se do të thosha zemra ime. Në themel të sistemit tim kam një lloj … naiviteti që lidhet me pastërtinë e qenies thelbësore emocionale dhe që ndikon në gjithçka që bëj.

Për mua ka pasur vetëm një ndryshim të madh: fama. Nga të qenët anëtar i mirëfilltë i shoqërisë, deri te humbja e atij statusi kur më goditi fama e menjëhershme. Është ndryshim kolosal, humbje e thellë personale që tejkalohet vetëm nga humbja e një njeriu të dashur. E urrej famën, por i dua njerëzit dhe potencialin që kemi brenda nesh. Por, nuk më pëlqejnë fort njerëzit, apo raca njerëzore, sepse vazhdojmë të bëjmë të njëjtat gabime primitive dhe, në fund, të soset durimi për këtë. Por, e dua potencialin e asaj që mund të bëjmë, atë shkëndijë te njerëzit, të rinj apo të moshuar. Kjo më prek shumë. /Telegrafi/

Lexo edhe

“Shqiptarët kanë një energji të mahnitshme”, Max Amini mbërrin në Tiranë, flet shqip dhe bën shqiponjën dykrenare

“Shqiptarët kanë një energji të mahnitshme”, Max Amini mbërrin në Tiranë, flet shqip dhe bën shqiponjën dykrenare

​Prishtina nderon Shën Nënë Terezën me kryevepër artistike: Nesër përurohet mozaiku gjigant

​Prishtina nderon Shën Nënë Terezën me kryevepër artistike: Nesër përurohet mozaiku gjigant

Tyson Fury merr dritën jeshile nga mjekët, konfirmohet përballja e madhe me Anthony Joshuan

Tyson Fury merr dritën jeshile nga mjekët, konfirmohet përballja e madhe me Anthony Joshuan