Një rrëfim për vrasjen e djalit të saj dhe dyshimet për rrethanat e ngjarjes ka nxitur reagimin e ish-bashkëshortit të Gjylinaze Halilit, Isa Ramës, i cili erdhi sot në “Kosova Today” për të treguar anën e tij të historisë.

Ajo foli dje për vështirësitë që kishte përjetuar gjatë jetës, duke e cilësuar vrasjen e djalit si dhimbjen më të madhe.
Halili tregoi se djali i saj ishte vrarë nga ish-shefi i tij në punë dhe pretendoi se atij i ishte ngritur një kurth, ndërsa ngjarja, sipas dyshimeve të saj, ishte inskenuar.
Halili shprehu dyshime edhe ndaj familjarëve të ish-bashkëshortit, duke pretenduar se e kishin “shitur gjakun e djalit”.
Pas këtyre deklaratave, sot në studio Isa Rama, babai i të riut të vrarë, i kundërshtoi pretendimet e Halilit.
Ai tha se ndihet i rënduar nga akuzat që, sipas tij, po i bëhen nga ish-bashkëshortja.
“S’mundesh me absorbu, s’munesh me kap kur të thotë ish-gruaja se je pjesëmarrës në vrasjen e djalit”, u shpreh Rama.
Ai e akuzoi ish-gruan se kishte vizituar familjen e personit që e kishte vrarë të riun.
“Zoja qohet shkon e viziton familjen e dorëvrasësit, pin kafe mrena. Pas dy muaj e gjysmë, kam shku e kam përcjellë vet, e kam pa vet. Prapë nuk po du me nxjerrë keq”, deklaroi ai.
Gjatë paraqitjes së tij, Rama kundërshtoi gjithashtu deklaratat e ish-gruas për mosmarrëveshjet që kanë lidhje me pronën, duke thënë se edhe në vendin ku ajo banon aktualisht e ka blerë ai.
Të dy ish-bashkëshortët kanë paraqitur versione të ndryshme për ngjarjen dhe konfliktet mes tyre.





