Gazetari gjerman i gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), Michael Martens, ka rikthyer në vëmendje kritikat e tij ndaj bashkëpunimit të Partisë Popullore Evropiane (EPP) me Partinë Progresive Serbe (SNS) të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Përmes një reagimi në platformën X, Martens ka treguar se në shtator të vitit 2025 kishte publikuar një artikull në Frankfurter Allgemeine, në të cilin argumentonte se bashkëpunimi me partinë në pushtet në Serbi nuk ishte në interes të Gjermanisë, Fondacionit Konrad Adenauer dhe Partisë Popullore Evropiane.
Ai kishte kërkuar që ky bashkëpunim të ndërpritej, duke argumentuar se SNS-ja e Vuçiqit nuk duhej të trajtohej si një partner i besueshëm politik i familjes evropiane të partive të qendrës së djathtë.
Sipas Martensit, artikulli kishte nxitur diskutime të gjera në qarqet politike në Berlin, ndërsa disa ditë pas publikimit të tij, EPP-ja kishte nisur një proces të brendshëm shqyrtimi lidhur me SNS-në.
Gazetari ka bërë të ditur se ishte ftuar edhe në një takim të EPP-së për të paraqitur qëndrimet e tij, por ka theksuar se nuk mund të zbulojë përmbajtjen e diskutimeve apo emrat e pjesëmarrësve, pasi takimi ishte zhvilluar në kushte konfidencialiteti.
Megjithatë, ai ka përsëritur një nga mesazhet kryesore që, sipas tij, e kishte paraqitur edhe në atë takim.
“Nëse i thoni jo Orbanit, nuk mund t’i thoni po Vuçiqit”, ka shkruar Martens, duke iu referuar kryeministrit hungarez, Viktor Orban, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Martens ka thënë se në atë kohë argumentet e tij nuk kishin mbizotëruar, por se zhvillimet e fundit mund të ndryshojnë këtë qasje, nëse raportimet për rishqyrtimin e marrëdhënieve me SNS-në janë të sakta.
Megjithatë, gazetari gjerman ka paralajmëruar se ndryshimi i qasjes ndaj SNS-së nuk duhet të pasohet nga një besim i verbër ndaj lëvizjes studentore dhe qeverisë së re në Serbi.
Ai ka theksuar se mbështetja e brendshme për çlirimin e institucioneve shtetërore nga ndikimi politik është e rëndësishme, por ka kërkuar që politika e jashtme e Serbisë të vlerësohet në mënyrë kritike.
Sipas tij, një Serbi që nuk i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë dhe vazhdon politikën e vjetër nacionaliste ndaj Kosovës dhe çështjeve të tjera, nuk meriton besim të pakushtëzuar nga Berlini dhe institucionet evropiane.
“Në të njëjtën kohë, fqinjët proevropianë, si Mali i Zi dhe Kosova, meritojnë mbështetjen e plotë të Berlinit dhe Evropës”, ka theksuar Martens.
Në fund, gazetari ka shprehur shpresën se Gjermania dhe institucionet evropiane do ta zbatojnë këtë qasje në praktikë, duke bërë dallimin ndërmjet mbështetjes për proceset demokratike në Serbi dhe qëndrimit ndaj politikës së jashtme të Beogradit./Telegrafi.





