Sa kushtojnë pjesët rezervë për veturat elektrike? Porsche kryeson me çmime marramendëse

Sa kushtojnë pjesët rezervë për veturat elektrike? Porsche kryeson me çmime marramendëse

Sa kushtojnë pjesët rezervë për veturat elektrike? Porsche kryeson me çmime marramendëse

Nissan dhe Opel janë markat e veturave elektrike me pjesët rezervë më të lira, ndërsa Porsche kryeson listën e markave me kostot më të larta të riparimit, sipas një analize të re të kompanisë daneze Autoparts24.

Sponsor 3M Express

Dallimet mes markave janë të konsiderueshme, pasi pronarët e veturave elektrike Porsche duhet të paguajnë më shumë se tri herë sesa ata që posedojnë vetura Nissan ose Opel për të siguruar të njëjtat pjesë rezervë.

Analiza, e cila përfshiu çmimet e rreth 250 mijë pjesëve rezervë të përdorura për vetura elektrike, tregon se marka e automjetit luan rol vendimtar në përcaktimin e kostove të mirëmbajtjes dhe riparimit.

Edhe pse veturat elektrike kanë më pak pjesë lëvizëse dhe përgjithësisht kërkojnë më pak ndërhyrje mekanike sesa ato me motorë me benzinë ose naftë, zëvendësimi i pjesëve rezervë mund të jetë dukshëm më i shtrenjtë.

Sipas të dhënave të Autoparts24, Nissan dhe Opel janë markat më ekonomike, pasi 12 pjesët rezervë të përfshira në analizë mund të sigurohen për rreth 1.070 euro.

Pas tyre renditen Renault, Citroën dhe Peugeot, me kosto që variojnë nga 1.123 deri në 1.170 euro.

Në anën tjetër, pronarët e veturave elektrike Jaguar, Audi, Polestar dhe BMW duhet të përballojnë shpenzime dukshëm më të larta. Për 12 pjesët e analizuara të këtyre markave, çmimet variojnë nga 2.000 deri në 2.274 euro.

Në krye të listës për kostot më të larta qëndron Porsche, ku zëvendësimi i të njëjtave 12 pjesëve rezervë kushton pothuajse 3.470 euro.

Analiza përfshiu 12 pjesë të zakonshme rezervë, përfshirë pasqyrat anësore, dritat e pasme, parakolpët e pasmë, kamerat për vozitje prapa, jastëkët e ajrit, frenat dhe amortizatorët.

Drejtori i kompanisë Autoparts24, Troels Meier, ka shpjeguar se teknologjia e avancuar që përmbajnë veturat elektrike ndikon drejtpërdrejt në çmimin e pjesëve rezervë.

“Veturat elektrike përmbajnë shumë teknologji, gjë që ndikon në rritjen e çmimeve të shumë pjesëve. Pasqyrat e jashtme të ditëve të sotme janë të pajisura me teknologji si sensorë dhe drita, prandaj zëvendësimi i tyre mund të jetë i kushtueshëm. E njëjta vlen edhe për fenerët, zëvendësimi i të cilëve mund të kushtojë mijëra korona”, ka deklaruar Meier.

Ai ka theksuar se shumica e blerësve, gjatë përzgjedhjes së një veture elektrike, përqendrohen kryesisht te çmimi i blerjes, autonomia dhe mundësitë e karikimit, ndërsa shpesh anashkalojnë shpenzimet e mundshme të riparimit.

Sipas tij, dallimet mes markave janë aq të mëdha saqë një defekt i vetëm mund të shkaktojë shpenzime prej disa mijëra eurosh.

Si është realizuar analiza?

Hulumtimi është bazuar në rezervat e kompanisë Autoparts24, e cila disponon rreth 250 mijë pjesë rezervë të përdorura për vetura elektrike.

Çmimi i secilës pjesë është llogaritur si mesatare për markën përkatëse, e ponderuar sipas numrit të pjesëve në dispozicion në stok. Në analizë janë përfshirë vetëm markat për të cilat kompania kishte së paku 2.000 pjesë rezervë.

Të dhënat për çmimet janë mbledhur në nëntor të vitit 2026.

Autoparts24 është kompani daneze dhe një nga platformat më të mëdha online në Evropë për shitjen e pjesëve rezervë origjinale të përdorura.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali

Lexo edhe

Sulm kibernetik edhe në Zvicër, jashtë funksionit rreth 20 aplikacione të administratës

Sulm kibernetik edhe në Zvicër, jashtë funksionit rreth 20 aplikacione të administratës

Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Pejë dëshmon nesër në Komisionin Hetimor për rastin Arlinda Zekaj

Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Pejë dëshmon nesër në Komisionin Hetimor për rastin Arlinda Zekaj

Publikohet orari i xhiros së 14-të në Superligën e Kosovës, derbi të dielën në Suharekë

Publikohet orari i xhiros së 14-të në Superligën e Kosovës, derbi të dielën në Suharekë

Sa kushtojnë pjesët rezervë për veturat elektrike? Porsche kryeson me çmime marramendëse | Momenti