Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka hedhur poshtë shqetësimet e përhapura në internet se seria e ndërprerjeve të fundit në sistemet teknologjike gjatë javës së kaluar kanë lidhje me njëra-tjetrën, duke deklaruar se nuk ka “asnjë dëshmi” që i ndërlidh këto incidente.

Rubio pranoi se “njerëzit janë të frikësuar” nga vala e ndërprerjeve, të cilat përfshinë ndalimin e të gjitha fluturimeve në SHBA dhe probleme të përhapura në shërbimet bankare, si dhe në sistemet e kompanive Apple dhe Microsoft. Ai tha se disa qytetarë dyshojnë se këto incidente mund të jenë të ndërlidhura ose pjesë e një komploti.
“Ne nuk jemi nën sulm sistemik”, deklaroi Rubio, duke shtuar se “këto ngjarje nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën dhe nuk janë të ndërlidhura”.
Edhe ekspertët e sigurisë kibernetike kanë vlerësuar se nuk ka dëshmi që i lidhin këto ndërprerje, ndërsa shumë prej problemeve duket se kanë ardhur si pasojë e përditësimeve të infrastrukturës së vjetër teknologjike.
Gjatë javës së fundit janë regjistruar disa incidente të mëdha, përfshirë një ndërprerje të gjerë të shërbimeve të Microsoft-it, një defekt teknik që çoi në ndalimin e të gjitha fluturimeve në SHBA për disa orë, probleme në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare (NSA), si dhe ndërprerje në shërbimet e bankave më të mëdha amerikane dhe të kompanisë Apple.
Të gjitha kompanitë dhe institucionet e prekura kanë deklaruar se problemet nuk kanë qenë të natyrës kibernetike dhe nuk janë shkaktuar nga ndonjë sulmues i jashtëm.
Deklaratat e Rubios erdhën disa orë pasi edhe drejtori amerikan i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, foli për këtë çështje në një intervistë për Fox News, ku tha se ndërprerjet nuk ishin rezultat i ndonjë sulmi kibernetik.
Ai shpjegoi se “shumë institucione” janë duke përditësuar ose modernizuar sistemet e tyre, gjë që ka shkaktuar disa probleme në funksionimin e tyre.
Rubio u pyet nëse administrata e presidentit Donald Trump është e shqetësuar se frika e qytetarëve mund të çojë në grumbullimin e rezervave apo në tërheqje masive të parave nga bankat.
Ai u përgjigj se mënyra më e mirë për t’i luftuar këto shqetësime është që qeveria amerikane të ndajë me qytetarët të gjitha informacionet që ka në dispozicion.
“Çdo tregues që kemi dëshmon se secila prej këtyre ngjarjeve ka një shpjegim ose shkak që nuk ka të bëjë me kriminelë kibernetikë, me aktorë armiqësorë apo me ndonjë shtet tjetër”, tha Rubio.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





