Ekonomia e Koresë së Jugut u rrit shumë më shpejt sesa pritej në tremujorin korrik-shtator, nën ndikimin e kërkesës së lartë për çipa që përdoren në inteligjencën artificiale (IA).

Sipas vlerësimeve paraprake të publikuara të martën nga Banka e Koresë, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) u rrit me 1 për qind në baza tremujore, ose me 3,4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në muajin gusht, Banka e Koresë kishte parashikuar se PBB-ja do të rritej me 0,3 për qind në tremujorin e tretë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Sipas bankës qendrore, eksportet – të cilat përbëjnë rreth 45 për qind të PBB-së së Koresë së Jugut – u rritën me 2,3 për qind krahasuar me tremujorin paraardhës, të nxitura nga gjysmëpërçuesit, makineritë dhe pajisjet elektrike.
Këto rezultate të fundit e vendosin ekonominë e Koresë së Jugut në rrugën e duhur për të arritur zgjerimin e saj më të madh ekonomik në më shumë se një dekadë.
Ministri i Financave i Koresë së Jugut, Lee Hyoung-il, deklaroi më herët gjatë këtij muaji se pret që rritja të arrijë në 3,4–3,6 për qind në vitin 2026; kjo do të përbënte performancën më të fortë që nga viti 2011, duke përjashtuar periudhën e pandemisë COVID-19.
Në vitin 2025, ekonomia e Koresë së Jugut u rrit me 1 për qind, duke shënuar zgjerimin më të ngadaltë që nga pandemia.
Ekonomia e katërt më e madhe në Azi ka përfituar nga hovi i inteligjencës artificiale, në një kohë kur në tregun global vërehet mungesë e çipave të memories.
Në Korenë e Jugut ndodhen dy nga tre prodhuesit më të mëdhenj të çipave të memories, SK Hynix dhe Samsung Electronics.
Së bashku, këto kompani kontrollojnë rreth 80 për qind të tregut global të memorieve “high-bandwidth memory” dhe 60 për qind të tregut të DRAM.
Sipas Shërbimit Doganor të Koresë, eksportet e Koresë së Jugut në muajin shtator u rritën me 83,5 për qind krahasuar me vitin e kaluar, duke arritur në 120,9 miliardë dollarë, ku çipat përbënin pothuajse gjysmën e vëllimit të përgjithshëm të dërgesave. /Telegrafi/




