Interesi i qytetarëve zviceranë për veturat elektrike po rritet ndjeshëm. Gjatë muajit tetor 2026, numri i veturave të reja elektrike të regjistruara në Zvicër është rritur për 59%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave (FSO), gjatë tetorit në Zvicër janë regjistruar gjithsej 26.219 automjete të reja, që përfaqëson një rritje prej 4% në nivel vjetor.
Prej tyre, 19.026 ishin vetura të pasagjerëve, shkruan Swissinfo, transmeton Telegrafi.
Ndërkohë, regjistrimet e veturave me benzinë, përfshirë hibridet standarde, kanë shënuar rënie prej 13%, ndërsa ato me naftë kanë rënë për 25%. Veturat hibride me karikim nga jashtë kanë shënuar rënie prej 1%.
Trendi i rritjes së automjeteve elektrike vërehet edhe në periudhën janar-tetor 2026. Gjatë këtyre dhjetë muajve, regjistrimet e veturave elektrike janë rritur për 31%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.
Në të njëjtën periudhë janë regjistruar gjithsej 281.837 automjete rrugore, ndërsa numri i veturave të pasagjerëve ka arritur në 192.052, me një rritje prej 3%.
Të dhënat tregojnë ndryshimin gradual të tregut zviceran të automobilave, ku veturat elektrike po fitojnë gjithnjë e më shumë pjesëmarrje, ndërsa regjistrimet e automjeteve me benzinë dhe naftë po shënojnë rënie./Telegrafi/




