Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Forca e Sigurisë së Kosovës ka pranuar donacion robotin e parë tokësor pa ekuipazh (UGV), të prodhuar në Kosovë nga kompania kosovare-amerikane STRIDAR.

Përmes një njoftimi, Maqedonci bëri të ditur se roboti ka numrin serik SR-4-001-KS, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm për industrinë vendore të mbrojtjes.
Sipas ministrit, UGV-të janë mjete robotike që mund të kontrollohen nga distanca ose të kryejnë detyra të caktuara në mënyrë autonome.
Varësisht nga modeli dhe konfigurimi, këto mjete mund të përdoren për vëzhgim, transport të pajisjeve dhe mbështetje në zona me rrezik. Ato mund të pajisen edhe me sisteme armatimi të kontrolluara nga distanca.
Maqedonci theksoi se zhvillimi i sistemeve të tilla dëshmon potencialin e teknologjive me përdorim të dyfishtë, të cilat mund t’u shërbejnë si nevojave të mbrojtjes, ashtu edhe atyre civile.
Ai bëri të ditur se marrëveshjen për donacionin e ka nënshkruar së bashku me përfaqësuesin e kompanisë STRIDAR, Nils Alstad.
Në fund, ministri falënderoi kompaninë për kontributin dhe angazhimin në zhvillimin e kapaciteteve vendore të mbrojtjes.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





