Rënia e temperaturave ka sjellë rikthimin e ndotjes së ajrit në Prishtinë, ku vlerat e grimcave të dëmshme në atmosferë kanë arritur nivele shqetësuese për shëndetin e qytetarëve.

Sipas të dhënave të fundit të platformës “IQAir”, Kosova mbrëmë është renditur në vendin e 29-të në botë për nga ndotja e ajrit.
Ndërkohë, përqendrimi i grimcave të dëmshme PM në Prishtinë ka arritur në 79 njësi, nivel që konsiderohet i pashëndetshëm dhe që mund të paraqesë rrezik për shëndetin, veçanërisht për grupet më të ndjeshme të popullsisë.
Në renditjen globale të qyteteve me ajrin më të ndotur, prin kryeqyteti i Pakistanit, Lahori, ndërsa Tokio e Japonisë renditet ndër qytetet me ajrin më të pastër në botë.
Ndotja e ajrit nuk është gjithmonë e dukshme, por një ndër shqetësimet kryesore përbëjnë grimcat e imëta të pezulluara në atmosferë, të njohura si PM10 dhe PM2.5.
Grimcat PM10 kanë diametër deri në 10 mikrometra, ndërsa PM2.5 janë edhe më të vogla dhe për këtë arsye mund të depërtojnë më thellë në organizëm. Derisa PM10 mund të hyjnë në sistemin e frymëmarrjes, PM2.5 arrijnë deri në pjesët më të thella të mushkërive dhe mund të kalojnë edhe në qarkullimin e gjakut.
Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj këtyre grimcave lidhet me rritjen e rrezikut për sëmundje të sistemit të frymëmarrjes, probleme kardiovaskulare dhe vdekje të parakohshme.
Sipas udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), përqendrimi mesatar vjetor i grimcave PM2.5 nuk duhet të kalojë pesë mikrogramë për metër kub ajër, ndërsa për PM10 kufiri i rekomanduar është 15 mikrogramë për metër kub.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





