Gjykata Supreme e Spanjës ka refuzuar ankesën e La Ligës, duke konfirmuar anulimin e marrëveshjes së investimit të nënshkruar në gusht të vitit 2021 mes organizatorëve të kampionatit spanjoll dhe fondit privat të investimeve CVC.

Vendimi përfundimtar i gjykatës konfirmon padinë e ngritur nga Real Madridi dhe Athletic Bilbao, ndërsa e detyron La Ligën t’i mbulojë të gjitha shpenzimet ligjore të apelit.
Gjykatësit konfirmuan se marrëveshja ishte e pavlefshme, pasi klubet nuk kishin pasur informacione të mjaftueshme për të vlerësuar siç duhet përmasat ekonomike të saj, ndikimin dhe pasojat e ndryshimeve të bëra në momentet e fundit.
Ky vendim përbën një fitore të rëndësishme ligjore për Real Madridin, i cili prej kohësh kishte kundërshtuar marrëveshjen mes La Ligës dhe fondit CVC.
Në reagimin zyrtar, klubi madrilen e cilësoi vendimin si një mbështetje të fuqishme ligjore për mbrojtjen e të drejtave të klubeve, transparencën dhe qeverisjen e mirë në futbollin spanjoll.
Real Madridi theksoi se Gjykata Supreme ka konfirmuar pavlefshmërinë e marrëveshjes së miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e La Ligës më 12 gusht 2021, pasi klubet nuk kishin pasur mundësinë të njiheshin plotësisht me kushtet dhe pasojat e operacionit financiar.
Më tej, klubi vuri në dukje se Gjykata Supreme kishte kritikuar edhe përpjekjen e La Ligës për të zëvendësuar kriteret e Gjykatës së Apelit të Madridit me interpretimin e saj.
“Real Madridi do të vazhdojë të mbrojë të drejtat dhe interesat e klubeve, si dhe respektimin e ligjshmërisë, transparencës dhe qeverisjes së mirë në futbollin spanjoll”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e klubit./Telegrafi/





