Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, ka paralajmëruar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit gjatë kësaj jave, ku pritet të diskutohen gjetjet dhe konstatimet e Raportit të Progresit të Bashkimit Evropian për Kosovën.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Lushaku ka deklaruar se raporti i publikuar javën e kaluar është alarmant dhe, sipas saj, ka nxjerrë në pah dështimet e Qeverisë në disa fusha, si dhe mungesën e përparimit në reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian.
“Javën e kaluar kemi pasur Raportin e Progresit, i cili ka qenë një raport alarmant që ka vërtetuar dështimin e kësaj qeverie dhe këtij pushteti në shumë fusha”, ka deklaruar Lushaku.
Ajo ka bërë të ditur se për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme do të ndiqen procedurat e nevojshme parlamentare, ndërsa ka pohuar se janë siguruar nënshkrime nga të gjitha partitë politike.
Sipas saj, qëllimi i kësaj nisme është kërkimi i llogaridhënies nga Qeveria për reformat që, sipas vlerësimit të LDK-së, nuk janë trajtuar me prioritet dhe po ndikojnë në ngecjen e Kosovës drejt integrimit evropian.
“Për këtë procedurë formale do t’i bëjmë sot nënshkrimet; kemi mbledhur nënshkrime nga të gjitha partitë politike dhe në këtë mënyrë po luajmë rolin tonë si opozitë për të kërkuar llogaridhënie për reformat që ka konstatuar edhe Raporti i Bashkimit Evropian”, është shprehur ajo.
Përveç Raportit të Progresit, Lushaku ka bërë të ditur se në mbledhjen e Kryesisë janë diskutuar edhe dy çështje që i ka cilësuar jetike për qytetarët: gjendja në shëndetësi dhe sektori i energjisë.
Duke folur për shëndetësinë, ajo ka ngritur shqetësime lidhur me gjendjen në institucionet publike shëndetësore, duke theksuar nevojën për sigurimin e shërbimeve dhe furnizimin e vazhdueshëm me barna esenciale.
“Në Kryesinë e Kuvendit, në bashkëpunim me shefat e grupeve parlamentare, diskutuam për disa pika, kryesisht për çështjet dhe temat të cilat janë jetike për qytetarët, duke filluar me shëndetësinë dhe energjinë”, ka thënë Lushaku.
Ndërkohë, sa i përket sektorit energjetik, ajo ka njoftuar se është paraqitur një mocion për debat parlamentar, përmes të cilit synohet të kërkohet llogaridhënie lidhur me blerjen dhe menaxhimin e energjisë elektrike.
“Do të ketë diskutim dhe llogaridhënie për sa i përket çështjes së energjisë, blerjes dhe menaxhimit të energjisë”, ka theksuar ajo.
Lushaku ka shtuar se opozita do të vazhdojë të kërkojë përgjegjësi institucionale për zbatimin e reformave, duke vlerësuar se mungesa e përparimit në këtë drejtim po e pengon rrugëtimin evropian të Kosovës.
Data dhe ora e seancës së jashtëzakonshme për Raportin e Progresit pritet të përcaktohen pas përfundimit të procedurave parlamentare.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




