Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime ka pranuar një donacion prej 10 karrocave manuale për pacientë, të dhuruara nga GNTC – Fondi Humanitar Gorenje.

Përmes këtij donacioni synohet të lehtësohet kujdesi për pacientët që kanë vështirësi në lëvizje dhe kanë nevojë për mbështetje gjatë marrjes së shërbimeve shëndetësore.
Sipas njoftimit të QKMF-së, karrocat do të vihen në shërbim të pacientëve që kanë nevojë për to, duke kontribuar në lehtësimin e lëvizjes dhe përmirësimin e mirëqenies së tyre.
“QKMF Shtime shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e sinqertë për GNTC – Fondin Humanitar Gorenje, për këtë donacion të çmuar dhe për përkrahjen e treguar në shërbim të pacientëve tanë”, thuhet në njoftim.
Institucioni shëndetësor ka vlerësuar kontributin e fondit humanitar, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe mbështetjes për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët.
“Faleminderit për solidaritetin, humanizmin dhe kontributin tuaj në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e komunës sonë!”, thuhet më tej në njoftimin e QKMF-së në Shtime.
Në fund, institucioni ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe mbështetjes së iniciativave humanitare që kontribuojnë në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve. /Telegrafi/




