Qeveria e Republikës së Kosovës ka ka njoftuar se ka mbajtur mbledhjen e 12-të elektronike, në të cilën ka miratuar disa projektligje, marrëveshje financiare dhe nisma për investime në shëndetësi, energji, ujësjellës dhe menaxhimin e mbeturinave.

Në mesin e vendimeve kryesore është miratimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë me Bankën Evropiane të Investimeve për projektin “Përmirësimi i Pajisjeve Mjekësore dhe Infrastrukturës”.
“Kjo marrëveshje përfshin blerjen e pajisjeve të reja mjekësore, punimet infrastrukturore rehabilituese për instalimin e tyre, ngritjen e Njësisë së Zbatimit të Projektit (NJZP), asistencën teknike dhe trajnimin e ekipeve të inxhinierisë biomjekësore për mirëmbajtjen e këtyre aseteve. Ky projekt është në përputhje të plotë me prioritetet e Qeverisë për reformimin e sektorit të shëndetësisë dhe sigurimin e qasjes shëndetësore cilësore për të gjithë qytetarët” – thuhet në njoftimin e tyre.
Po ashtu, Qeveria miratoi edhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës për projektin “Përmirësimi i Kujdesit Shëndetësor Sekondar dhe Terciar”.
Përmes këtij projekti synohet modernizimi i pajisjeve mjekësore në gjashtë spitale publike, rinovimi i infrastrukturës spitalore dhe përmirësimi i kapaciteteve diagnostikuese dhe trajtuese.
Sipas njoftimit, projekti synon gjithashtu të rrisë qasjen e qytetarëve në shërbime shëndetësore, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta dhe grupet e cenueshme.
Çka është miratuar tjetër?
– Miratuar Nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Grant dhe Zbatim të Projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, si dhe KfW Frankfurt am Main, lidhur me projektin “Zhvillimi Urban i Përshtatur me Klimën – Ujërat e Zeza në Prishtinë”.
– Miratuar Nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, KOSTT-it, dhe KfW Frankfurt am Main, për projektin “Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit”.
– Miratuar Nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Mbeturinave në Kosovë, dhe KfW Frankfurt am Main, për projektin “Menaxhimi i Mbetjeve të Ngurta II-IV (Kontributi i BE-së)”.
– Miratuar Nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për Projektin “Ndërtimi i Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Prishtinë”.
– Miratuar Nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, duke vepruar së bashku si Administrator i Komisionit Evropian, për Projektin e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.
– Miratuar Kërkesën e Ministrisë së Financave për realizimin e kursimeve dhe ndarjeve buxhetore, sipas tabelave të paraqitura në Aneksin A (Kursimet) dhe Aneksin B (Ndarjet).
– Miratuar kërkesën për ndarjen e mjeteve buxhetore me qëllim të mbulimit të mungesës së mjeteve buxhetore të krijuar si rezultat i alokimit të parakohshëm.
– Miratuar Kërkesën e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Këshillit Prokurorial të Kosovës, dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për transferimin e mjeteve buxhetore deri në 25% të ndarjeve buxhetore të ndikuara negativisht.





