Policia greke, në bashkëpunim me autoritetet e Maqedonisë së Veriut, ka parandaluar një atentat të dyshuar ndaj një biznesmeni izraelit në Greqi. Në kuadër të operacionit të përbashkët janë arrestuar gjashtë persona, katër prej të cilëve janë shqiptarë.

Sipas raportimeve të “Top Channel”, shënjestër e sulmit të planifikuar ishte Avraam-Minos E. Moissis, biznesmen dhe drejtues i lartë i një kompanie izraelite që merret me prodhimin e armëve. Ai është i përfshirë gjithashtu në drejtimin dhe bordet e disa kompanive të mëdha në Greqi, kryesisht në sektorët farmaceutikë dhe tregtarë-industrialë.
Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se kreu i dyshuar i grupit është Edriz Mavaneh, ndërsa në përbërje të tij dyshohet se kishte persona me pikëpamje radikale islamike nga Kumanova dhe Shkupi.
Dy nga të dyshuarit janë arrestuar në Greqi, ndërsa katër të tjerët në Maqedoninë e Veriut.
Sipas hetimeve, anëtarët e kësaj celule dyshohet se po përgatiteshin për të kryer atentatin ndaj biznesmenit izraelit. Operacioni dyshohet se ishte financuar nga një shtetas iranian, i identifikuar si Mabanex, i cili, sipas autoriteteve, kishte marrë urdhër nga shërbimet iraniane të inteligjencës për eliminimin e tij.
Hetimet tregojnë se personat e dyshuar ishin rekrutuar në Kumanovë dhe kishin tentuar të hynin në Greqi për të realizuar sulmin. Megjithatë, disa prej tyre ishin ndaluar në kufi, pasi figuronin në listat e personave të dyshuar për pikëpamje radikale.
Policia greke ka bërë të ditur se grupi ishte mbajtur nën përgjim për rreth një vit, para se të ndërmerrej operacioni i përbashkët që çoi në arrestimin e gjashtë të dyshuarve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





