Paris Saint-Germaini është futur fuqishëm në garën për transferimin e mbrojtësit kroat Josko Gvardiol, i cili mund të largohet nga Manchester City në një nga afatet e ardhshme kalimtare.

Sipas raportimeve të gazetës spanjolle El Nacional, PSG-ja dhe Barcelona e shohin futbollistin si një përforcim të rëndësishëm për repartin defensiv.
Si projekti i drejtuar nga Luis Enrique në Paris, ashtu edhe skuadra e Hansi Flickut në “Camp Nou”, vlerësojnë cilësitë e mbrojtësit kroat, i cili mund të luajë si në qendër të mbrojtjes, ashtu edhe në krahun e majtë.
Megjithatë, Manchester City nuk ka ndërmend ta lejojë largimin e tij gjatë afatit kalimtar të janarit. Drejtuesit e klubit anglez nuk dëshirojnë të dobësojnë skuadrën në mesin e sezonit dhe kanë bërë të qartë se nuk do të shqyrtojnë oferta për lojtarin në afatin dimëror.
Interesimi për Gvardiolin vjen pavarësisht paraqitjeve të mira të dy klubeve në sezonin 2026/27. PSG-ja kryeson Ligue 1 me 23 pikë pas 10 xhirove, ndërsa në Ligën e Kampionëve ka fituar katër ndeshjet e para.
Në anën tjetër, Barcelona prin në La Liga me 33 pikë nga 12 ndeshje, ndërsa trajneri Hansi Flick e vlerëson veçanërisht aftësinë e kroatit për të luajtur në disa pozita në mbrojtje.
Megjithatë, transferimi i tij nuk do të jetë aspak i lehtë. Manchester City kishte paguar mbi 90 milionë euro për ta transferuar kroatin dhe ai ka kontratë me klubin anglez deri në qershor të vitit 2031.
Për këtë arsye, drejtuesit e Cityt nuk kanë arsye të pranojnë një ofertë më të ulët se vlera që i kanë caktuar futbollistit.
Përveç PSG-së dhe Barcelonës, në garë për shërbimet e Gvardiolit janë përmendur edhe Liverpooli, Bayern Munichu, Chelsea dhe Al-Nassr nga Arabia Saudite.
Pritet që klubet e interesuara ta përcjellin nga afër situatën e mbrojtësit kroat gjatë javëve të ardhshme, ndërsa çdo lëvizje konkrete pritet të shtyhet për afatin kalimtar të verës së vitit 2027, pasi Manchester City nuk dëshiron ta humbasë atë në janar. /Telegrafi/





