Promovohet në Prishtinë monografia “István Schütz: Miku hungarez i shqiptarëve”

Promovohet në Prishtinë monografia “István Schütz: Miku hungarez i shqiptarëve”

Promovohet në Prishtinë monografia “István Schütz: Miku hungarez i shqiptarëve”

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” është promovuar monografia “István Schütz: Miku hungarez i shqiptarëve”, e autores Mimoza Hasani Pllana, kushtuar jetës dhe veprës së albanologut hungarez, i cili për dekada kontribuoi në studimin dhe promovimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Ngjarja u organizua nga Ambasada e Hungarisë në Kosovë, ndërsa në promovim morën pjesë ambasadori hungarez László István Dux, akademikët Bardh Rugova dhe Rexhep Ismajli, historiani dhe albanologu Krisztián Csaplár-Degovics, djali i albanologut, Gergely Schütz, si dhe botuesi Bujar Hudhri, raporton KultPlus.

Sponsor 3M Express

Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, László István Dux, vlerësoi kontributin e Schütz-it në studimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare, si dhe angazhimin e tij në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ’80 dhe ’90.

Ai theksoi se Schütz kishte mbajtur lidhje të vazhdueshme me intelektualët kosovarë dhe kishte ndihmuar në qarkullimin e librave shqip në rrethana të vështira politike.

Ambasadori bëri të ditur se Ambasada po bashkëpunon me Komunën e Prishtinës për emërtimin e një rruge ose sheshi me emrin e albanologut hungarez.

Monografia, e botuar nga shtëpia botuese “Onufri”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, trajton kontributin shkencor, letrar, përkthimor, mediatik dhe diplomatik të István Schütz-it (1923–2010), si dhe rolin e tij në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-hungareze.

Autorja Mimoza Hasani Pllana foli për frymëzimin që e shtyu drejt hulumtimit të jetës dhe veprës së Schütz-it, duke e lidhur këtë interesim me përvojën e saj personale në Budapest dhe me kulturën hungareze.

Ajo theksoi se monografia synon të shërbejë si burim për studiuesit e gjuhës shqipe, letërsisë, historisë, përkthimit dhe marrëdhënieve kulturore e diplomatike.

Akademik Bardh Rugova vlerësoi punën hulumtuese të autores dhe rëndësinë e dokumentimit të figurës së Schütz-it për historinë e albanologjisë.

“Ky libër e paguan një borxh”, tha Rugova, duke theksuar se vepra e rikthen albanologun hungarez në kujtesën shqiptare, jo vetëm si studiues të shquar, por edhe si njeri me dashuri të veçantë për shqiptarët.

Ndërkaq, historiani dhe albanologu Krisztián Csaplár-Degovics vlerësoi karakterin shkencor të monografisë dhe përdorimin e burimeve arkivore, duke veçuar edhe trashëgiminë leksikografike të Schütz-it, përfshirë fjalorin e madh shqip-hungarisht, botimi i të cilit pritet së shpejti.

Në promovim foli edhe akademik Rexhep Ismajli, i cili kujtoi takimet dhe bashkëpunimin shumëvjeçar me albanologun hungarez, veçanërisht gjatë pjesëmarrjes së tij në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë.

Botuesi Bujar Hudhri vlerësoi përkushtimin e autores në dokumentimin e jetës dhe veprës së Schütz-it, duke e cilësuar botimin e monografisë si një akt mirënjohjeje ndaj kontributit të tij në afirmimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Në këtë aktivitet, Gergely Schütz, djali i albanologut, ndau kujtime personale nga jeta e babait të tij, duke përmendur librat, dorëshkrimet, udhëtimet në Prishtinë dhe përkushtimin e tij ndaj gjuhës shqipe.

Ai falënderoi autoren për monografinë, duke e përshkruar atë si vazhdimësi të përpjekjeve për ruajtjen dhe përcjelljen te brezat e ardhshëm të trashëgimisë shkencore dhe njerëzore të babait të tij. 

Burimi: RTKLive

Lexo edhe

Jona në gjendje të vështirë emocionale, nuk arrin t’i ndalë lotët (VIDEO)

Jona në gjendje të vështirë emocionale, nuk arrin t’i ndalë lotët (VIDEO)

BE paralajmëron se viti 2026 me gjasë do të jetë i dyti më i nxehtë në histori

BE paralajmëron se viti 2026 me gjasë do të jetë i dyti më i nxehtë në histori

Më shumë se një ndryshim emri: Trump e vendos “Super Inteligjencën” në qendër të strategjisë amerikane

Më shumë se një ndryshim emri: Trump e vendos “Super Inteligjencën” në qendër të strategjisë amerikane