Mënyra se si po qeveriset Prishtina nuk ka të bëjë vetëm me paaftësinë për t’i zgjidhur problemet e përditshme të qytetarëve, as me mungesën e një vizioni për zhvillimin e kryeqytetit. Por, ka të bëjë me një tendencë gjithnjë e më të dukshme për të ndërhyrë në hapësirat publike, për të ndryshuar lagje të tëra dhe për t’u imponuar qytetarëve projekte, të cilat ata as nuk i kanë kërkuar, as nuk janë pyetur nëse i duan. Rasti i fundit i lagjes Ulpiana është ilustrimi më i qartë i kësaj mendësie.
Vendimi i Kuvendit Komunal për caktimin e lokacionit te Fontana, për projektin e ashtuquajtur “Ulpiana 2030 Legacy”, është një tjetër dëshmi se sa larg mund të shkojë papërgjegjësia politike kur pushteti ngatërron mandatin për të qeverisur me të drejtën për të bërë çfarë të dojë. Në vend që të merret me problemet e shumta të kësaj lagjeje, kryetari Përparim Rama planifikon projekte që rrezikojnë ta dëmtojnë njërën prej lagjeve më karakteristike të Prishtinës.

Ulpiana nuk është një hapësirë e zakonshme urbane, në të cilën mund të ndërhyhet sipas tekave të një kryetari komune apo ambicieve të një ekipi projektuesish. Është një lagje me identitet të veçantë urbanistik, me hapësira të gjelbra, me organizim të menduar të ndërtesave, me hapësira të përbashkëta dhe me një histori që e bën të dallueshme nga pjesët e tjera të kryeqytetit. Është një prej atyre lagjeve që duhet të mbrohen, të mirëmbahen dhe të shërbejnë si shembull për zhvillimin e lagjeve të tjera.
Por, çfarë bën kryetari i Prishtinës? Në vend që ta marrë Ulpianën si model, synon ta shndërrojë atë në kantier ndërtimi. Në vend që të ruajë atë që funksionon, dëshiron të ndërhyjë pikërisht aty ku qyteti ka ende diçka për të mbrojtur.
Vendimi i 6 nëntorit për caktimin e lokacionit për ndërtimin e një objekti të ri dhe parkingut nëntokësor nuk është një çështje e vogël teknike, por vendim që prek drejtpërdrejt jetën e mijëra banorëve. Prandaj, pyetja themelore është se si mund të merret një vendim i tillë pa një proces paraprak dhe serioz konsultimi me njerëzit që jetojnë aty? Si mund të planifikohen ndërhyrje në hapësirat e tyre të përbashkëta pa i pyetur? Si mund të vendoset për të ardhmen e një lagjeje sikur banorët të mos ekzistonin? Kjo nuk është qeverisje, por arrogancë institucionale.
Edhe më shqetësues është arsyetimi i Komunës se projekti lidhet me përgatitjet për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”. Ministria e Rinisë dhe Sportit ka sqaruar se objekti dhe parkingu i propozuar në Ulpianë nuk janë pjesë e projektit të Lojërave Mesdhetare dhe se lokacioni nuk është pjesë e kampusit të Qendrës së Studentëve, i paraparë për nevojat e kësaj ngjarjeje. Pra, kur një institucion përgjegjës për organizimin e Lojërave e mohon lidhjen e projektit me to, me çfarë argumenti vazhdon të mbrohet kjo ndërhyrje
Pas reagimeve të qytetarëve, vetë Rama ka deklaruar se projekti është vetëm propozim dhe se nuk do të vazhdohet nëse banorët nuk e duan. Por këtu lind një kundërthënie që nuk mund të kalohet me një postim në Facebook: nëse gjithçka ishte vetëm propozim dhe duhej të diskutohej fillimisht me banorët, pse Kuvendi Komunal e votoi caktimin e lokacionit më 6 nëntor? Pse u vendos institucionalisht për diçka që, sipas kryetarit, ende duhej të diskutohej me qytetarët?
Nuk mund të merret vendimi, të shkaktohet reagimi dhe pastaj të thuhet se gjithçka ishte vetëm një ide.
Kryetari i Prishtinës duhet ta kuptojë se qytetarët nuk janë spektatorë të projekteve të tij. Ata nuk janë aty vetëm për të duartrokitur, për të dëgjuar prezantime të bukura apo për të pranuar vendime të gatshme. Ata kanë të drejtë në vendimmarrje, sidomos kur bëhet fjalë për hapësirën ku jetojnë. Një kryetar komune që nuk e kupton këtë, nuk e ka kuptuar as mandatin që i është besuar.
* * *
Prishtina ka probleme të panumërta që presin zgjidhje. Kaosi në trafik, mungesa e parkingjeve të organizuara, transporti publik i pamjaftueshëm, ndotja, mungesa e hapësirave të gjelbra në shumë pjesë të qytetit, trotuaret e uzurpuara, infrastruktura e dëmtuar dhe problemet e shumta të lagjeve. Banorët e Ulpianës kanë problemet e tyre konkrete, që presin zgjidhje prej vitesh. Në vend të një plani serioz për mirëmbajtjen e lagjes, për përmirësimin e infrastrukturës, për rregullimin e parkingjeve dhe për shtimin e gjelbërimit pa cenuar identitetin e saj, atyre u servohet një projekt që rrezikon ta ndryshojë strukturën ekzistuese. Kjo është mënyra se si një kryetar dështon të qeverisë: nuk i zgjidh problemet, por krijon probleme të reja.
Kapaciteti shkatërrues i Ramës nuk matet vetëm me betonin që mund të hidhet në një hapësirë publike, por edhe me aftësinë për të mos kuptuar se çfarë duhet ruajtur, me mungesën e ndjeshmërisë ndaj interesit publik dhe me bindjen se çdo ide që del nga zyra e tij duhet të kthehet në projekt, pavarësisht pasojave.
Një qytet nuk zhvillohet duke e shkatërruar atë që ka vlerë. Zhvillimi nuk nënkupton ndërtimin e sa më shumë objekteve, as transformimin e çdo hapësire të lirë në një projekt të ri. Zhvillim është ruajtja e identitetit urban, përmirësimi i kushteve të jetesës dhe krijimi i hapësirave publike që u shërbejnë njerëzve. Nëse Ulpiana ka nevojë për diçka, ajo ka nevojë për mbrojtje dhe mirëmbajtje, jo për eksperimente urbanistike.
Reagimet e banorëve, i Asociacionit të Arkitektëve dhe i profesionistëve të tjerë që kanë ngritur shqetësime për këtë projekt duhet të merren seriozisht. Vendimi duhet anuluar dhe duhet ndërprerë çdo procedurë që mund ta rrezikojë Ulpianën.
Përparim Rama duhet ta kuptojë se Prishtina nuk është pronë e tij, as Ulpiana nuk është hapësirë në të cilën ai mund t’i provojë ambiciet e veta arkitektonike e politike. Mandati për të qeverisur nuk është autorizim për të shkatërruar. Qytetarët nuk ia kanë dhënë votën për t’ua vështirësuar jetën, por për t’ua zgjidhur problemet.
Ulpiana duhet të mbrohet. Jo për shkak të nostalgjisë për të kaluarën, por sepse një qytet që nuk di ta ruajë atë që ka të mirë, nuk ka asnjë garanci se do të ndërtojë një të ardhme më të mirë.
Burimi: Dukagjini





