Premisat e gabuara të Perëndimit për të ndalur Rusinë

Premisat e gabuara të Perëndimit për të ndalur Rusinë

Premisat e gabuara të Perëndimit për të ndalur Rusinë

Shkruan: Enver Hasani

Sponsor 3M Express

Çdo pazar tjetër që i njeh Rusisë zgjerimin territorial, pavarësisht nga garancitë që ofrohen, qoftë edhe anëtarësimi i Ukrainës në NATO në këmbim të dhënies së një pjese të territorit ukrainas, do të jetë vetëm i përkohshëm dhe uverturë e mundshme e një zgjerimi të mëtejshëm territorial rus në drejtim të Polonisë dhe vendeve baltike, duke rrezikuar ndarjen territoriale të NATO-s nëpërmjet korridorit të Suwałkit, ndërmjet Polonisë dhe Lituanisë.

Premisa e gabuar e Perëndimit I

Ekspansioni aktual rus, nëse duhet kërkuar një pikë referimi kohore dhe hapësinore, paralajmërohet publikisht me një fjalim të Putinit në Mynih, më 10 shkurt 2007, në Konferencën e 43-të të Sigurisë së Mynihut. Siç e përshkruan Angela Merkel në librin e saj Freedom: Memoirs 1954–2021 (2024), përmbajtja dhe toni i atij fjalimi përbënin një kthesë të papritur në raportet e Rusisë me Perëndimin. Ne që e mbajmë mend atë periudhë, e dimë se Putini deri atë ditë kishte qenë i përkëdheluri i Perëndimit: familja Bush e kishte ftuar si mysafir personal, kurse strukturat ekonomike dhe të sigurisë që diktoheshin nga Perëndimi e kishin integruar Rusinë deri në atë masë sa ajo trajtohej pothuajse si pjesë e grupit të tyre – “one of us”. Pse?

Ka qenë një bindje e përhapur ndër perëndimorët se zhvillimi dhe progresi ekonomik i Rusisë, por edhe i Kinës dhe i vendeve të ish-universit komunist, do të çonin automatikisht në paqtimin e shoqërive dikur të dhunshme dhe të traumatizuara nga dhuna komuniste totalitare. Më kujtohet një vizitë në SHBA, në Washington, D.C., me një grup liderësh të rinj nga Kosova, në kuadër të International Visitor Program, kur një analist ose ligjërues na fliste për Kinën si një shoqëri të ndikuar thellësisht nga konfucianizmi, krejtësisht paqësore, që kurrë nuk kishte shprehur ambicie hegjemoniste dhe as kishte pushtuar popujt përreth (sic !). Ky konstatim ishte i pasaktë jo vetëm sepse Kina moderne, përkundër trashëgimisë së saj konfucianiste, ishte prekur thellësisht nga nacionalizmi, ashtu sikurse të gjitha kombet moderne, kush më herët e kush më vonë, por edhe sepse historia e saj nuk dëshmonte për ndonjë karakter qenësisht paqësor dhe johegjemonist. Në të kaluarën, Kina kishte ndërmarrë vazhdimisht fushata ekspansioniste dhe kishte nënshtruar popujt përreth, sa herë që rrethanat historike dhe raportet e forcave ia kishin mundësuar një gjë të tillë. Mjafton të kujtojmë ekspansionin territorial të dinastisë Qing në Azinë Qendrore gjatë shekullit XVIII, vendosjen e kontrollit ushtarak kinez mbi Tibetin më 1950–1951, luftën me Indinë më 1962 dhe ndërhyrjen ushtarake në Vietnam më 1979.

Në raport me Rusinë, një diskurs i njëjtë ishte mbizotërues deri në Konferencën e Mynihut. Putini merrej me të mirë, si një ish-agjent i disiplinuar i KGB-së dhe si një njeri që ia dinte rendin pushtetit dhe sigurisë ndërkombëtare, që e kuptonte se Perëndimi kishte epërsi të padiskutueshme në botën postkomuniste, dhe kështu me radhë. Në kohën që Putini po përkëdhelej, Perëndimi e kishte zhytur veten në luftëra të kota për shtetformim e shtetndërtim në Azi, duke shpenzuar pasuri të pafundme. Qëllimisht po përdor termat shtetformim dhe shtetndërtim, për të treguar gabimin më fatal të Perëndimit në raport me këtë projekt në Afganistan dhe Irak, në vend që të kufizohej në luftën ushtarake kundër terrorizmit global, veçanërisht në Afganistan, ku solidariteti ndërkombëtar ishte i gjerë dhe barra e luftës mund të ndahej ndërmjet një numri të madh shtetesh.

Në këtë kohë të angazhimit të Perëndimit në projekte të shtetformimit e të shtetndërtimit, Putini kishte arritur të akumulonte burime kolosale financiare për Rusinë, nëpërmjet eksportit të naftës dhe gazit natyror, ndërkohë që rrjetet oligarkike ruse shtrinin veprimtarinë e tyre financiare në ekonominë globale, përfshirë edhe kanalet e paligjshme të qarkullimit të kapitalit. Rusia kishte arritur të krijonte një shkallë të konsiderueshme varësie energjetike në zemër të Perëndimit, në Evropë, duke ngushtuar hapësirën e veprimit gjeopolitik të aleatëve të tjerë të Perëndimit. Projektet energjetike ruso-gjermane, veçanërisht Nord Stream, përbënin një nga manifestimet më të dukshme të kësaj varësie. Pikënisja politike dhe strategjike e këtij triumfi putinian duhet kërkuar në riorientimin e prioriteteve të Perëndimit pas tragjedisë së 11 shtatorit 2001. Në këtë kuptim, mund të thuhet se premisa e gabuar e Perëndimit mori formën e saj strategjike pas tragjedisë së 11 shtatorit. Politika perëndimore, e nisur fillimisht në drejtimin e duhur, me rrëzimin e regjimit taliban në fund të vitit 2001, devijoi më pas drejt projektit të shtetndërtimit dhe shtetformimit. Kjo premisë e kishte origjinën në faktorin e sigurisë, përkatësisht në luftën për sigurinë globale, ndërsa si bazë mbështetëse politike kishte bindjen se zhvillimi ekonomik dhe tregtia me Rusinë e Kinën, si dhe me vendet e ish-universit komunist dhe të universit komunist të mbetur, do të çonin në transformimin politik dhe paqtimin e këtyre shoqërive, ashtu siç na thoshte ai ligjëruesi amerikan.

Kjo qasje shpërfillte në tërësi nacionalizmi kinez, përbërësit dhe synimet e tij. Aktualisht, ky nacionalizëm, i promovuar fuqishëm nga Partia Komuniste e Kinës, ka një përbërës konfucianist, por ky përbërës nuk është domosdoshmërisht elementi i tij përcaktues. Është një formë tipike e nacionalizmit të modelit kinez, në të cilin ideologjia komuniste u është përshtatur veçorive historike, kulturore dhe interesave kombëtare të Kinës. Kemi të bëjmë, me fjalë të tjera, me atë që mund ta quajmë “komunizëm sipas kombit konkret”. Në terminologjinë zyrtare kineze, kjo ndërthurje ideologjike dhe kombëtare gjen shprehje në formulën e “socializmit me karakteristika kineze”. Në këtë konfigurim, konfucianizmi shërben edhe si burim plotësues i legjitimitetit kulturor dhe politik të regjimit, pa e zëvendësuar nacionalizmin si një ndër shtyllat kryesore të legjitimimit të tij.

Premisa e gabuar e perëndimit II

Ajo që sot duket se është harruar, e që u quajt Pranvera Arabe, ka qenë momenti i dytë kur Perëndimi pati mundësinë të korrigjonte premisat e gabuara të politikës së tij para Konferencës së Mynihut. Kur në dhjetor të vitit 2010 nisën në Tunizi valët e protestave popullore për demokratizimin e botës arabe, Perëndimi u zu i papërgatitur. Përgjigjja e tij qe fillimisht mjaft e mefshtë dhe e paorientuar, duke u përqendruar kryesisht në mbështetjen politike dhe inkurajimin e aspiratave demokratike të rinisë arabe, mobilizimi i së cilës u lehtësua në masë të madhe nga rrjetet sociale. Synimi ishte përmbysja e regjimeve autoritare, shumë prej të cilave ishin mbështetur për dekada nga vetë Perëndimi, fillimisht si kundërpeshë ndaj ndikimit sovjetik dhe, më vonë, për arsye të sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

Çmontimi i këtyre regjimeve dhe i atyre që kishte lënë prapa Bashkimi Sovjetik besohej se mund të realizohej nëpërmjet lëvizjeve masive të rinisë arabe në Lindjen e Mesme dhe në vendet e Magrebit. Mirëpo, pritshmëria se përmbysja e regjimeve autoritare do të prodhonte vetvetiu demokraci kushtetuese rezultoi të ishte një gabim i madh, pjesërisht për të njëjtat arsye strukturore dhe institucionale që kishin kushtëzuar dështimin e projekteve të shtetndërtimit dhe shtetformimit në Afganistan dhe Irak. Siç argumentojnë Jason Brownlee, Tarek Masoud dhe Andrew Reynolds në librin e tyre The Arab Spring: Pathways of Repression and Reform (2015), rrëzimi i regjimeve autoritare nuk solli domosdoshmërisht demokratizimin, sepse strukturat historike të pushtetit dhe institucionet e trashëguara vazhdonin të përcaktonin fatin politik të këtyre shoqërive.

Ka mijëra libra e debate akademike lidhur me çështjen nëse dhe deri në çfarë mase bota myslimane mund t’i përvetësojë vlerat liberale të demokracive kushtetuese perëndimore. Samuel P. Huntington, në librin e tij The Clash of Civilizations and the Remaking of World Order (1996), e kishte problematizuar pikërisht universalitetin e vlerave politike perëndimore. Në anën tjetër, Alfred Stepan dhe Juan J. Linz, në studimin e tyre Democratization Theory and the “Arab Spring” (2013), kishin argumentuar se tradita islame nuk përbënte në vetvete një pengesë të pakapërcyeshme për demokratizimin. Kush beson se përvetësimi i këtyre vlerave mund të ndodhë automatikisht, pa marrë parasysh traditat historike, kulturore, fetare dhe institucionale të shoqërive përkatëse, e ka gabim. Përvojat e modernizimit politik dhe kushtetues në vende si Tunizia, Turqia dhe Irani, ndonëse thellësisht të ndryshme për nga natyra dhe rezultatet e tyre, dëshmojnë kompleksitetin e këtij procesi.

Nuk bëhet fjalë vetëm për botën islame, por edhe për shoqëritë e tjera që historikisht nuk kanë gravituar brenda universit greko-romak dhe judeo-kristian, mbi të cilin është ndërtuar një pjesë e konsiderueshme e traditës politike dhe kushtetuese të Perëndimit. Edhe brenda vetë botës së krishterë ekzistojnë tradita të ndryshme të organizimit politik dhe shtetëror, siç dëshmon përvoja historike e Rusisë dhe e disa vendeve ortodokse që kanë gravituar nën orbitën e saj. Natyrisht, këto dallime historike e qytetërimore nuk përjashtojnë mundësinë e demokratizimit, por as nuk e bëjnë atë një proces të vetvetishëm. Kjo do të thotë se Perëndimi duhet ta marrë këtë botë ashtu siç është dhe jo siç dëshiron të jetë ajo, duke marrë parasysh vlerat politike, shtetërore dhe kushtetuese që një shoqëri e organizuar në shtet përqafon. Njohja e këtij realiteti nuk nënkupton miratimin moral të regjimeve të saj politike, por përbën një parakusht për formulimin e një politike të jashtme realiste dhe efektive.

Pranvera Arabe degjeneroi shpejt dhe nxori në sipërfaqe nacionalizmin arab dhe konfliktet e pazgjidhura që kishin shoqëruar lindjen e tij gjatë shekullit XX. Në rend të parë ishte konsolidimi i brendshëm përmes eliminimit të kundërshtarëve politikë dhe fetarë, veçanërisht përmes përshkallëzimit të konfliktit ndërmjet shiitëve dhe sunitëve. Paralelisht me këtë u intensifikua dhuna kundër elementit të krishterë në rajon dhe grupeve të tjera etnike e fetare që nuk identifikoheshin me shumicën arabe sunite. Në aspektin politik, degjenerimi ishte më i theksuar në Egjipt, ku nacionalizmit tradicional arab iu mbivendos solidariteti islamik i Vëllazërisë Myslimane, e cila e shihte veten si një lloj “Internacionaleje të Parë” panislamike. Në një kontekst rajonal ku Rusia kishte interesa të rëndësishme strategjike, veçanërisht në Siri dhe Libi, Perëndimi tregoi një tolerancë të konsiderueshme ndaj grushtit të shtetit të 3 korrikut 2013, që rrëzoi presidentin Mohamed Morsi të Vëllazërisë Myslimane dhe i hapi rrugën ardhjes në pushtet të një gjenerali tjetër egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi. Paradoksalisht, ishte pikërisht nën sundimin e këtij të fundit që marrëdhëniet ruso-egjiptiane u fuqizuan ndjeshëm.

Kjo kthesë perverse e politikës perëndimore la një shije të keqe, në veçanti në raport me amerikanët, që nga aleatët e tyre mund të perceptoheshin si të pabesë: mund të bashkëpunosh me ta me dekada të tëra, por në fund të lënë në kafaz për të ndjekur gjykimin kundër teje, në mënyrën më të padinjitetshme që mund t’i ndodhë dikujt. E kam fjalën për Hosni Mubarakun, njërin prej udhëheqësve më proamerikanë dhe properëndimorë në rajon, dhe fatin e tij tragjik.

Rasti i Sirisë dhe qëndrimi ndaj kryengritësve ishin edhe më dramatikë në sytë e aleatëve të Perëndimit, përfshirë forcat ushtarake properëndimore që luftonin regjimin e Asadit dhe përhapjen e organizatës terroriste globale të njohur si ISIS (Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë, i njohur edhe si Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit – ISIL). Regjimi në Damask po mbijetonte falë mbështetjes ruse dhe iraniane. Në vend që ajo mbështetje të dobësohej dhe të luftohej, administrata e Obamës i hapi dyert bashkëpunimit diplomatik me Rusinë dhe, më vonë, koordinimit të kufizuar ushtarak në kontekstin e luftës kundër ISIS-it.

Momenti i artë, kur Perëndimi duhej t’i tregonte Rusisë vendin, ishte sulmi masiv me armë kimike kundër civilëve në Ghouta, në periferi të Damaskut, më 21 gusht 2013. Kjo nuk ndodhi. Në vend të ndërhyrjes ushtarake, administrata amerikane zgjodhi një marrëveshje diplomatike me Rusinë për çarmatimin kimik të Sirisë. Rusia u fuqizua, kurse amerikanët dhe Perëndimi u tërhoqën në periferi të zhvillimeve politike, duke u përqendruar në menaxhimin e marrëdhënieve me Turqinë dhe të konfliktit të saj me kurdët e rajonit, në një kohë kur ISIS-i, me shpejtësi marramendëse, po zgjeronte kontrollin territorial në Siri dhe Irak. ISIS-i, si rrezik i përbashkët, bëri që Hezbollahu, Irani dhe regjimi në Damask të luftonin kundër të njëjtit armik si rusët dhe amerikanët, ndonëse në fronte të ndryshme, duke krijuar përshtypjen e një aleance ndërmjet tyre. Në fakt, bëhej fjalë për një rrezik të përbashkët, i cili ekzistonte edhe për aleatin amerikan në NATO, Turqinë, por prioritetet strategjike të kësaj të fundit binin ndesh me interesat amerikane. Turqia kishte hallin me kurdët e rajonit dhe qëndrimi fillimisht tolerues i saj ndaj veprimtarisë së strukturave xhihadiste pranë kufirit sirian ngjalli dyshime për përparësinë që Ankaraja i jepte pengimit të fuqizimit të kurdëve në rajon, veçanërisht pas përfundimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Në këtë vorbull, Perëndimi humbi nga sytë interesin e vet afatgjatë të sigurisë: të gjithë përfituan nga pak, përveç vetë Perëndimit.

Premisa e gabuar e Perëndimit III

Shqetësimet e sigurisë, pra, peshojnë shumë në çdo kalkulim gjeopolitik dhe janë pjesë përbërëse e çdo strategjie shtetërore. Çdoherë dhe kudo. Kjo për faktin se marrëdhëniet ndërkombëtare nuk janë marrëdhënie vertikale, ku ekziston një autoritet suprem që garanton rendin dhe zbatimin e ligjit, por marrëdhënie horizontale, ku secili shtet duhet të kujdeset për sigurinë e vet. Kjo quhet vetëndihmë (self-help), siç e shpjegon Kenneth N. Waltz në veprën e tij Theory of International Politics (1979), dhe buron nga fakti se lufta për ekzistencë është një luftë permanente që zhvillohet në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sot kjo luftë është më pak e dukshme se dikur, kur brenda një kohe fare të shkurtër zhdukeshin shtete e perandori të tëra, emrat e të cilave sot mezi njihen. Kush di sot për Perandorinë e Khwarezmit apo për shkatërrimin e Bagdadit më 1258, që shënoi fundin e Kalifatit Abasid në Bagdad, të dyja si pasojë e pushtimeve mongole? Kuptohet, përveç historianëve të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe atyre që i kanë këto periudha fushë të ngushtë specializimi.

I ngrita këto konsiderata themelore teorike në marrëdhëniet ndërkombëtare, që janë të një rëndësie vendimtare, për shkak se, siç u pa, ato kanë diktuar sjelljen e Turqisë, Sirisë, Egjiptit dhe aktorëve të tjerë në kohën e Pranverës Arabe dhe pas saj, deri në rrënimin e kalifatit territorial të ISIS-it. Kanë qenë pikërisht konsiderata të tilla që kanë diktuar dhe formësuar fjalimin e Putinit në Mynih. Ai aty e bëri të qartë, pa ekuivoke, kundërshtimin e Rusisë ndaj zgjerimit të NATO-s dhe hegjemonisë perëndimore. Këtë paralajmërim ai e materializoi fillimisht me luftën në Gjeorgji, më 2008, dhe më pas me aneksimin e Krimesë, më 2014, kur, sipas mendimit tim, amerikanët dhe aleatët e tyre ia kishin lënë fushën e lirë të veprimit në Siri dhe gjetiu në Lindjen e Mesme. Vështirë se do të kishte ndodhur aneksimi i Krimesë, sikur Perëndimi të kishte goditur fuqishëm në Siri regjimin kriminal të Bashar al-Asadit.

Një faktor tjetër permisiv i aneksimit të Krimesë ka qenë edhe fakti se Ukraina kishte hequr dorë nga armët bërthamore në bazë të Memorandumit të Budapestit të 5 dhjetorit 1994, duke marrë zotime për sigurinë e saj nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe vetë Rusia. Dorëzimi i këtyre armëve përfundoi më 1996. Këto zotime mbetën floskula politike, fillimisht në Krime e më pas në juglindje të vendit.

Zgjatja e luftës së konsumimit (war of attrition) në Ukrainë ka krijuar një tjetër realitet në komunitetin euroatlantik të sigurisë: në një pjesë të diskursit strategjik perëndimor vërehet gjithnjë e më shumë mirëkuptim për konsideratat ruse të sigurisë, duke nënkuptuar, në rend të parë, moszgjerimin e NATO-s në drejtim të asaj që në diskursin gjeopolitik rus quhet “near abroad” (fqinjësia e afërt). Alamet strategësh amerikanë dhe evropianë thonë se duhen marrë në konsideratë frika e Rusisë dhe shqetësimet e saj për sigurinë. Një argument të tillë e kishte artikuluar që më 2014 John J. Mearsheimer në artikullin e tij Why the Ukraine Crisis Is the West’s Fault, botuar në revistën Foreign Affairs. Për më tepër, disa syresh tani na thonë se është fat që Putini është në krye të shtetit rus, sepse është racional dhe nuk përdor armët bërthamore. Thuajse përdorimi i armëve të tilla varet vetëm nga një hap irracional njerëzor! Përdorimi i armëve bërthamore, sikurse edhe i çdo armatimi tjetër, në marrëdhëniet ndërkombëtare mund të përbëjë një akt të kalkulimit racional strategjik. Në logjikën e racionalitetit shtetëror, një vendim i tillë presupozon një përllogaritje të thellë nga ana e shtetit dhe e atyre që vendosin në emër të tij, duke peshuar kostot dhe përfitimet (cost-benefit), si dhe interesin strategjik të vendit në afat të mesëm e të gjatë. Pikërisht këtë përllogaritje ka pasur parasysh Putini kur, herë pas here, ai ose vartësit e tij kanë kërcënuar Perëndimin me përdorimin e armatimit bërthamor strategjik. Për të treguar se, në rast të humbjes, ai nuk zgjedh mjete për të mbrojtur interesin shtetëror të Rusisë. Kjo logjikë e Putinit është racionale dhe kërcënimi i tij i besueshëm, për aq kohë sa nuk ndeshet me një kundërkërcënim po aq serioz, të prekshëm dhe të besueshëm nga pala tjetër, qoftë Ukraina, qoftë Perëndimi në tërësi.

Ndërtimi dhe miratimi i diskursit putinian, sipas të cilit adresimi i shqetësimeve ruse të sigurisë do t’i japë fund luftës dhe do të sigurojë një paqe të qëndrueshme, përbën premisën aktuale të gabuar të Perëndimit në raport me Rusinë. Konsideratat ruse të sigurisë, sikurse çdo konsideratë tjetër e sigurisë, nuk mund të përcaktohen me një parametër absolut. Kështu ka qenë çdoherë në të kaluarën dhe kështu është kudo ku shtrohet çështja e sigurisë. Dhënia e territorit të Ukrainës, qoftë edhe deri në dyert e Kievit, nuk përbën një parametër të qëndrueshëm të sigurisë, sikurse nuk përbënin një të tillë as zotimet e Memorandumit të Budapestit të vitit 1994, mbi bazën e të cilave Ukraina hoqi dorë nga armatimi bërthamor. Pse të mos jetë atëherë parametër i sigurisë garancia që u jepet rusëve se Ukraina nuk do të jetë anëtare e NATO-s në 50 vjetët e ardhshëm, ose asnjëherë në të ardhmen, duke mbetur një shtet neutral në raportet ndërmjet Evropës dhe Rusisë? Edhe ky është një parametër fluid. Ajo që mund të matet konkretisht është kapaciteti i Perëndimit për të prodhuar siguri për vetveten, përmes aleancave në NATO dhe përtej saj, për të zmbrapsur Rusinë dhe projektin e saj të zgjerimit territorial në Ukrainë dhe kudo në periferinë e Rusisë, në drejtim të Evropës dhe aleatëve të saj, jashtë kufijve ndërkombëtarisht të njohur të Federatës Ruse pas shpërbërjes së ish-BRSS-së. Çdo pazar tjetër që i njeh Rusisë zgjerimin territorial, pavarësisht nga garancitë që ofrohen, qoftë edhe anëtarësimi i Ukrainës në NATO në këmbim të dhënies së një pjese të territorit ukrainas, do të jetë vetëm i përkohshëm dhe uverturë e mundshme e një zgjerimi të mëtejshëm territorial rus në drejtim të Polonisë dhe vendeve baltike, duke rrezikuar ndarjen territoriale të NATO-s nëpërmjet korridorit të Suwałkit, ndërmjet Polonisë dhe Lituanisë. Kush nuk e kupton këtë sot, e ka shumë gabim. Shqetësimeve ruse të sigurisë duhet t’u kundërvihen konsideratat e sigurisë së vetë Perëndimit, të mbështetura në projektimin e një fuqie ushtarake të besueshme, shumëfish më të madhe se ajo ruse.

Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe profesor i së drejtës dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

Zbulimi i laboratorit të drogës në Shkodër, procedohen penalisht 5 punonjës të OSHEE-së

Zbulimi i laboratorit të drogës në Shkodër, procedohen penalisht 5 punonjës të OSHEE-së

Si ta zbuloni se cili është orari ideal i gjumit?

Si ta zbuloni se cili është orari ideal i gjumit?

Shasivari i përgjigjet Ahmetit: BDI-ja nuk ka monopol as mbi Marrëveshjen e Ohrit, as mbi gjuhën shqipe

Shasivari i përgjigjet Ahmetit: BDI-ja nuk ka monopol as mbi Marrëveshjen e Ohrit, as mbi gjuhën shqipe