Nga “Kafet me Kryetarin” te tenderët, ish-zyrtarë e aktivistë të LDK-së në mesin e të angazhuarve si konsulentë përmes tenderit 118 mijë euro në Istog

Nga “Kafet me Kryetarin” te tenderët, ish-zyrtarë e aktivistë të LDK-së në mesin e të angazhuarve si konsulentë përmes tenderit 118 mijë euro në Istog

Nga “Kafet me Kryetarin” te tenderët, ish-zyrtarë e aktivistë të LDK-së në mesin e të angazhuarve si konsulentë përmes tenderit 118 mijë euro në Istog

Persona që kanë garuar për ulëse në Kuvendin Komunal nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që kanë udhëhequr struktura të kësaj partie apo që kanë publikuar postime mbështetëse për kryetarin e Istogut, Ilir Ferati, janë në mesin e emrave të përzgjedhur nga Komuna për të ofruar shërbime në disa pozita komunale.

Sponsor 3M Express

Gazeta Insajderi

Komuna e Isogut ka dhënë një tender me vlerë të parashikuar prej 118 mijë eurosh, të ndarë në shtatë lote, përmes të cilit Komuna e Istogut ka kërkuar angazhimin e profesionistëve për shërbime të ndryshme, nga radiologjia dhe psikologjia, deri te ujitja dhe kullimi, logopedia dhe arsimi profesional.

Rezultatet e kësaj procedure janë publikuar më 18 nëntor 2026.

Në mesin e personave të përzgjedhur janë Veton Kurti, i cili në zgjedhjet lokale të vitit 2025 ishte prezantuar nga vetë kryetari Ferati si kandidat i LDK-së për Asamblenë Komunale; Fjolla Bytyçi, ish-kryetare e Forumit të LDK-së në nëndegën e Istogut; Qazim Haxhiu, i cili në rrjetet sociale ka shprehur publikisht mbështetje për Feratin dhe familja e të cilit ka përfaqësim në Kuvendin Komunal; si dhe Egzona Balaj, e cila ka publikuar fotografi e mesazhe në mbështetje të kryetarit, shkruan Insajderi.

Për këta persona, Komuna ka paraparë pagesa që, vetëm në katër pozitat për të cilat janë identifikuar emrat dhe vlerat, arrijnë në 57 mijë e 791 euro e 76 centë.

Gazeta Insajderi ka shqyrtuar dokumentacionin e tenderit dhe të dhënat publike për personat e përzgjedhur. Ato tregojnë se disa prej tyre kanë pasur angazhime në strukturat ose aktivitetet politike të LDK-së, partisë së cilës i përket edhe kryetari i komunës, Ilir Ferati.

Kandidati i LDK-së për asamblist, përzgjidhet për shërbimin e radiologjisë

Njëri prej personave të përzgjedhur është Veton Kurti, i cili do të angazhohet në shërbimin e radiologjisë. Vlera e kontratës për këtë shërbim është 13 mijë e 920 euro.

Kurti nuk është emër i panjohur në aktivitetet politike të LDK-së në Istog.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2025, kryetari i Komunës, Ilir Ferati, kishte publikuar një postim përmes të cilit kërkonte mbështetje për Kurtin, i cili garonte për Asamblenë Komunale me numrin 20 në listën e kësaj partie.

Në atë postim, Ferati e kishte prezantuar Kurtin si mjek të specializuar në radiologji, duke përmendur edhe angazhimin e tij të mëhershëm si asamblist në Kuvendin Komunal.

“Me qëllime të qarta, Veton Kurti rikthehet sërish për të kërkuar besimin tuaj në Asamblenë Komunale, këtë herë me numrin 20 në listën e LDK-së”, kishte shkruar Ferati.

Kryetari i Istogut kishte përmendur edhe angazhimin e Kurtit në Forumin Rinor të LDK-së dhe në shoqërinë civile, ndërsa e kishte cilësuar atë si person të përkushtuar ndaj qytetarëve.

Në të njëjtin postim, ai kishte kërkuar votën për Kurtin, duke e përmendur edhe profesionin e tij si mjek i specializuar në radiologji.

Tashmë, Kurti është përzgjedhur për të ofruar shërbime pikërisht në këtë fushë, përmes kontratës me Komunën e Istogut.

Sipas përshkrimit të detyrave në dokumentacionin e tenderit, angazhimi i tij përfshin leximin dhe përgatitjen e raporteve për rentgen dhe mamografi, menaxhimin e ordinancës, administrimin e dosjeve mjekësore dhe organizimin e punës në shërbimin e radiologjisë.

Në detyrat e përcaktuara përfshihen edhe ofrimi i shërbimeve mjekësore specialistike në radiologji, mbikëqyrja e punës së personelit, si dhe planifikimi i furnizimit dhe përdorimit të pajisjeve, barnave dhe materialit shpenzues.

Dokumenti parasheh që angazhimi të jetë me orar jo të plotë, katër orë në ditë, për dy ditë në javë, përkatësisht 64 orë në muaj.

Zyrtari për ujitje dhe kullim që shprehte mbështetje për Feratin

Një tjetër person i përzgjedhur në këtë procedurë është Qazim Haxhiu, i cili është angazhuar si zyrtar për ujitje dhe kullim. Vlera e kontratës për këtë pozitë është 15 mijë euro.

Në profilin e tij në “Facebook”, Haxhiu ka të shënuar se punon si zyrtar në Drejtorinë e Bujqësisë në Komunën e Istogut.

Përveç kësaj, në rrjetet sociale ai ka publikuar një mesazh në të cilin shpreh mbështetje për kryetarin Ilir Ferati, duke e përgëzuar për punën gjatë mandatit të tij të parë dhe duke i uruar vazhdimin e udhëheqjes së komunës edhe për katër vjet të tjera.

“Të lumtë për punën e palodhshme për këto katër vite kryetar. Je një shembull i mirë për të gjithë”, kishte shkruar Haxhiu.

Lidhja me strukturat politike të LDK-së shfaqet edhe përmes babait të tij, Bedri Haxhiut. Ky i fundit kishte kandiduar për Asamblenë Komunale në zgjedhjet e vitit 2025 nga radhët e LDK-së, me numrin 113.

Aktualisht, në faqen zyrtare të Komunës së Istogut, Bedri Haxhiu figuron si këshilltar komunal nga radhët e LDK-së.

Kështu, Qazim Haxhiu është përzgjedhur për një pozitë në një procedurë komunale ku vlera e angazhimit arrin gati 15 mijë euro, ndërsa babai i tij është pjesë e Kuvendit Komunal si përfaqësues i partisë së kryetarit të komunës.

Ish-kryetarja e Forumit të LDK-së angazhohet si psikologe në QKMF

Në mesin e personave të përzgjedhur është edhe Fjolla Bytyçi, e cila do të angazhohet si psikologe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Istog.

Vlera e kontratës për këtë pozitë është 13 mijë e 992 euro.

Bytyçi ka pasur angazhim të drejtpërdrejtë në strukturat e LDK-së. Në vitin 2022, ajo ishte zgjedhur kryetare e Forumit të LDK-së në nëndegën e Istogut.

Zgjedhja e saj në këtë pozitë partiake ishte bërë publike edhe përmes njoftimeve në rrjetet sociale.

Katër vjet më vonë, emri i saj shfaqet në rezultatet e tenderit të Komunës së Istogut, ku është përzgjedhur për të ofruar shërbime psikologjike në QKMF.

Bytyçi në një përgjigje për Insajderin tha se nuk ka pozitë aktualisht në parti.

“Që në studimet bachelor jam angazhuar në praktika profesionale. Si çdo person tjetër edhe unë kam bindjet e mija në politikë por që asnjëherë nuk kanë ndikuar në punën dhe profesionin tim“, tha ajo.

Ky angazhim është pjesë e tenderit të ndarë në shtatë lote, përmes të cilit Komuna ka paraparë të sigurojë shërbime të ndryshme konsulente për institucionet e saj.

Përkrahte publikisht kryetarin, përzgjidhet për arsimin profesional

Në listën e personave të përzgjedhur është edhe Egzona Balaj, e cila është angazhuar për pozitën e zyrtares për arsim profesional.

Vlera e kontratës për këtë angazhim është 14 mijë e 880 euro.

Edhe Balaj ka pasur postuat në mbështetje të kryetarit të Istogut, Ilir Ferati. Në një postim në rrjetet sociale, ajo kishte publikuar një fotografi me të, të shoqëruar me mbishkrimin:

“Kafet e së shtunës, i kemi me Kryetarin!”.

Tashmë, emri i saj figuron në mesin e personave të përzgjedhur për të ofruar shërbime në Komunën që udhëhiqet nga Ferati.

Për këtë pozitë, Komuna ka paraparë pagesë prej 14 mijë e 880 eurosh.

Gazeta Insajderi ka provuar të marrë përgjigje edhe nga personat e përzgjedhur përmes këtij tenderi, lidhur me angazhimin e tyre dhe lidhjet e përmendura në këtë artikull, por deri në publikimin e tij, ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

U gjet në varrezën masive në Kalludër, Adem Ademi rivarroset më 28 nëntor në Mitrovicë

U gjet në varrezën masive në Kalludër, Adem Ademi rivarroset më 28 nëntor në Mitrovicë

Mungesë e sigurisë për punëtorët, Inspektorati i Punës ndalon punimet në një objekt ndërtimi në Pejë

Mungesë e sigurisë për punëtorët, Inspektorati i Punës ndalon punimet në një objekt ndërtimi në Pejë

​Kreu i Parlamentit të Serbisë i ndal mikrofonin Vuçiqit, ky i fundit braktis i irrituar sallën

​Kreu i Parlamentit të Serbisë i ndal mikrofonin Vuçiqit, ky i fundit braktis i irrituar sallën