Një zyrtar policor nga Stacioni Policor në Ferizaj ka përfunduar në pranga të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), nën dyshimin për përfshirje në organizimin e bixhozit të paligjshëm online, armëmbajtje pa leje dhe shitjen e një arme të tipit Kallashnikov.

IPK-ja ka bërë të ditur se arrestimi është kryer të martën, pas veprimeve hetimore të zhvilluara në koordinim me Prokurorinë e Shtetit. Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Sipas dyshimeve fillestare, polici, jashtë detyrës zyrtare, gjatë vitit 2026 ishte përfshirë në organizimin e bixhozit të paligjshëm në formë online. Ai dyshohet gjithashtu se kishte mbajtur në posedim një armë të gjatë të tipit Kallashnikov, të cilën më pas ia kishte shitur një personi tjetër.
Në kuadër të hetimeve, hetuesit e IPK-së kanë bastisur shtatë lokacione, ku kanë sekuestruar dy armë të shkurtra, një armë të gjatë gjuetie, dy thika dhe municion të llojeve të ndryshme.
Përveç zyrtarit policor, në këtë rast janë intervistuar edhe gjashtë qytetarë, në cilësinë e të dyshuarve për veprën penale “Shitblerja e armëve”. Ndaj tyre, hetimet do të vazhdojnë në procedurë të rregullt.
IPK-ja ka bërë të ditur se, në interes të hetimit dhe bazuar në autorizimet ligjore, i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e zyrtarit policor.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





