Policia e Kosovës do të nisë kthimin e patentë-shoferëve që u janë marrë përkohësisht shoferëve si pasojë e masave mbrojtëse, në rastet kur ka kaluar afati ligjor për mbajtjen e tyre.
Kjo vjen pas një aktgjykimi të Gjykatës Supreme, me të cilin është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar paragrafi 3 i nenit 17 të Udhëzimit Administrativ për Procedurat e Kundërvajtjes.

Sipas njoftimit të Policisë, aktgjykimi nuk e ndryshon mundësinë e shqiptimit të masës mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjetit dhe as nuk i shfuqizon masat e shqiptuara më parë.
Ndryshimi ka të bëjë vetëm me mbajtjen fizike të patentë-shoferëve nga Policia, e cila, sipas Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor dhe vendimit të Gjykatës Supreme, nuk mund të zgjasë më shumë se tetë ditë.
Policia ka bërë të ditur se do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për kthimin e patentë-shoferëve të mbajtur përkohësisht, për të cilët ka kaluar ky afat ligjor.
Megjithatë, kthimi i patentë-shoferit nuk nënkupton se shoferi mund ta drejtojë automjetin gjatë kohës sa është në fuqi masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit.
Policia ka rikujtuar se drejtimi i automjetit gjatë kësaj periudhe përbën kundërvajtje, për të cilën parashihet gjobë prej 500 eurosh, ndalim i drejtimit të automjetit për gjashtë muaj, pesë pikë negative dhe konfiskim i përkohshëm i automjetit.
Ndërkohë, Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet në trafik dhe verifikimin e masave mbrojtëse, pikëve negative dhe kufizimeve të tjera ligjore.
Burimi: Dukagjini




