Policia e Kosovës ka njoftuar se do të nisë kthimin e patentë-shoferëve të cilët janë marrë përkohësisht nga policia dhe për të cilët ka kaluar afati ligjor i mbajtjes.

Ky veprim vjen pas Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, P.A. nr. 29/2026, të datës 20 tetor 2026, të cilin Policia e ka pranuar më 2 nëntor.
Me këtë aktgjykim është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar paragrafi 3 i nenit 17 të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili rregullonte procedurën e kundërvajtjes.
Policia sqaron se vendimi i Supremes nuk e anulon masën mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjetit dhe as masat e shqiptuara më herët. Ato vazhdojnë të jenë në fuqi deri në përfundimin e afatit të përcaktuar.
Ndryshimi lidhet vetëm me mbajtjen fizike të patentë-shoferit nga Policia, e cila, sipas nenit 244 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor dhe aktgjykimit të Supremes, nuk mund të zgjasë më shumë se tetë ditë.
Policia ka bërë të qartë se kthimi i dokumentit nuk nënkupton se shoferi mund të drejtojë automjetin nëse ndaj tij vazhdon të jetë aktive masa e ndalimit.
Madje, drejtimi i automjetit gjatë kësaj mase përbën kundërvajtje, për të cilën parashihet gjobë prej 500 eurosh, ndalim i drejtimit për gjashtë muaj, pesë pikë negative dhe konfiskim i përkohshëm i automjetit.
Policia ka paralajmëruar se do të vazhdojë kontrollet dhe verifikimin e masave mbrojtëse përmes evidencave përkatëse.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
Burimi: Sinjali




