Pesë mënyra të papritura për të rritur hekurin në organizëm, pa konsumuar mish

Pesë mënyra të papritura për të rritur hekurin në organizëm, pa konsumuar mish

Pesë mënyra të papritura për të rritur hekurin në organizëm, pa konsumuar mish

Mënyra se si e përgatisim dhe konsumojmë ushqimin mund të ndikojë ndjeshëm në sasinë e hekurit që trupi ynë arrin të përthithë. Zierja e disa perimeve, fermentimi i ushqimeve apo shtimi i limonit në gjellë janë disa nga mënyrat që mund të ndihmojnë në këtë proces.

Sponsor 3M Express

Duke u rritur, besoja se nëse haja shumë spinaq, do të bëhesha më i fortë dhe më i shëndetshëm. Edhe sot e përfshij rregullisht në ushqimin tim, duke e shtuar në smoothie, makarona dhe omëleta.

Spinaqi më pëlqen jo vetëm sepse mund të përdoret në shumë mënyra, përgatitet lehtë dhe është i pasur me fibra, por edhe sepse konsiderohet burim i mirë i hekurit.

Megjithatë, kjo nuk është e tëra. Edhe pse spinaqi përmban hekur, trupi nuk e përthith lehtësisht atë, sidomos kur konsumohet i papërpunuar.

Meqenëse rreth një në tre persona në botë ka mungesë hekuri, është e rëndësishme të kuptojmë se nuk ka rëndësi vetëm çfarë hamë, por edhe si e përgatisim dhe me çfarë e kombinojmë ushqimin. Këta faktorë mund të ndikojnë në sasinë e hekurit që organizmi arrin të marrë.

Mungesa më e përhapur ushqyese

Mungesa e hekurit është një nga problemet më të shpeshta ushqyese në botë, veçanërisht te fëmijët dhe gratë në moshë riprodhuese.

Lodhja, dobësia dhe vështirësitë në frymëmarrje janë disa nga shenjat që mund të tregojnë mungesë hekuri. Ky mineral është thelbësor për prodhimin e hemoglobinës, proteinës që transporton oksigjenin në pothuajse të gjitha pjesët e trupit.

“Është më mirë të përpiqemi ta parandalojmë aneminë duke u ushqyer siç duhet”, thotë Susan Fairweather-Tait, profesoreshë e metabolizmit të mineraleve në Universitetin e Anglisë Lindore.

Megjithatë, jo të gjitha ushqimet që përmbajnë hekur i ofrojnë trupit të njëjtën mundësi për ta përthithur atë.

Ushqimi pa mish kërkon më shumë kujdes

Ekzistojnë dy forma kryesore të hekurit në ushqim. Hekuri hem gjendet në mish dhe produkte të detit, ndërsa hekuri johem gjendet kryesisht në ushqimet me origjinë bimore.

Trupi ynë e përthith më lehtë hekurin hem sesa atë johem. Përthithja e hekurit hem arrin rreth 15 deri në 30 për qind, ndërsa nga burimet bimore është dukshëm më e ulët. Për shembull, nga bishtajoret e thata përthithen rreth 2 për qind, ndërsa nga perimet me gjethe rreth 7 deri në 9 për qind.

Megjithatë, për shkak të shqetësimeve lidhur me koston, ndikimin e mishit të kuq në shëndet dhe pasojat e tij për mjedisin, gjithnjë e më shumë njerëz po e zvogëlojnë konsumin e tij.

Kjo mund të rrisë rrezikun e mungesës së hekurit nëse mishi nuk zëvendësohet me burime të tjera ushqimore, thotë Yemisi Latunde-Dada, ligjëruese e lartë e shkencave të të ushqyerit në King’s College London.

Megjithatë, ekzistojnë shumë ushqime me bazë bimore që mund të ndihmojnë në plotësimin e nevojave ditore për hekur. Edhe pse trupi e përthith më vështirë këtë lloj hekuri, ka disa mënyra për ta përmirësuar përthithjen e tij.

Zieni disa perime, ndërsa të tjerat konsumojini të freskëta ose në avull

Mënyra e përgatitjes së ushqimit mund të ndikojë në sasinë e hekurit që bëhet e disponueshme për organizmin.

Spinaqi, për shembull, përmban përbërës të quajtur oksalate, të cilët mund të lidhen me hekurin dhe të pengojnë përthithjen e tij. Zierja e spinaqit ndihmon në largimin e një pjese të oksalateve, duke mundësuar që trupi të përthithë më shumë hekur.

Ky rekomandim vlen kryesisht për perimet me gjethe që kanë përmbajtje të lartë oksalatesh, si spinaqi, panxhari gjethe dhe gjethet e tij.

Ndërkaq, perime të tjera, si sallata jeshile, lakra dhe bok choy, nuk kanë nevojë për të njëjtin proces. Konsumimi i tyre të freskëta ose të përgatitura në avull ndihmon në ruajtjen e vitaminës C, e cila përmirëson përthithjen e hekurit.

Kombinojeni ushqimin e pasur me hekur me vitaminë C

Vitamina C ndihmon trupin të përthithë më shumë hekur nga ushqimet me origjinë bimore, siç kanë treguar edhe studimet shkencore.

“Vitamina C është një përforcues shumë i fuqishëm i përthithjes së hekurit nga burimet ushqimore bimore”, thotë Latunde-Dada.

Prandaj, krahas ushqimeve të pasura me hekur, mund të shtoni pak lëng limoni në gjellë ose të konsumoni një gotë të vogël lëng portokalli gjatë mëngjesit.

Përfshini ushqimet e fermentuara në dietë

Fermentimi mund të ndihmojë gjithashtu në përmirësimin e përthithjes së hekurit nga organizmi.

Kjo ndodh sepse procesi i fermentimit zbërthen acidin fitik, një përbërës natyror që gjendet në drithëra, arra dhe fara dhe që mund ta vështirësojë përthithjen e hekurit.

Për këtë arsye, mund të provoni ta zëvendësoni bukën e zakonshme me bukë të fermentuar natyrshëm, si buka me brumë të thartë (sourdough).

Mos u mbështetni vetëm te ushqimet e pasuruara me hekur

Shumë ushqime të përditshme, përfshirë bukën dhe drithërat e mëngjesit, pasurohen me hekur gjatë procesit të prodhimit.

Megjithatë, prodhuesit zakonisht përdorin forma të hekurit që përthithen më vështirë nga organizmi, por që nuk ndikojnë në shijen, ngjyrën apo afatin e ruajtjes së produktit.

“Ne nuk e përthithim shumë mirë hekurin nga shumica e produkteve të pasuruara”, thotë Fairweather-Tait.

Në një studim ku u mat përthithja e hekurit nga ushqimet e pasuruara, studiuesit zbuluan se kjo përqindje ishte shumë e ulët te drithërat për foshnja, duke variuar nga 0.6 deri në 2.2 për qind.

Në të kundërt, përthithja ishte më e lartë nga simitet e përgatitura me miell të bardhë të rafinuar. Një tjetër studim gjeti se përthithja e hekurit nga buka e përgatitur me këtë lloj mielli arrinte në 13.6 për qind.

Kujdes me pijet që konsumoni gjatë ushqimit

Edhe pijet që shoqërojnë vaktet mund të ndikojnë në sasinë e hekurit që përthithet nga organizmi.

Përbërës si polifenolet, taninet, fibrat dhe fitatet mund ta zvogëlojnë përthithjen e hekurit, shpjegon Latunde-Dada.

Kafeja dhe çaji përmbajnë tanine dhe polifenole. Kjo do të thotë se nëse konsumoni kafe ose çaj bashkë me një mëngjes të pasur me hekur, për shembull me drithëra, trupi mund të përthithë më pak nga ky mineral.

Nëse dëshironi të pini çaj, Fairweather-Tait këshillon që ta konsumoni të paktën dy orë pas ushqimit.

Sasia e mjaftueshme, por jo e tepërt

Nevojat ditore për hekur janë përcaktuar duke marrë parasysh faktin se organizmi nuk e përthith të gjithë sasinë që marrim përmes ushqimit.

Edhe nëse konsumoni sasinë e rekomanduar ditore të hekurit, trupi ka të ngjarë të përthithë vetëm një deri në dy miligramë në ditë, thotë Fairweather-Tait. Kjo sasi është e barabartë me atë që organizmi humbet çdo ditë përmes proceseve të ndryshme, përfshirë djersitjen dhe menstruacionet.

Ekspertja sugjeron konsumimin e rregullt të sasive të vogla të ushqimeve të pasura me hekur gjatë gjithë ditës, si pjesë e një diete të ekuilibruar.

Kjo është e rëndësishme sepse, në mënyrë paradoksale, organizmi mund të përthithë një përqindje më të vogël të hekurit kur merr një sasi shumë të madhe njëherësh. Trupi ka mekanizma të veçantë për të rregulluar sasinë e këtij minerali që përthith.

Ndërkaq, nëse po mendoni të përdorni suplemente me hekur, ekspertët këshillojnë që fillimisht të konsultoheni me mjekun.

“Trupi përpiqet të ruajë ekuilibrin dhe nuk dëshiron të përthithë më shumë hekur sesa i nevojitet.”

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali

Lexo edhe

Sulm kibernetik edhe në Zvicër, jashtë funksionit rreth 20 aplikacione të administratës

Sulm kibernetik edhe në Zvicër, jashtë funksionit rreth 20 aplikacione të administratës

Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Pejë dëshmon nesër në Komisionin Hetimor për rastin Arlinda Zekaj

Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Pejë dëshmon nesër në Komisionin Hetimor për rastin Arlinda Zekaj

Publikohet orari i xhiros së 14-të në Superligën e Kosovës, derbi të dielën në Suharekë

Publikohet orari i xhiros së 14-të në Superligën e Kosovës, derbi të dielën në Suharekë

Pesë mënyra të papritura për të rritur hekurin në organizëm, pa konsumuar mish | Momenti