Aktorët e njohur Penelope Cruz dhe Javier Bardem janë rikthyer në një projekt të përbashkët filmik, duke dëshmuar edhe një herë se pasioni i tyre për aktrimin është një nga gjërat që i bashkon edhe profesionalisht.

Çifti, i cili ndër vite ka bashkëpunuar në produksione të njohura si “Vicky Cristina Barcelona” (2008) dhe “The Counselor” (2013), kësaj radhe interpreton në thrillerin psikologjik “Bunker”, me regji të Florian Zeller. Në këtë film, ata luajnë rolin e një çifti bashkëshortësh.
Megjithatë, bashkëpunimet profesionale nuk janë diçka që Cruz dhe Bardem i marrin lehtë. Këtë e ka bërë të ditur vetë aktorja, gjatë një aktiviteti të organizuar nga “Vanity Fair” në Los Angeles, ku ka treguar se historia e filmit ishte arsyeja që nuk mund ta refuzonin ofertën.
“Kur Zeller na prezantoi këtë histori kaq të fuqishme dhe të rëndësishme, u pamë në sy dhe e kuptuam se nuk mund të refuzonim. Jam shumë e lumtur që e pranuam këtë projekt”, u shpreh aktorja.
Cruz ka theksuar se, ndonëse ndajnë të njëjtin pasion për kinemanë dhe janë marrë me aktrim që nga adoleshenca, ajo dhe bashkëshorti i saj janë mjaft selektivë në zgjedhjen e projekteve ku shfaqen së bashku.
“Është e vërtetë që ndajmë të njëjtin pasion dhe merremi me këtë që nga adoleshenca. Na pëlqen të eksplorojmë, të mësojmë dhe të përjetojmë atë emocionin e bukur të së panjohurës. Sa herë nis një projekt të ri, është sikur fillon gjithçka nga zero. Prandaj, është shumë bukur ta ndash këtë përvojë me dikë”, ka thënë Cruz.
Ndërkohë, regjisori Florian Zeller ka treguar se kishte dëshiruar prej kohësh të punonte me dy aktorët, të cilët i konsideron ndër më të mirët e kinematografisë së sotme.
Sipas tij, fakti që Cruz dhe Bardem janë çift edhe jashtë ekranit i ka dhënë filmit një mundësi të veçantë për të sjellë më shumë autenticitet në marrëdhënien mes personazheve.
Përveç projekteve profesionale, Penelope Cruz ka folur së fundmi edhe për jetën familjare dhe vendimin që ajo dhe Bardem kanë marrë për t’i rritur dy fëmijët e tyre, Leon, 15 vjeç, dhe Lunën, 12 vjeçe, në Spanjë, larg qendrës së industrisë së filmit në Los Angeles.
Aktorja ka shpjeguar se prania e familjarëve dhe miqve të fëmijërisë në Spanjë u mundëson atyre të kenë një jetë më normale dhe më private.
“Kur ke fëmijë, është shumë e rëndësishme të ruash një pjesë të jetës larg vëmendjes publike. Ata e meritojnë këtë. Kur të rriten, mund të vendosin vetë se çka duan të bëjnë me jetën dhe karrierën e tyre. Por, kur janë të vegjël, duhet të kenë lirinë të mos ekspozohen ndaj gjithçkaje”, u shpreh Cruz.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





