Demokratja Mary Peltola ka fituar garën për Senatin amerikan në Alaska, duke i siguruar partisë ulësen e 56-të në dhomën e lartë të Kongresit dhe duke përforcuar fitoren e demokratëve në zgjedhjet afatmesme.

Fitorja e saj shënon ulësen e nëntë që demokratët ua morën republikanëve në zgjedhjet e këtij viti, duke siguruar kontrollin e Kongresit për dy vitet e fundit të presidencës së Donald Trumpit. Demokratët kanë rimarrë gjithashtu kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Procesi zgjedhor në Alaska u shoqërua me polemika, pretendime për përpjekje për të ndikuar në rezultat dhe beteja ligjore. Numërimi i votave të zgjedhjeve të 3 nëntorit zgjati dy javë, për shkak të vështirësive logjistike në mbledhjen e fletëvotimeve nga zonat e largëta të shtetit.
Fushata e Peltolës u vu nën kritika pas raportimeve se demokratët kishin tentuar të rekrutonin një kandidat me emrin Daniel J. Sullivan, i cili kishte të njëjtin emër me senatorin republikan në detyrë, Dan Sullivan. Kjo u konsiderua si një përpjekje e mundshme për të ngatërruar votuesit.
Peltola mohoi të kishte dijeni për këtë përpjekje, ndërsa Departamenti i Drejtësisë dhe guvernatori republikan i Alaskës paralajmëruan hetime. Administrata Trump tentoi gjithashtu përmes një padie të pengonte certifikimin e rezultateve, por gjykata federale e hodhi poshtë kërkesën.
Me 99 për qind të votave të numëruara, Peltola kishte marrë pak më shumë se 50 për qind, ndërsa Sullivan ishte nën 46 për qind.
Në deklaratën pas fitores, Peltola tha se “status quo-ja në Uashington nuk po funksionon për Alaskën”, duke premtuar se do t’u ofrojë banorëve të shtetit një zë më të pavarur në kryeqytetin amerikan.





