Një 23-vjeçare nga Podujeva ka mbetur pa veturën e saj, pasi persona ende të panjohur dyshohet se ia kanë vjedhur nga parkingu nëntokësor i marketit “Viva Fresh Store”. E reja e kishte lënë automjetin të parkuar, por kur ishte kthyer për ta marrë, nuk e kishte gjetur më, mëson Gazeta Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur të shtunën, më 21 nëntor, në rrugën “Agron Rrahmani” në Podujevë.
Sipas burimeve të Sinjalit, ankuesja është M.R rreth 23 vjeçe, e cila ka raportuar zhdukjen e veturës së saj Volkswagen Passat 3C, karavan, me ngjyrë të zezë.
Në deklarimin e saj, Rudari ka bërë të ditur se automjetin e kishte parkuar rreth orës 17:00, në bodrumin e marketit.
Kur ishte kthyer për ta marrë, kishte konstatuar se vetura nuk ndodhej më në vendin ku e kishte lënë.
Rreth orës 20:10, e reja ka njoftuar Policinë, duke raportuar se dyshonte se automjeti i ishte vjedhur.
Pas pranimit të denoncimit, zyrtarët policorë kanë intervistuar ankuesen dhe kanë njoftuar Prokurorinë e Shtetit.
Në konsultim me Prokurorinë është hapur shënim zyrtar, ndërsa rrethanat e zhdukjes së veturës kanë mbetur për t’u hetuar.
Deri më tani nuk raportohet për persona të identifikuar apo të arrestuar në lidhje me rastin.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





