Nga 1 janari i vitit të ardhshëm paralajmërohet rritje e ngrohjes qendrore për qytetarët për rreth 7,5 për qind, nëse Komisioni Rregullator i Energjetikës miraton tarifat e propozuara. Familjet në Shkup, të cilat deri më tani kanë paguar 3 mijë denarë në muaj për ngrohje, nga 1 janari mund të paguajnë 3,225 denarë.

Për kompanitë dhe personat juridik që përdorin ngrohje qendrore parashikohet rritje për rreth 13 për qind. Arsyetimi për rritjen e mundshme të çmimit të ngrohjes është shtrenjtimi i gazit natyror në bursat botërore. Nëse merret vendimi përfundimtar, atëherë kjo do të jetë rritja e tretë e ngrohjes brenda 1 viti.
Nga ana tjetër paralajmërohet edhe shtrenjtimi i rrymës për 2 deri në 3 për qind, po nga 1 janari i vitit 2027. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se Qeveria do të bëjë përpjekje që të mos ketë rritje të çmimit dhe se do të mbrojë standardin e qytetarëve.
“Jo. Kjo varet nga Komisioni Rregullator. Ne e dimë që ne si Qeveri vendosim për çmimin që EMV do të paraqesë në ankand dhe në tenderin e shpallur nga “EVN Home”. Ne si Qeveri do të bëjmë çmos që të mos e rrisim atë çmim dhe do ta mbrojmë standardin e qytetarëve me të gjitha mjetet e mundshme, edhe pse çmimi në bursa është katër deri në pesë herë më i lartë se ai që do të ofrojë EMV”, deklaroi Hristijan Mickoski.
Ditë më parë kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi dimër të vështirë. Sipas tij bota po përballet me krizë të madhe energjetike.
Ndërkohë opozita vazhdimisht alarmon për shtrenjtime, të cilat do të reflektohet me automatizëm ndaj çmimit të produkteve ushqimore dhe shërbimeve.





