Pas paralajmërimeve për erëra të forta, KEDS ka mobilizuar qindra ekipe në terren, të cilat janë në gatishmëri për të intervenuar në rast të ndonjë dëmtimi të rrjetit elektrik.

Zëdhënësi i KEDS-it, Adlum Ramadani, në një deklaratë për Telegrafin, ka bërë të ditur se ekipet janë të gatshme të intervenojnë në kohën më të shkurtër të mundshme, me qëllim eliminimin e rreziqeve dhe rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me energji elektrike për konsumatorët që mund të preken.
Ramadani njëkohësisht u ka bërë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin afrimin pranë linjave elektrike.
“KEDS ka mobilizuar tashmë qindra ekipe në terren, të cilat janë në gatishmëri të plotë për të intervenuar në kohën më të shkurtër të mundshme, me qëllim eliminimin e çdo rreziku dhe rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me energji elektrike për konsumatorët që mund të afektohen. Njëkohësisht, u bëjmë apel të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin afrimin pranë linjave elektrike”, ka deklaruar Ramadani. /Telegrafi/





