Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, zhvilloi takim me Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp. Siç njoftojnë nga kabineti i tij, në fokus të bisedës ishin të drejtat e komuniteteve, marrëdhëniet ndëretnike dhe reformat që lidhen me procesin e integrimit evropian.

“Bekim Sali vlerësoi mbështetjen e OSBE-së për forcimin e sundimit të ligjit, qeverisjes demokratike dhe kohezionit shoqëror, si dhe angazhimin për marrëdhënie konstruktive ndëretnike në frymën e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit”.
“Në takim u theksua se Marrëveshja Kornizë e Ohrit mbetet bazë për një shoqëri demokratike, gjithëpërfshirëse dhe multietnike, të ndërtuar mbi të drejta të barabarta, respekt të ndërsjellë dhe pjesëmarrje të të gjitha komuniteteve. U diskutuan gjithashtu gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2026, i cili vëren se zbatimi i marrëveshjes vazhdon të përballet me sfida, ndonëse korniza ligjore dhe institucionale për mbrojtjen e pakicave është e vendosur”.
“Vëmendje e veçantë iu kushtua përdorimit të gjuhëve dhe përfaqësimit adekuat dhe të drejtë në administratën publike, duke ruajtur njëkohësisht parimet e meritës, profesionalizmit dhe integritetit”, thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se bashkëbiseduesit trajtuan edhe nevojën për zbatim më efektiv të mekanizmave kundër diskriminimit, parandalimin e gjuhës së urrejtjes dhe krimeve nga urrejtja, përfshirjen e romëve, barazinë në arsim dhe mbrojtjen e grupeve të cenueshme.
“Bekim Sali theksoi se mbrojtja e të drejtave të personave që u përkasin komuniteteve është pjesë e rëndësishme e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht në kuadër të kapitujve 23 dhe 24, si dhe e reformave të parapara në projekt-Udhërrëfyesin për Sundimin e Ligjit dhe planin shoqërues të veprimit për të drejtat e pakicave”.
“Në përfundim u riafirmua rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm me OSBE-në për institucione më gjithëpërfshirëse dhe rezultate konkrete për qytetarët”, thonë nga MPB.





