Në gjashtëvjetorin e arrestimit dhe transferimit në Hagë të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, organizatat e dala nga lufta kanë zhvilluar një aksion para selisë së Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Me portretet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, përfaqësuesit e këtyre organizatave kanë shprehur pakënaqësinë ndaj procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka kritikuar Gjykatën Speciale, duke e cilësuar atë të padrejtë dhe duke kundërshtuar vendimin për dënimin e katër ish-krerëve me gjithsej 81 vjet burgim.
Kritika ndaj institucioneve të Kosovës pati edhe përfaqësuesi i OVL-UÇK-së, Xhavit Jashari. Ai tha se institucionet është dashur të kërkojnë nga Bashkimi Evropian dhe mekanizmat e tjerë evropianë rishqyrtimin e rezolutës mbi të cilën është ndërtuar procesi gjyqësor.
Pakënaqësinë ndaj procesit e shprehën edhe qytetarët, të cilët kundërshtuan mënyrën e zhvillimit të gjykimit në Hagë.
Ndërkohë, platforma “Liria ka Emër” iu drejtua anëtarëve të Parlamentit Evropian me një letër që përmban gjashtë kërkesa konkrete.
Përfaqësuesi i platformës, Ismail Tasholli, tha se ndër kërkesat është organizimi i një dëgjimi të posaçëm për shqetësimet lidhur me raportin dhe respektimin e të drejtave të të akuzuarve.
Letra iu dërgua institucioneve evropiane në shënim të gjashtëvjetorit të arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së.
Detajet mund t’i gjeni në kronikën e përgatitur nga Klan Kosova:




