Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur shqetësim lidhur me zhvillimet politike rreth plotësim-ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Përmes një reagimi publik, OVL e UÇK-së ka vlerësuar se është e papranueshme që një çështje kaq e rëndësishme të zvarritet për shkak të përplasjeve politike apo presionit të bashkësisë ndërkombëtare.
“Për ne, si veteranë të UÇK-së, është tërësisht e papranueshme që kjo çështje kaq e rëndësishme të zvarritet për shkak të përplasjeve politike apo presionit të bashkësisë ndërkombëtare. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së u bën thirrje shumicës parlamentare dhe të gjitha subjekteve politike që t’i lënë anash dallimet partiake dhe ta përfundojnë sa më parë këtë proces.” – thuhet në njoftim.
OVL e UÇK-së ka ritheksuar se është e papranueshme dhe e pandershme që një çështje kaq e ndjeshme të shfrytëzohet për të krijuar ndasi politike apo për të thelluar përçarjet mes subjekteve politike.
“Pavarësisht deklarimeve publike për vullnet politik, nëse ky proces vazhdon të zvarritet dhe nuk përfundon së shpejti, OVL e UÇK-së paralajmëron se do t’i kundërvihet kësaj qasjeje përmes organizimit të protestave gjithëpopullore”
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kërkon që plotësim-ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara të miratohen me procedurë të përshpejtuar, brenda afatit më të shkurtër që lejojnë procedurat parlamentare dhe institucionale.





