Një në katër gra në mbarë botën nuk kanë të drejtë të refuzojnë marrëdhëniet seksuale kur bashkëshorti ose partneri i tyre i kërkon ato, thuhet në një raport të Kombeve të Bashkuara.

Në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore, pothuajse gjysma e grave (45%) nuk kanë mundësi të thonë “jo” brenda martesës së tyre. E njëjta situatë prek edhe një të tretën e grave (33%) në Afrikën Lindore dhe Jugore, si dhe në shtetet arabe. Ndërkaq, në Amerikën Latine dhe Karaibe, një në dhjetë gra nuk mund të refuzojë marrëdhëniet seksuale, thuhet në raportin e publikuar të enjten nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA).
Sipas analizës së raportit, gratë e reja dhe vajzat e moshës 15 deri në 19 vjeç kanë edhe më pak mundësi për të refuzuar marrëdhëniet seksuale, krahasuar me gratë e moshës 45 deri në 49 vjeç. Ky vlerësim bazohet në të dhënat e tetë shteteve që kanë statistika të krahasueshme: Angola, Republika Demokratike e Kongos, Kazakistani, Malavi, Mali, Nigeria, Taxhikistani dhe Zambia, raporton The Guardian – transmeton Sinjali.
Këto gjetje përputhen me hulumtimet që tregojnë se vajzat adoleshente përballen me nivele shumë të larta të dhunës nga partnerët intimë.
“Janë vërtet shifra të dhimbshme”, ka thënë Jean-Paul Murunga, jurist në organizatën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Equality Now.
“Sidomos duke pasur parasysh se kontinenti afrikan, në tërësi, e ka miratuar Protokollin e Maputos, i cili përcakton standarde ligjërisht të detyrueshme për barazinë mes grave dhe burrave. Kemi ende shumë punë për të bërë, në mënyrë që gratë dhe vajzat të përfitojnë nga këto zotime”, ka deklaruar ai.
Protokolli i Maputos, një marrëveshje historike e miratuar nga Bashkimi Afrikan në vitin 2003, garanton të drejtat e grave dhe i obligon shtetet që t’i mbrojnë ato nga dhuna. Ky dokument përcakton se martesa duhet të bazohet në pëlqimin e plotë të të dyja palëve dhe garanton të drejtën e grave për shëndet.
“Parimi themelor është i qartë: marrëdhëniet seksuale pa pëlqim të lirë dhe vullnetar përbëjnë dhunë seksuale, përfshirë edhe brenda martesës. Martesa nuk nënkupton pëlqim të përhershëm apo të nënkuptuar. Gruaja ruan të drejtën të vendosë nëse, kur dhe si dëshiron të përfshihet në marrëdhënie seksuale”, ka theksuar Murunga.
Ai ka thënë se, si hap i parë, duhet të ndryshohen ligjet për përdhunimin në të gjithë kontinentin afrikan. Sipas një raporti të tij të vitit 2024, në disa shtete afrikane përdhunimi brenda martesës nuk konsiderohet vepër penale.
Shtatë shtete i përjashtojnë shprehimisht bashkëshortët nga ndjekja penale për përdhunim brenda martesës. Në mesin e tyre janë Bregu i Fildishtë, Etiopia dhe Sudani i Jugut. Ndërkaq, disa vende, si Tanzania dhe Eritrea, e kriminalizojnë përdhunimin martesor vetëm në rastet kur çifti nuk jeton së bashku.
Në shtetet ku lejohet martesa e fëmijëve dhe përdhunimi brenda martesës nuk dënohet me ligj, të miturit mbeten pa mbrojtje. Kjo krijon një boshllëk ligjor, përmes të cilit veprimet që jashtë martesës do të cilësoheshin si përdhunim, nuk ndëshkohen brenda saj. Si rrjedhojë, vajzat e martuara në moshë të re kanë shumë pak mundësi për t’u mbrojtur nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual.
Në Gabon, për shembull, në rastet kur një burrë martohet me një të mitur që e ka rrëmbyer, ai mund të ndiqet penalisht vetëm pasi martesa të jetë anuluar.
Në themel të këtyre ligjeve qëndron bindja e gabuar se përdhunimi brenda martesës nuk ekziston, pasi supozohet se, duke u martuar, gruaja ka dhënë pëlqimin e përhershëm për marrëdhënie seksuale me bashkëshortin. Në shumë zona, edhe feja luan rol të rëndësishëm në përforcimin e këtyre bindjeve.
Alimatu Dimonekene, themeluese e organizatës “A Girl At A Time”, e cila mbështet vajzat adoleshente në Sierra Leone, ka thënë se në Afrikë ende nuk ka nisur një debat i mirëfilltë për pëlqimin brenda martesës.
“Ne as që e kemi nisur ende bisedën për përdhunimin brenda martesës”, ka deklaruar ajo. “Gratë nuk do ta quajnë kurrë përdhunim; ato gjejnë arsye për ta justifikuar ose madje fajësojnë veten”.
Ajo ka shtuar se në Afrikën Perëndimore marrëdhëniet seksuale shihen si detyrim brenda martesës.
“Në Afrikën Perëndimore, seksi shihet si obligim në martesë. Gruaja duhet të bëjë gjithçka që kërkon bashkëshorti i saj.
Pasi ai ka paguar çmimin e nuses, sipas një tradite martesore në të cilën familja e nuses merr para, bagëti ose mallra nga dhëndri, ai e konsideron atë pronë të tij dhe gruaja nuk mund t’ia refuzojë kërkesat. Çfarëdo që ai dëshiron, e merr, qoftë në aspektin e intimitetit, financave apo rritjes së fëmijëve”, ka përfunduar ajo.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





