Oda Ekonomike e Kosovës ka mirëpritur fillimin e zbatimit gradual të Sistemit të Pagesave të Shpejta të Kosovës (TIPS-K), duke e vlerësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës financiare dhe krijimit të kushteve më të favorshme për zhvillimin e sektorit privat dhe të ekonomisë së vendit.
“Oda vlerëson se funksionalizimi i këtij sistemi përbën një avancim të rëndësishëm në lehtësimin e transaksioneve financiare, duke u mundësuar qytetarëve dhe bizneseve realizimin e transfereve të menjëhershme, në kohë reale, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë dhe 365 ditë në vit”, thuhet në komunikatën e OEK-ut.

Sipas saj, ky zhvillim pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë pozitiv në aktivitetin e bizneseve, veçanërisht në përmirësimin e likuiditetit, përshpejtimin e qarkullimit të mjeteve financiare dhe rritjen e efikasitetit në realizimin e obligimeve financiare.
“Mundësia e kryerjes së pagesave në kohë reale është veçanërisht e rëndësishme për marrëdhëniet ndërmjet bizneseve, furnitorëve dhe partnerëve afaristë, duke kontribuar në rritjen e besueshmërisë dhe sigurisë në transaksionet tregtare”, thuhet tutje.
Oda Ekonomike e Kosovës thekson se digjitalizimi dhe modernizimi i shërbimeve financiare janë parakushte të rëndësishme për rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë, përmirësimin e klimës së të bërit biznes dhe përafrimin e Kosovës me praktikat dhe standardet bashkëkohore evropiane.
Në këtë drejtim, Oda vlerëson lart angazhimin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe kontributin e të gjitha bankave komerciale dhe institucioneve partnere që kanë qenë pjesë e këtij procesi dhe që po kontribuojnë në funksionalizimin e këtij sistemi.
Njëkohësisht, Oda Ekonomike e Kosovës, së bashku me bankat dhe shoqatën e bankave që janë pjesë e saj, mirëpret këtë avancim të rëndësishëm dhe inkurajon vazhdimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me qëllim që përfitimet e këtij sistemi të jenë sa më të mëdha dhe të qasshme për të gjitha bizneset dhe qytetarët e Kosovës.
Burimi: RTKLive





