Qumështorja VITA ka njoftuar se analizat e kryera në laboratorin Alimenti Omnilab në Bullgari, me metodën HPLC, kanë rezultuar me vetëm 0.008 µg/kg Aflatoksinë M1, shumë më poshtë kufirit maksimal të lejuar prej 0.050 µg/kg, sipas rregulloreve të Bashkimit Evropian dhe legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës.

Kjo erdhi pasi AUV bëri të ditur se ka tërhequr një seri të qumështit VITA, me arsyetimin për tejkalimin e nivelit të lejuar të aflatoksinës M1
“Këto rezultate konfirmojnë që në Qumështin Vita 3.2% UHT data e prodhimit 18.07.2026 / data e skadimit 18.01.2027, është konform normave të nivelit të aflatoksinës M1. Ndërkohë, AUV ka publikuar një rezultat prej 0.065 µg/kg, për të cilin jemi njoftuar vetëm përmes publikimit të tyre në Facebook! Deri më sot, nuk kemi pranuar asnjë njoftim zyrtar apo raport laboratorik nga institucioni përgjegjës, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Kompanisë tonë.” – thuhet në njoftimin e VITA-s.
Me këtë rast, kanë kërkuar nga AUV që të japin llogari dhe sqarime për analizat e publikuara, transmeton Klankosova.tv
“Ne kërkojmë që personat kompetent të AUV të cilët kanë publikuar postimin në Facebook të japin llogari para opinionit dhe institucioneve kompetente dhe të sqarojnë saktësisht se si i kanë interpretuar rezultatet e analizave të Institutit AGES, me cfarë metodologjie analitike janë kryer analizat dhe të tregojnë transparencë të plotë në këtë proces.”
Konsumatorët e VITA, Qumështorja i ka siguruar se do të mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë ushqimore dhe ne do të vazhdojë të kërkojë verifikim të plotë të çdo rezultati të kontestuar.
“VITA nuk kërkon privilegje. Kërkon transparencë, drejtësi dhe të vërtetën!” /Klankosova.tv





