Nvidia ka kërkuar nga partnerët e saj prodhues të ndërpresin dërgesat e serverëve drejt katër shteteve të Azisë Juglindore, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po ashpërsojnë kontrollet e eksporteve për të parandaluar që Kina të sigurojë qasje në kapacitetet e avancuara kompjuterike të inteligjencës artificiale.

Sipas tre personave të njohur me çështjen, partnerët prodhues të Nvidia-s, përfshirë Dell dhe Supermicro, të cilët integrojnë çipat e kompanisë në serverë, kanë njoftuar klientët në Malajzi, Singapor, Tajlandë dhe Indonezi se porositë e tyre nuk do të dërgohen për momentin, raporton Financial Times.
Ende nuk dihet nëse kjo masë është e përkohshme. Vendimi vjen në kohën kur Nvidia dhe partnerët e saj po përpiqen të përshtaten me rregullat e reja të kontrollit të eksporteve të vendosura nga Uashingtoni.
Katër shtetet e Azisë Juglindore janë shndërruar në destinacione të rëndësishme për kompanitë dhe zhvilluesit kinezë të inteligjencës artificiale, të cilët kërkojnë qasje në çipat më të avancuar të Nvidia-s, eksporti i të cilëve drejt Kinës është i kufizuar nga autoritetet amerikane.
Ky rajon përbën një treg të rëndësishëm edhe për vetë Nvidia-n. Sipas raporteve financiare të kompanisë, filiali i saj në Singapor regjistroi 104 miliardë dollarë të ardhura gjatë vitit 2025, duke shënuar rritje prej 72 për qind krahasuar me vitin paraprak. Përmes kësaj njësie, kompania regjistron edhe një pjesë të të ardhurave nga Tajvani dhe Kina.
Një nga mënyrat që kompanitë kineze kanë përdorur për të anashkaluar kufizimet amerikane është marrja me qira e kapaciteteve kompjuterike përmes ofruesve të shërbimeve cloud. Këta të fundit blejnë serverë të pajisur me procesorë të Nvidia-s dhe më pas ua ofrojnë shërbimet klientëve kinezë.
Megjithatë, javën e kaluar, Departamenti amerikan i Tregtisë prezantoi rregulla të reja që synojnë pikërisht ndalimin e kësaj praktike.
Masat e reja vijnë në një periudhë kur drejtuesit e Nvidia-s janë përballur me raportime për çështje personale dhe marrëdhënie të dyshuara që kanë ngritur pikëpyetje rreth lidhjeve të kompanisë me sektorin e shërbimeve cloud. Raportimet pretendojnë se këto lidhje përfshijnë edhe një kompani që u ka dhënë me qira kapacitete kompjuterike subjekteve kineze dhe që po hetohet për përfshirje të dyshuar në kontrabandë.
Këto zhvillime kanë ndërlikuar debatin rreth qëndrimit të drejtuesve të Nvidia-s për tregun kinez. Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Jensen Huang, ka argumentuar vazhdimisht se SHBA-ja duhet të vazhdojë t’u shesë çipat e saj kompanive kineze, me arsyetimin se kjo do t’i mbante ato të varura nga teknologjia amerikane.
Pavarësisht përpjekjeve të Pekinit për të zhvilluar alternativa vendore, laboratorët kryesorë kinezë të inteligjencës artificiale vazhdojnë të mbështeten në procesorët e Nvidia-s për zhvillimin e modeleve të tyre më të avancuara. Kjo vlen veçanërisht për fazat fillestare të trajnimit të modeleve, të cilat kërkojnë kapacitete të mëdha kompjuterike.
Edhe pse në industrinë e teknologjisë kishte pritshmëri se zhvillimet e fundit në drejtimin e Nvidia-s mund të ndikonin në zbatimin e rregullave të reja, deri më tani nuk ka shenja se kompania do të shmangë respektimin e tyre, kanë deklaruar personat e njohur me çështjen.
Departamenti amerikan i Tregtisë u ka dhënë ofruesve të shërbimeve cloud një afat prej 90 ditësh për të siguruar licencat përkatëse, përmes të cilave duhet të dëshmojnë se përdoruesit përfundimtarë të kapaciteteve të tyre kompjuterike nuk janë subjekte të përfshira në kufizimet amerikane.
“Ekziston ky rregull i ri, por nuk ka udhëzime se si duhet të zbatohet”, ka deklaruar një drejtues i një kompanie të shërbimeve cloud.
Ndërkohë, kërkesa e lartë nga kompanitë kineze të teknologjisë ka nxitur një bum të investimeve në ndërtimin e qendrave të të dhënave në Azinë Juglindore, veçanërisht në Malajzi dhe Indonezi. Në këto dy shtete janë investuar miliarda dollarë në infrastrukturë për zhvillimin e inteligjencës artificiale, ndërsa kufizimet e reja amerikane rrezikojnë tashmë një pjesë të këtyre projekteve.
Një nga kompanitë e prekura është Aolani, ofrues i shërbimeve cloud me seli në Singapor, i cili kishte planifikuar t’i ofronte kapacitete të avancuara kompjuterike kompanisë kineze ByteDance, pronare e platformës TikTok, përmes marrëveshjeve të qirasë. Këtë e kanë bërë të ditur dy persona në dijeni të projektit.
Për shkak të ndërprerjes së dërgesave, disa bankierë që më herët kishin miratuar financimin e projektit kanë pezulluar dhënien e kredive në vlerë prej rreth 500 milionë dollarësh. Kjo situatë mund ta shtyjë edhe ByteDance-in të tërhiqet nga marrëveshja.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





