Çlirim Haziri, nga iniciativa qytetare “Jo në emrin tim”, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe përfaqësuesit e tij në Kosovë që të mos heshtin përballë shqetësimeve lidhur me procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

Gjatë një aksioni simbolik të mbajtur para zyrave të BE-së, Haziri ka theksuar se parimet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, barazia para ligjit dhe e drejta për një gjykim të drejtë duhet të jenë detyrime universale dhe jo standarde që zbatohen varësisht nga interesat politike, transmeton Klankosova.tv.
“Ne nuk kërkojmë trajtim të privilegjuar për Thaçin dhe të tjerët. Kërkojmë atë që i takon çdo njeriu, drejtësi të paanshme dhe respektim të dinjitetit njerëzor”, ka deklaruar Haziri para mediave.
Ai ka bërë thirrje që institucionet dhe përfaqësuesit evropianë të mos i mbyllin sytë ndaj këtyre shqetësimeve, duke kërkuar respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.





