Për personat që kanë pak kohë për aktivitet fizik, ushtrimet e shkurtra të shpërndara gjatë ditës, të njohura si “exercise snacks”, mund të jenë një alternativë praktike për të përmirësuar shëndetin.

Këto aktivitete zgjasin nga dy deri në pesë minuta dhe përfshijnë ushtrime të thjeshta si ngjitja e shkallëve, pompat, uljet dhe ngritjet, ecja e shpejtë apo përdorimi i biçikletës statike.
Një studim i publikuar në janar 2026 në revistën British Journal of Sports Medicine, me pjesëmarrjen e 414 personave, tregoi se kjo metodë mund të përmirësojë kondicionin kardiorespirator te të rriturit dhe qëndrueshmërinë muskulore te të moshuarit.
Foto ilustruese
Sipas studiuesve, për të përfituar nga këto ushtrime, ato duhet të kryhen të paktën dy herë në ditë, për minimumi tri ditë në javë.
Megjithatë, rezultatet nuk evidentuan përmirësime të rëndësishme në forcën muskulore, përbërjen trupore apo disa tregues metabolikë.
Ekspertët nënvizojnë se këto aktivitete nuk e zëvendësojnë plotësisht stërvitjen e rregullt, por ndihmojnë në reduktimin e kohës së kaluar ulur dhe në rritjen e aktivitetit fizik gjatë ditës.
Kjo qasje mund të jetë veçanërisht e dobishme për personat me orare të ngarkuara, të cilët dëshirojnë të kujdesen për shëndetin pa pasur nevojë të ndajnë kohë të gjatë për palestër. /Telegrafi/





